Ndërlidhjet

logo-print

FT: Në mbrojtje të Dejtonit


Nënshkrimi i Marrëveshjes së Dejtonit. Nëntor, 1995.

Nënshkrimi i Marrëveshjes së Dejtonit. Nëntor, 1995.

"Financial Times"

Udhëheqësit botërorë janë të zënë me trazirat në botën arabe, me pasojat e vrasjes së bin Ladenit, katastrofën bërthamore në Japoni apo krizën buxhetore në Evropë.

Në këto kushte është e kuptueshme që ata nuk pranojnë të merren me një vrimë të zezë si Bosnja. Neglizhimi i Bosnjës padyshim që do të jetë një gabim i pafalshëm.

Valentin Inzko, diplomati austriak, që përfaqëson bashkësinë ndërkombëtare në Bosnjë, me të drejtë thotë se vendi po përballet me krizën më të keqe që nga viti 1995, kur u arrit Marrëveshja e Dejtonit.

Ndonëse fillimi i dhunës nuk ka gjasa të ndodhë në një kohë të shkurtër, të gjitha elementet ekzistojnë për një konflikt në të ardhmen. Bota nuk e ka luksin të shohë nga larg pa bërë asgjë.

Problemi më urgjent ka të bëjë me planet për referendum në Republikën Serbe të Bosnjës, ku në pyetje është njohja apo jo e sistemit federal të drejtësisë nga entiteti serb.

Millorad Dodik, presidenti i entitetit të Republikës Serbe.
Nëse mbahet referendumi, votuesit serbë të Bosnjës, të nxitur nga udhëheqësit e tyre, do të hedhin poshtë çdo nocion të bashkekzistencës me boshnjakët e kroatët. Me Kushtetutë, rezultati i referendumit nuk është detyrues.

Por, nëse referendumi pasohet me miratimin e ligjit që anulon pushtetin e sistemit federal të drejtësisë në Republikën Serbe, atëherë kjo do të ishte kalimi i vijës së kuqe.

Ka shumë mundësi që serbët e Bosnjës, mjeshtër në lojën me zjarrin me bashkësinë ndërkombëtare, të mos shkojnë kaq larg e kaq shpejt.

Strategjia e tyre synon zhvlerësimin vit pas viti të Marrëveshjes së Dejtonit, në mënyrë që bota të humbasë interesimin dhe durimin, derisa të arrijë në pikën ku ta lejojë Republikën Serbe të shkëputet.

Ky është kurthi në të cilin bota nuk duhet të bjerë, pasi në fund kjo do të çojë në ringjalljen e konflikteve etnike.

Në këto kushte, Shtetet e Bashkuara, BE-ja, Rusia dhe fqinjët e Bosnjës pa rezerva duhet të deklarohen në mbështetje të Dejtonit dhe të integritetit territorial të Bosnjës.

Duhet t’iu bëhet e qartë serbëve të Bosnjës se çdo hap drejt shkëputjes, do të rezultojë në izolim të menjëhershëm diplomatik. Boshnjakëve e kroatëve duhet t’iu kujtohen detyrat e tyre - mes të cilave, të punojnë në mënyrë konstruktive së bashku me gjysmën e Bosnjës.

Në këtë rrugë, drejtimin duhet ta marrë BE-ja. Reagimi evropian në luftërat në ish-Jugosllavi në vitet ’90 ishte i zbehtë. Tani, më shumë se kurrë, është e nevojshme që Evropa të dëshmojë se mund t’i zgjidhë problemet në oborrin e vet. (i.b.)
XS
SM
MD
LG