Ndërlidhjet

Opozita në Prishtinë vazhdon të ketë një pozicion tjetër në raport me Qeverinë, kur janë në pyetje bisedimet me Serbinë. Kësaj radhe kritikohet mungesa e nismave dhe e kreativitetit të Qeverisë për të propozuar zgjidhje në lidhje me çështjet që po bisedohen me Beogradin.


Delegacioni kosovar nuk po tregon kreativitet në bisedime me Beogradin, vlerësojnë përfaqësues të opozitës. Sipas tyre, Qeveria e Kosovës do të duhej të jetë ajo palë, e cila propozon zgjidhje për fushat, të cilat po bisedohen me Beogradin, pasi që bëhet fjalë për çështje që kërkojnë zgjidhje brenda Kosovës.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë se pala kosovare ka mungesë të iniciativës dhe kreativitetit në propozimin e zgjidhjeve.

Skënder Hyseni
“Ajo që brengos shumë, është mungesa e iniciativës nga delegacioni i Kosovës, mungesa e kreativitetit në propozime. Nuk mund të flas për ato çështje që nuk dihen, por do të dëshiroja që të kishte më shumë substancë, brumë të propozuar nga institucionet e Kosovës në këto bisedime”.

“Meqenëse po ndodhin, atëherë Kosova të paktën të bëjë përpjekje që të dalë me bilanc pozitiv ose me bilanc zero, tekefundit”,
thekson Hyseni për Radion Evropa e Lirë.

Pas raundeve të para të bisedimeve, palët janë pajtuar që t’i dëgjojnë disa sugjerime për marrëveshje eventuale nga ndërmjetësi i Bashkimit Evropian në dialog, Robert Kuper.

Zyrtarë të Qeverisë nuk kanë folur për këto propozime, përderisa ato janë ende në tavolinën e diskutimeve.

Ish-ministri Hyseni thotë se ky proces është prezantuar si dialog ndërshtetëror dhe, rrjedhimisht, çdo marrëveshje eventuale që e prodhon, do të duhej të ratifikohej në Kuvend.

“Nuk është ndonjë risi në një proces bisedimesh që ndërmjetësi të propozojë, të japë ide se si do të duhej të dukej një marrëveshje. I takon delegacionit të Kosovës që të mos nënshkruajë dhe të mos pranojë diçka që do t’i dëmtonte interesat e Kosovës”.

“Vazhdimisht po thuhet që këto janë biseda ndërmjet dy shteteve, çfarë do të thotë se ato janë marrëveshje ndërkombëtare. E, marrëveshjet ndërkombëtare, sipas Kushtetutës së Kosovës, patjetër duhet të ratifikohen në Kuvendin e Republikës”,
thotë Hyseni.

Duke i lënë propozim-zgjidhjet në iniciativë të përfaqësuesit të BE-së, dëshmohet se pala kosovare ka një gatishmëri për lëshime në këto bisedime, vlerëson në anën tjetër Avni Arifi, nga Kryesia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Arifi thotë se mungesa e nismave dhe propozimeve nga ana e Qeverisë në këtë dialog, sikur po dëshmon mungesë të lidershipit shtetëror.

“Si duket, vetëm zyrtarët aktualë qeveritarë nuk po mund ta bindin veten se Kosova është shtet dhe kjo vetvetiu nënkupton dhe shtron dilema se kush është sovrani në Kosovë. Pse të vijnë propozimet nga ndërmjetësi ndërkombëtar - me gjithë respektin dhe punën e mirë që mund të bëjnë zoti Kuper dhe BE-ja - pse të mos vijnë propozimet nga Kosova...”, thotë Arifi.

Ai vlerëson se pala kosovare, që nga fillimi i procesit, ka hyrë në dialog me një dozë të tepruar të fleksibilitetit dhe gatishmërisë për të lëshuar pe në çështjet që po diskutohen me Beogradin.
Qeveria aktuale e Kosovës ka treguar në vazhdimësi fleksibilitet, kur janë në pyetje bisedimet me Serbinë, sepse përmes këtyre bisedimeve, ajo e ka të garantuar mbijetesën qeveritare edhe për tre vjet.

“Qeveria aktuale e Kosovës ka treguar në vazhdimësi fleksibilitet, kur janë në pyetje bisedimet me Serbinë, sepse përmes këtyre bisedimeve, ajo e ka të garantuar mbijetesën qeveritare edhe për tre vjetët e ardhshëm”.

“Kjo qeveri nuk ka asgjë tjetër dhe nuk do të mbijetonte po të mos i kishte bisedimet me Serbinë dhe përkrahjen që e merr nga bashkësia ndërkombëtare për shkak të këtyre bisedimeve”,
thotë Arifi.

Dialogu Kosovë - Serbi deri më tash nuk ka prodhuar ndonjë marrëveshje. Palët kanë diskutuar për shumë çështje, si: vulat e doganave, auto-targat, telekomi, energjia, regjistri civil e fusha të tjera.

Takimi i radhës është paralajmëruar për datën 17 maj, ku si temë e re do të jetë çështja e trashëgimisë kulturore.

Lexoni edhe këtë:
Veriu - temë e paevitueshme
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG