Ndërlidhjet

Shoqëria civile, zhvillimi dhe problemet me të cilat ajo ballafaqohet në Kosovë, kanë qenë në fokus të raportit analitik të Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile, i cili është publikuar sot.

Në këtë raport thuhet se Kosova është një vend mesatarisht i favorshëm për zhvillimin e shoqërisë civile.

Taulant Hoxha, koordinator i Programit të Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile, tha se analiza është koncentruar në disa specifika.

Ai veçoi çështjen e angazhimit të qytetarëve, qoftë brenda shoqërisë civile, qoftë në jetën publike në përgjithësi, ndikimin e shoqërisë civile si dhe ambientin në të cilin funksionon.
Ndikimi i shoqërisë civile duket të jetë i ulët, sidomos në çështjet kryesore që brengosin qytetarët kosovarë: zhvillimi ekonomik dhe sundimi i ligjit.

“Ndikimi i shoqërisë civile duket të jetë i ulët, sidomos në çështjet kryesore që brengosin qytetarët kosovarë: zhvillimi ekonomik dhe sundimi i ligjit. Nuk kemi arritur që t’iu përgjigjemi sa duhet nevojave për këto fusha”.

“Sa u përket çështjeve shoqërore, shoqëria civile ka qenë mjaft aktive dhe me mjaft ndikim. Ndërsa, ambienti i jashtëm, ai i cili na rrethon, na ndihmon ose na kufizon në punën tonë, nuk është më i miri”,
deklaroi Hoxha.

Ai tha se rekomandimet që dalin nga raporti analitik i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile i adresohen edhe shoqërisë civile, edhe institucioneve qeveritare.

Aq sa do të jenë qytetarët aktivë për interesat e tyre, aq do ta kemi edhe shoqërinë civile të zhvilluar. Për ta zhvilluar shoqërinë civile, duhet krijuar ambient i favorshëm. Qeveria duhet ta favorizojë hapësirën për shoqëri civile, jo vetëm atë financiare - edhe pse u përmend shumë - mirëpo hapësirën e shprehjes, të veprimit, hapësirën institucionale për këta qytetarë”.

“Mbetet në shoqërinë civile që së pari t’i zbatojë brenda vetes parimet e qeverisjes së mirë, të transparencës, llogaridhënies dhe paralelisht me këtë, të kërkojë edhe nga palët tjera që të jenë të tilla”,
u shpreh Hoxha.

Zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Kosovës, Mimoza Kusari Lila, tha se raporti dhe analiza e Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile janë një instrument dhe studim i mirë, mbi të cilin do të bazohet Qeveria gjatë proceseve vendimmarrëse, të cilat janë të rëndësishme për vetë Qeverinë, por edhe për shoqërinë civile.

Qeveria e Kosovës
“Përmes punës që është bërë, është treguar ajo, në të cilën edhe unë personalisht besoj fundamentalisht, që për një Kosovë të ardhme, për një Kosovë të fuqishme dhe dinamike, neve na duhet një shoqëri civile e fuqishme dhe dinamike”.

“Nga studimi juaj, po ashtu kam kuptuar se neve na duhet një fillim i ri, më shumë dialog në mes të Qeverisë dhe shoqërisë civile, të dëgjojmë më shumë njëri-tjetrin dhe të bashkëpunojmë më shumë, për t’i adresuar sfidat që domosdoshmërisht janë të përbashkëta”,
tha Kusari Lila.

Edhe Dukagjin Popovci, nga Qendra për Arsim e Kosovës, e vlerësoi raportin e Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile:

“Jam i bindur se do të jetë një shtytës për zhvillimin e mëtutjeshëm të shoqërisë civile dhe për demokratizimin e përgjithshëm të shoqërisë në Kosovë”, tha ai.

Ndërkaq, publicisti Agron Bajrami, nja prej panelistëve që morën pjesë në diskutimin lidhur me raportin e Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile, tha se ky raport ka identifikuar mirë problemet, me të cilat ballafaqohet shoqëria civile.

“U vërejtën edhe pengesat, edhe problemet që shfaqen, për shkak të mënyrës se si institucionet e Kosovës, Qeveria, Parlamenti dhe të tjerat nuk e krijojnë hapësirën e duhur ligjore dhe shtytjen e duhur, në mënyrë që shoqëria civile ta përmbushë rolin e vet”.

“Pra, kemi një skanim, të them ashtu, të gjendjes, i cili na jep një pasqyrë shumë të mirë për problemet, përmasat e tyre... Por, kemi edhe rekomandimet se si mund të tejkalohen ato probleme, në mënyrë që shoqëria civile të kryejë funksionin e saj”,
theksoi Bajrami.

Indeksi i Shoqërisë Civile është një projekt i bazuar në veprim, i cili ka për qëllim të vlerësojë gjendjen e shoqërisë civile në vendet gjithandej botës. Kosova për herë të parë ka ndërmarrë këtë hulumtim, bashkë me 50 vende nga mbarë bota.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG