Ndërlidhjet

WSJ: Misioni i përmbushur


Ushtarë amerikanë në Afganistan
Ushtarë amerikanë në Afganistan
"Wall Street Journal"

Afganistani nuk është më luftë për interesat vitale të sigurisë amerikane. Me Osama bin Ladenin duke notuar me peshqit, Shtetet e Bashkuara kanë vetëm një rrugë të ndjeshme – zvogëlimin e forcave në 15 - 25 mijë deri në fund të vitit 2013 dhe rifokusimin e fuqisë amerikane te diplomacia në rajon.

Mbase ka fjalë tjera për ta thënë, por kemi të bëjmë me mision të përmbushur. Të gjitha dëshmitë informative dhe ushtarake thonë se nuk kanë mbetur më shumë se 200 pjesëtarë operacionalë të Al Kaidës. Të vazhdosh deri në pafundësi luftën për t’i vrarë, do të ishte punë e kotë.

Ballafaqimi i Shteteve të Bashkuara nuk ka qenë me talibanët, por me faktin që ata i kishin ofruar mikpritje Al Kaidës. Nëse talibanët janë të gatshëm të reduktojnë betejën e tyre në Afganistan, t’i ndalësh ata në rimarrjen e pushtetit brenda vendit të tyre nuk është çështje vitale për Amerikën.

Shkak tjetër për të zbritur Afganistanin nga prioritetet strategjike është fakti se, një dekadë më parë, kërcënimi terrorist për Amerikën ishte i përqendruar në Afganistan, ndërsa tash CIA bën me gisht nga terroristët në Pakistan, Jemen, Somali ose Sudan.

Është e vërtetë e hidhur se Uashingtoni nuk ka partner në Afganistan, ku dominon korrupsioni dhe jokompetenca.

Përgjigje për këtë vrimë ferri është që Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja të kompletojnë tërheqjen luftarake deri në fillim të vitit 2013 dhe jo deri në fund të 2014-ës, siç parashihet aktualisht. Kjo do të ishte kohë e mjaftueshme për afganët miqësorë që të përgatisin veten.

Për më shumë, Kabuli dhe Uashingtoni duhet të bëjnë përpjekje për të bërë një ujdi me talibanët. Pas shkuarjes së bin Ladenit, kjo mund të duket më e lehtë, sepse talibanët mund të konsiderojnë se kanë më pak obligime ndaj Al Kaidës.

Ka edhe arsye të tjera për të shmangur Afganistanin dhe kjo është vetë Amerika. Shtetet e Bashkuara thjesht nuk mund t’i lejojnë vetes të shkapërderdhin kohë dhe mjete të tjera për një Afganistan jovital dhe ta vënë atë para asaj që bën thelbin e lirisë dhe fuqisë amerikane - pra ekonomisë, e cila mund të nisë një rënie të pandalshme.

Në këtë rast, rreziku përfundimtar nuk është humbja e Afganistanit, por e Amerikës. (m.k.)
XS
SM
MD
LG