Ndërlidhjet

Stefanoviqi takon kosovarët pa ndërmjetësues


Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës

Shefi i delegacionit të Serbisë në bisedimet me Kosovën, Borko Stefanoviq, do të qëndrojë të enjten në Prishtinë, ku do të pritet nga zyrtarë të Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësues të serbëve lokalë. Kjo do të jetë hera e parë që një zyrtar i Qeverisë së Serbisë do të pritet edhe nga përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës. Ndërsa, opozita refuzon të realizojë takime me përfaqësuesin serb.


Qeveria e Kosovës ka konfirmuar lejimin e vizitës së shefit të delegacionit të Beogradit në bisedimet me Prishtinën, Borko Stefanoviq. Gjatë kësaj vizite, për herë të parë një zyrtar i Qeverisë së Serbisë mund të pritet nga ata të Qeverisë së Kosovës.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi dhe shefja e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, po ashtu zëvendëskryeministre, besohet se do ta takojnë zyrtarin serb.

“Është menduar të ketë takime me Qeverinë, por edhe opozitën”
, ka deklaruar zëvendëskryeministri Kuçi, duke konfirmuar se Stefanoviq ka kërkuar leje për këtë vizitë dhe Qeveria e Kosovës ia ka mundësuar atë.

Përveç lejes për vizitën, Kuçi megjithatë nuk ka konfirmuar përfundimisht se kush do ta presë zyrtarin serb në Prishtinë.

“Do ta shoh nivelin e kërkesës, mënyrës se si e ka bërë; kemi pasur orientim pozitiv për një gjë të tillë, por do të shohim se si do të shkojnë procedurat tutje”
, ka thënë Kuçi.

Ndërsa në Qeveri, Stefanoviq megjithatë besohet se të paktën do të realizojë takime me delegacionin e Kosovës në bisedime, në Kuvend nuk ka ndonjë gatishmëri për ta takuar përfaqësuesin serb.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka thënë se Stefanoviqi nuk paraqet një nivel politik që të takohet me të dhe ai beson se takimet do të realizohen me delegacionin e Kosovës në bisedime me Beogradin.

“Vizitën e kryenegociatorit serb e shohim si vazhdim të dialogut që po zhvillohet në Bruksel, një vazhdim ndoshta paksa më i zbehtë, por vazhdim i atij dialogu edhe në Kosovë. Realisht nuk është niveli që të pritet nga kryetari i Kuvendit një zyrtar i administratës serbe, sigurisht ai do të pritet nga administratorët dhe bashkëdialoguesja e tij në Bruksel, pra do të pritet edhe në Prishtinë”, ka theksuar Krasniqi.

Përderisa Stefanoviqi thuhet se ka shprehur dëshirën që t’i takojë partitë opozitare në Prishtinë, këta të fundit kanë thënë se nuk shohin ndonjë arsye dhe refuzojnë takime me zyrtarin serb.

Lëvizja Vetëvendosje e ka cilësuar këtë si një vizitë që ofendon qytetarët e Kosovës.

Shpend Ahmeti nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se ky është një kompromis i Qeverisë Thaçi që bëhet në dëm të interesave të Kosovës, marrë parasysh qëndrimet e Serbisë ndaj shtetit të Kosovës.

Po ashtu, edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk ka shprehur ndonjë vullnet politik që ta presë Stefanoviqin. Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini, është shprehur se ia sheh për të madhe Qeverisë se si e pret në një nivel kaq të lartë një përfaqësues të administratës së Serbisë.

“Jo nuk kemi vullnet. Nuk jemi të gatshëm që të takohemi me nivel të administratës të Qeverisë së Serbisë dhe mendojmë se janë duke gabuar rëndë edhe zëvendëskryeministrat e Kosovës që po e përfaqësojnë në mënyrë kaq të padenjë sovranitetin e Kosovës duke u takuar me njerëz shumë nën nivelin e tyre. Nëse një vizitë e tillë ndodh dhe pritet nga nivelet më të larta të Qeverisë së Kosovës, atëherë Kosova realisht po fyhet”,
është shprehur Gjini.

Sidoqoftë, vizita e Stefanoviqit shihet edhe si vazhdimësi e bisedimeve Prishtinë - Beograd, por tani pa ndërmjetësues, pasi që takimi mbahet në Prishtinë dhe jo në Bruksel.


Tadiq: Vizita përmirëson atmosferën


Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, tha se vizita e shefit të ekipit negociator serb, Borko Stefanoviq, në Kosovë, mund t’i kontribuojë përmirësimit të atmosferës në dialogun Prishtinë-Beograd.

Boris Tadiq
“Është mirë që Stefanoviq shkon në Prishtinë, t’iu sqarojë institucioneve të Prishtinës se cilat janë qëllimet e Republikës së Serbisë, të përpiqemi të gjejmë disa qëllime të përbashkëta në tërë procesin e dialogut, i cili nuk është aspak i lehtë”, tha Tadiq, pas takimit me kryeprokurorin e Tribunalit të Hagës, Serzh Bramerc.

Presidenti serb theksoi se Serbisë “i nevojitet progres në temat e caktuara” të bisedimeve dhe vlerësoi se vizita e nesërme e Stefanoviqit në Prishtinë “mund t’i kontribuojë atmosferës më të mirë”.

Tadiq tha se “është mirë që ndërmjet institucioneve shqiptare në Kosovë dhe shtetit të Serbisë të iniciohet një lloj i dialogut, i cili nuk nënkupton se Serbia e njeh pavarësinë e Kosovës”, por mundëson të zgjidhen problemet e njerëzve në Kosovë.

Jeta e tyre nuk mund të bllokohet”, tha Tadiq, duke shtuar se Serbia nuk do të heqë dorë nga politika e ruajtjes së integritetit të saj dhe me asnjë çmim nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Tadiq shprehu dëshirën që kapitulli në dialogun Prishtinë-Beograd të mbyllet shumë para tetorit, e edhe para dhjetorit, kur mund të pritet data për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.

“Ky është interesi ynë”, theksoi presidenti serb.

Gënjehen shumë të gjithë ata që mendojnë se Serbia është e gatshme t’i kapërcejë të ashtuquajturat ‘vija të kuqe’ për statusin e vendit kandidat dhe për të marrë datën e bisedimeve për anëtarësim në BE”, tha Tadiq.

Ne duam të zgjidhim konfliktin që ekziston në hapësirat e Evropës juglindore. Ne nuk duam të sjellim konflikte të reja në BE, por njëkohësisht nuk mund të shantazhohemi me asgjë kur është fjala për mbrojtjen e interesave tona legjitime kombëtare”, tha Tadiq. (v.p.)
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG