Ndërlidhjet

Inzko: "Dridhjet" e fundit të Bosnjës


Valentin Inzko
Valentin Inzko
Përfaqësuesi i Lartë për Bosnjën dhe Hercegovinën, diplomati austriak, Valentin Inzko, do të prezantojë gjatë ditës së sotme raportin e tij të pestë para Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Inzko ka paralajmëruar në raportet e mëhershme se tendencat për ndarje të lidershipit të Republikës Serbe, një nga dy entitetet e Bosnjës dhe Hercegovinës, po e destabilizojnë situatën në përgjithësi në këtë shtet dhe po paralizojnë funksionimin e institucioneve shtetërore. Vendimi i kohëve të fundit i presidentit të entitetit të Republikës Serbe, Millorad Dodik, që të thërrasë një referendum për kompetencat e institucioneve gjyqësore të Bosnjës, është kritikuar nga Bashkimi Evropian dhe ka nxitur Inzkon që me shpejtësi të kërkojë anulimin e referendumit.


RADIO EVROPA E LIRË
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-mun, është takuar të dielën me presidentin e Komisionit Evropian, Zhose Manuel Baroso, për të diskutuar rreth Bosnjë e Hercegovinës. Cili është vlerësimi juaj për situatën atje?
VALENTIN INZKO
Ata kanë diskutuar krizën aktuale në Bosnjë e Hercegovinë. Një element i krizës është fakti që nuk ka qeveri të re në nivelin shtetëror për shtatë muaj.

Kriza tjetër është referendumi kanosës në Republikën Serbe, që është pjesë e Bosnjës, por referendumi ka të bëjë me kompetenca shtetërore.

Komuniteti ndërkombëtar konsideron se një pjesë e shtetit nuk mund të organizojë referendum për të gjithë shtetin, për kompetenca të shtetit, siç është Gjykata Shtetërore, Zyra e Prokurorisë Shtetërore...

Dhe, kjo është arsyeja pse komuniteti ndërkombëtar e ka treguar qëndrimin e tij se kurrë nuk do ta përkrahë këtë referendum.

RADIO EVROPA E LIRË
Cila është substanca e raportit tuaj në Këshillin e Sigurimit?

VALENTIN INZKO

Unë e paraqes raportin tim gjashtëmujor. Ky është i pesti për Këshillin e Sigurimit, ndërsa raporti për Bosnjën dhe Hercegovinën, në një formë, është si raport sizmologjik - nëse ka pasur dridhje të vogla.


Unë do të raportoj për dridhjet e vogla. Nëse ka dridhje të mëdha, atëherë unë do të raportoj për dridhjet e mëdha. Raporti është një refleksion i situatës aktuale.

RADIO EVROPA E LIRË
A keni ndonjë pritje për pozicionin e Rusisë ndaj raportit tuaj?
VALENTIN INZKO
Unë mendoj se ata do ta kritikojnë raportin tim, unë e pres këtë, por të shohim se çka do të kritikojnë konkretisht. Në çdo rast, unë pres një deklaratë kritike nga rusët.

Unë pres përkrahje nga të 14 anëtarët e Këshillit të Sigurimit, me përjashtim të Rusisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Millorad Dodik, presidenti i entitetit të Republikës Serbe, pretendon se qëllimi i tij për mbajtjen e referendumit për kompetencat e institucioneve shtetërore të gjyqësorit, është keqinterpretuar. A është kështu?
VALENTIN INZKO
Unë mendoj se nëse e krijoni një mister dhe nëse bëni bashkë dëshmitë e asaj që ka qenë duke bërë Banja Lluka, atëherë drejtimi që merr situata, bëhet shumë i qartë.

Nëse e merrni si shembull çështjen e pronësisë së shtetit në territorin e Republikës Serbe, nëse e merrni si shembull çështjen e vijës kufitare në mes entiteteve dhe nëse e trajtoni çështjen e Gjykatës së Shtetit dhe të Zyrës së Prokurorisë së Shtetit - atë që e po e vë në pikëpyetje Republika Serbe - atëherë ju e shihni se ekziston një politikë prapa kësaj.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse zoti Dodik nuk i përmbahet afatit shtatëditor që ia keni vënë ju për suspendimin e referendumit, a jeni i gatshëm që ju ta suspendoni atë?
VALENTIN INZKO
Komuniteti ndërkombëtar ka pasur shumë diskutime për këtë çështje, ndërsa konkludimet janë gjithmonë të njëjta - ne duhet ta suspendojmë dhe t’i shfuqizojmë këto konkludime. Jo ta suspendojmë zotin Dodik, por konkludimet rreth referendumit për Gjykatën e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe për Zyrën e Prokurorisë së Shtetit.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni që në këtë moment ka mundësi për një konflikt të armatosur në Bosnjë?

VALENTIN INZKO

Jo, nuk mendoj se ka mundësi. Mirëpo, disa njerëz po flasin për ndarjen paqësore të Bosnjës dhe Hercegovinës. Kjo çështje, unë besoj se është thjesht një dëshirë.


Ndarja, para së gjithash, nuk do të ndodhë. Së dyti, nëse ndodh, nuk do të jetë aq paqësore. E treta - që është edhe më e rëndësishmja - nëse një ndarje paqësore do të ishte e mundshme, ata do të mund ta bënin këtë në vitet 1991-92 apo në Dejton, në vitin 1995.

Komuniteti ndërkombëtar, por edhe shtetet fqinje, Kroacia dhe Serbia, ishin të mendimit se Bosnja duhet të ekzistojë në kufijtë e saj tradicionalë, që nuk kanë ndryshuar gjatë 200 vjetëve të fundit.

RADIO EVROPA E LIRË
A ka ndonjë mundësi që të rreshtohen liderët politikë në Bosnjë në atë mënyrë që të arrijnë një zgjidhje të pranueshme reciprokisht, që t’i formojnë institucionet shtetërore?

VALENTIN INZKO

Kjo do të ishte gjëja më e mirë. Kur thashë më herët se do t’i shfrytëzoj fuqitë e mia nga Boni për të suspenduar konkludimet e Republikës Serbe, kjo nuk do të ishte zgjedhja ime e parë, por vetëm e dyta.


Zgjedhja e parë do të ishte nëse Qeveria e Republikës Serbe dhe Parlamenti i saj e bëjnë këtë vetë, e jo ta marr unë atë vendim në vend të tyre.

Sa i përket qeverisë, ne e kemi të njëjtën filozofi - ne preferojmë që përfaqësuesit vendorë të tre popujve që e përbejnë shtetin, ta krijojnë qeverinë vetë, pa ndërhyrje ndërkombëtare.

RADIO EVROPA E LIRË
A është realiste të pritet të ndodhë kjo?
VALENTIN INZKO
Nuk mendoj se është shumë reale për momentin. Në anën tjetër, ne kemi gjithashtu një presion ekonomik; po priten edhe negociatat me Fondin Monetar Ndërkombëtar, më pas Bashkimi Evropian po e përkrah buxhetin e Bosnjës dhe Hercegovinës me 130-140 milionë euro...

Jam i sigurt se të gjithë në këtë shtet do të jenë të interesuar që t’i vazhdojnë këto negociata, me FMN-në, me Bashkimin Evropian - negociata që mund të mbahen vetëm në nivelin shtetëror, por jo në nivelin e entitetit.

RADIO EVROPA E LIRË
A ka qenë Beogradi i paanshëm në aspiratat e zotit Dodik?
VALENTIN INZKO
Beogradi ka qenë gjithmonë fer. Ata gjithmonë e kanë përkrahur integritetin e Bosnjës dhe Hercegovinës, sovranitetin territorial të Bosnjës dhe Hercegovinës, natyrisht duke e pasur në mendje integritetin territorial të tyre - ka logjikë prapa kësaj.

Kësaj radhe kam pasur mesazhe nga politikanë serbë, qytetarë serbë të Banja Llukës, se Parlamenti i Republikës Serbe ka shkuar shumë larg me këtë çështje, me këtë referendum për çështje shteti.

Natyrisht, askush nuk po e vë në pikëpyetje të drejtën e Republikës Serbe që të mbajë një referendum, njëjtë si në Zvicër - vend ky që ka referendume pothuajse çdo muaj. Mirëpo, referendumi duhet të jetë për kompetencat e tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Gjatë qëndrimit tuaj për dy vjet si Përfaqësues i Lartë i OKB-së për Bosnjën dhe Hercegovinën, a jeni kërcënuar apo frikësuar ndonjëherë?
VALENTIN INZKO
Shikoni, politikisht po, por jo në forma të tjera. Ka mjaft njerëz që nuk do të donin që kjo zyrë e Përfaqësuesit të Lartë të ekzistojë. Edhe unë jam në favor të mbylljes afatmesme apo afatgjate të kësaj zyre.

Mirëpo, natyrisht, shteti duhet të jetë funksional pak a shumë, jo vetëm 20% - pra shteti duhet të funksionojë fillimisht. Ideale për mua do të ishte që politikanët e Bosnjës dhe vetë shteti t’i zgjidhin problemet e veta në të ardhmen, në mënyrë institucionale, pa ndërhyrje të huaj. Kjo do të ishte më e mira. (a.h.)
XS
SM
MD
LG