Ndërlidhjet

Basha, Rama - në pritje të fitores


Lulzim Basha dhe Edi Rama
Lulzim Basha dhe Edi Rama

Procesi i numërimit të votave për zgjedhjet lokale në Shqipëri nuk ka përfunduar ende për të gjitha bashkitë.

Beteja më e ashpër po zhvillohet në Tiranë, ku dy kandidatët për kryetar bashkie, Edi Rama dhe Lulzim Basha, po avancojnë herë pas here me diferencë të lehtë votash.

Procesi i numërimit ka përfunduar në mbi 30 bashki të tjera, shumica nga të cilat janë fituar nga socialistët, përkatësisht nga Aleanca për të Ardhmen.

Zgjedhjet vendore, të zhvilluara të dielën, shihen si test i vendit për të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.


OSBE-ODIHR kritikon numërimin

OSBE-ODIHR ka publikuar raportin paraprak për zgjedhjet vendore të Shqipërisë. Vëzhguesit e huaj e konsideruan të qetë në përgjithësi ditën e zgjedhjeve, por nuk kursyen kritikat për procesin e numërimit të votave.

“Në kundërshtim me periudhën parazgjedhore, dita e zgjedhjeve në vetvete ishte një ditë përgjithësisht e qetë, por procedurat nuk u ndoqën në disa raste".

"Deri më tani, vëzhgimi në numërim po vijon mirë, me përjashtime. Numërimi po ecën në mënyrë të ngadaltë, ka pasur dhe ndërprerje në disa raste. Për këtë proces ne do të nxjerrim një deklaratë përfundimtare dhe kjo do të dalë pas 2 muajsh, ose 6 javësh”, bëri të ditur OSBE-ODIHR-i.

Sipas të njëjtit, në deklaratën përfundimtare do të trajtohen disa çështje dhe rekomandime se si të bëhen përmirësime në proceset e ardhshme zgjedhore.

Vëzhguesit e huaj vlerësuan se zgjedhjet vendore ishin konkurruese dhe transparente, por, sipas tyre, u organizuan në një ambient polarizimi tejet të lartë.

“Ashtu si në zgjedhjet e mëparshme, të dyja partitë kryesore nuk i kryen detyrat e tyre të përbashkëta, duke krijuar negativitet në administrim të procesit”, thuhet mes tjerash në raportin e OSBE-ODIHR-it.


Topi: Zgjedhjet vendore sipas standardeve

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, e vlerësoi procesin e zgjedhjeve vendore të 8 majit si të suksesshëm dhe sipas standardeve demokratike.

Topi tha se shteti shqiptar dhe qytetarët janë të ndërgjegjshëm për sfidat dhe detyrimet që i presin përpara, gjatë rrugëtimit integrues për në Bashkimin Evropian.

Deklarata e presidentit u bë gjatë takimit që zhvilloi sot me homologun e Turqisë, Abdullah Gyl, në Stamboll, ku po zhvillohen punimet e Konferencës së 4-t të Kombeve të Bashkuara mbi vendet më pak të zhvilluara.

Lexoni edhe këtë:
Tiranë: Politikanët kërkojnë respektim të votës
XS
SM
MD
LG