Ndërlidhjet

Kosova vlerësohet si shteti me përqindjen më të madhe të të rinjve në Evropë. Por, shumë hulumtime tregojnë se të rinjtë ndjejnë se kontribuojnë fare pak në proceset vendimmarrëse.

Duke marrë parasysh papunësinë e madhe dhe dëshirën e të rinjve që të ndryshojnë të ardhmen, UNICEF-i, përmes projektit Kosovo Innovation’s Lab apo Iniciativa e Inovacionit Kosovar, ka nisur të jetësojë disa projekte, që kanë të bëjnë kryekëput me të rinjtë.

Luçiano Kalestini, zëvendësshef i misionit të UNICEF-it, thotë se ky program është iniciuar duke marrë parasysh faktin se Kosova ka rreth 400 mijë të rinj mes moshës 18 dhe 25 vjeç, ndërsa rreth 73% e tyre janë të papunësuar.

“Të rinjtë kosovarë mund të vijnë dhe të punojnë në projektet e tyre. Mund të punojnë edhe në emër të institucioneve apo ministrive të ndryshme dhe të kalojnë kohë në mënyrë konstruktive, çfarë kontribuon në mësimin e tyre dhe eksperiencën profesionale”, thotë Kalestini për Radion Evropa e Lirë.

Në shtetin e ri, ku barrierat ndëretnike nuk janë hequr ende, Kalestini përmend zbatimin e një projekti, që synon t’i shembë këto hendeqe.

“Më kujtohet një projekt specifik që quhet ‘Ndiqi Yjet’. Aty bën pjesë një grup i të rinjve kosovarë, të cilët duan të definojnë se çfarë është të jesh kosovar joshqiptar, serb, boshnjak apo i ndonjë etnie tjetër”, shpjegon Kalestini.

Nita Zeqiri është njëra nga përfitueset e këtij projekti. Qëllimi i tij, thotë ajo, është që përmes artit të shihet se si ndjehen të rinjtë kosovarë.

Follow the Stars (Ndiqi Yjet) ka për trajtim temën e flamurit të Kosovës që ka 6 yje, të cilat simbolizojnë komunitetet që jetojnë në Kosovë. Kemi trajtuar temën se si ndjehen serbët, romët, a njehen si kosovarë... Të rinjtë kanë ndjekur aktivitete të ndryshme kulturore. Në fund të projektit, të rinjtë do të mbajnë një ekspozitë, ku do të ekspozohen piktura, foto, video, dokumentare, që janë xhiruar gjatë punës”, thotë Zeqiri.

Rron Salaj, koordinator i projekteve në UNICEF, thotë se kjo iniciativë është hapur në muajin nëntor. Ai e sheh si një mundësi të mirë për të rinjtë kosovarë, të cilët “duan t’i forcojnë kapacitetet e tyre si liderë të projekteve”.

“Çdo i ri nga mosha 16 deri në 28 vjeç mund të marrë pjesë në këto projekte. Deri tash janë aprovuar rreth 17 projekte - disa janë afër përfundimit e disa kanë përfunduar. Kemi pasur projekte mjaft interesante - edhe nga minoriteti rom e serb. Po ashtu njëri ka qenë nga personat me aftësi të kufizuara”,
thotë Salaj.

Kosovo Innovation’s Lab apo Iniciativa e Inovacionit Kosovar, deri më tash, ka arritur të bashkojë 50 të rinj, që të punojnë si ekip dhe të shërbejnë si shembull edhe për të rinjtë tjerë.

Luçiano Kalestini thotë se deri tani janë aprovuar vetëm 20 projekte të të rinjve, ndërsa misioni i tyre synon të miratojë rreth 2 mijë projekte në dy vjetët e ardhshëm.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG