Ndërlidhjet

Xhentilini: Kosova t’i afrohet BE-së


Përfaqësuesi i përkohshëm i BE-së në Kosovë, Fernando Xhentilini, dhe kryeministri Hashim Thaçi gjatë konferencës me gazetarë, Prishtinë 12 maj 2011.

Përfaqësuesi i përkohshëm i BE-së në Kosovë, Fernando Xhentilini, dhe kryeministri Hashim Thaçi gjatë konferencës me gazetarë, Prishtinë 12 maj 2011.

Përfaqësuesi i përkohshëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, Fernando Xhentilini, tha se planifikon që brenda mandatit të tij tremujor ta përgatisë Kosovën për një rol më të fuqishëm të Bashkimit Evropian në terren, në përputhje me Traktatin e Lisbonës.

Në konferencën e parë për media, të cilën diplomati italian e mbajti pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, la të kuptohet se pjesë e këtij plani do të jetë shkrirja e zyrës së përfaqësuesit special të BE-së dhe asaj të Komisionit Evropian, në një institucion të vetëm.
Fernando Xhentilini

“Detyra ime kryesore në këtë drejtim është të bëj përgatitjet për një prani më të fuqishme të BE-së në terren. Ka komponentë të ndryshëm në familjen evropiane dhe detyra ime kryesore do të jetë bashkimi i njerëzve të Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian dhe atyre që punojnë në kuadër të delegacionit të Komisionit Evropian”
, tha Xhentilini, duke shtuar se “për shkak të perspektivës evropiane të Kosovës, ne jemi duke investuar shumë në Kosovë; EULEX-i, zyra e BE-së dhe EUSR-i janë të gjitha pjesë e një familjeje".

“Mendoj se të gjithë jemi duke punuar në të njëjtin drejtim; do të bashkëpunojmë me institucionet e Kosovës dhe kemi qëllimin e njëjtë. Ky qëllim është që Kosova t’i afrohet BE-së”,
u shpreh diplomati italian.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në takimin me Fernando Xhentilini, tha se Kosova do të bashkëpunojnë ngushtë me BE-në, për një të ardhme demokratike multi-etnike dhe evropiane.
Hashim Thaçi

“Në këtë drejtim, mund të them lirisht se Kosova është në rrugë të sigurt. Ka marrë përgjegjësitë e veta, është duke i implementuar dhe prania e zotit Xhentilini do të jetë ndihmuese dhe në raportet e forcimit të marrëdhënieve të Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë shumë ngushtë, të gjithë sektorët e Qeverisë së Kosovës, me autoritetet evropiane”, theksoi Thaçi.

Thaçi deklaroi, po ashtu, se Xhentilini është një mik i kosovarëve.

“Është një rikthim i tij në Kosovë, sepse ka punuar edhe më herët në Kosovë, pra i dëshiroj mirëseardhje në Republikën e Kosovës” ,
deklaroi Thaçi.

Edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, u takua me Përfaqësuesin e përkohshëm të Bashkimit Evropian, Fernando Xhentilini.

Përmes një komunikate për media, Presidenca njoftoi se Xhentilini e ka përgëzuar presidenten për zgjedhjen e saj dhe ka theksuar se Kosova, sikurse rajoni, do ta gëzojnë përkrahjen e BE-së për të ardhmen evropiane.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG