Ndërlidhjet

Vizita e Stefanoviqit në Kosovë është një vendim, të cilin e ka marrë Qeveria, thotë për Radion Evropa e Lirë Ilir Deda, këshilltari kryesor i presidentes Jahjaga, njëherësh përfaqësues i presidencës në dialogun me Serbinë.




RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Deda, jeni emëruar nga presidentja si përfaqësues në dialogun me Serbinë, për të cilin ju më herët keni pasur kritika. Pas tri raundeve të bisedimeve, si e vlerësoni këtë dialog?
ILIR DEDA
Faktikisht mua më është dhënë një detyrë shtesë, që përpos funksionit të këshilltarit të parë dhe shefit të stafit, të jem përfaqësues i presidentes në këtë ekip, i cili udhëhiqet nga zëvendëskryeministrja Edita Tahiri.

Ne do të informohemi nesër për atë se çka ka ndodhur në Bruksel deri sot dhe çka na pret në raundin e ardhshëm, i cili është në javën e ardhshme.

Dua t’ju përkujtoj se ndoshta ekziston edhe një simbolikë - ju e dini se presidentja e Kosovës e ka çështjen e të pagjeturve lart në agjendë të saj dhe i bie që përfaqësuesi i saj të shkojë mu në atë raund të bisedimeve, ku do të diskutohet për këtë çështje jashtëzakonisht të dhimbshme.

Sa u përket qëndrimeve të mia karshi këtij dialogu, unë kam qenë kundër hyrjes në një proces në ato momente kur nuk i ka konvenuar Kosovës.

Por, duke marrë parasysh se presidentja është zgjedhur në prill e dialogu ka filluar shumë më herët, është e qartë se është një proces të cilin Kosova nuk mundur ta ndërpresë.

Dhe presidentja, në bazë të kompetencave të saj kushtetuese dhe ligjeve, më ka emëruar mua që ta përfaqësoj në këtë ekip, në bazë të kompetencave që i ka.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju keni thënë më herët se nuk është momenti i duhur për të hyrë në bisedime. Ndërkohë, Borko Stefanoviq po viziton Kosovën. Ishte momenti i duhur për këtë vizitë?

ILIR DEDA

Është e hershme vizita e zotit Stefanoviq në Kosovë, me një nguti. Ky është një vendim, të cilin e ka marrë Qeveria dhe duhet të bisedoni më shumë me ata që e kanë marrë këtë vendim - pse e kanë marrë në këtë moment?!


Ju e keni parë që edhe zonja Tahiri nuk ka qenë shumë e entuziazmuar për këtë vizitë dhe unë vetëm mund të përfundoj se ka qenë shumë e hershme vizita e zotit Stefanoviq.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur jemi të vizita e Stefanoviqit – ai, para se të vinte në Kosovë, ka thënë se duhet folur edhe për veriun e Kosovës. Ç’mendim keni?
ILIR DEDA
Qëndrimi i presidentes është shumë i qartë. Bisedohet për çështje ndërmjet dy shteteve. Nuk bisedohet për çështje të brendshme.

Në të njëjtën kohë, nëse ne themi se jemi për zgjidhje evropiane, atëherë kemi një keqkuptim. Ekziston keqkuptimi ndërmjet neve dhe Beogradit se çka është zgjidhje evropiane.

Me siguri se zgjidhje evropiane nuk është ndarja në baza etnike dhe kërkimi i modaliteteve të tilla. Ato janë modele të shekullit XIX dhe janë recidiv i një ideologjie që ka mbizotëruar në Serbi dhe i ka sjellë të gjitha luftërat në Ballkan.

Kështu që, nëse duam të ecim drejt BE-së, duhet t’i përqafojmë në mënyrë të denjë ato vlera të BE-së, e jo të kemi retorikë evropiane e hapa anti-evropianë. Edhe një herë e përsëris - asnjë zgjidhje joevropiane nuk do të pranohet dhe nuk do të jemi pjesë e diskutimeve për veriun e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju po thoni se ka keqkuptime në mes të koncepteve. Atëherë, ku çojnë këto bisedime, nëse vazhdohet me qëndrime të njëjta të Beogradit?
ILIR DEDA
Unë nuk kam marrë pjesë në këtë proces ende. Jam emëruar dje. Është në interesin tonë që të kemi zgjidhje në bazë të Aqui Comunitetit, sepse zbatimi i Aqui Comunitaire në Kosovë na ofron më afër BE-së.

Ilir Deda
E, ato standarde evropiane janë aq të qarta dhe janë bazë e marrëdhënieve ndërmjet vetë BE-së. Çdo shtet, i cili dëshiron të anëtarësohet në BE, duhet t’i përmbushë këto standarde.

Kjo është ajo ku ne e shohim mundësinë që Kosova të përparojë në reforma të brendshme, të cilat do të zbatohen edhe në përputhje me fqinjët tanë, sepse zgjidhjet karshi Aqui Comunitaire nuk do të bëhen vetëm me Serbinë, por edhe me Shqipërinë, Maqedoninë e Malin e zi dhe çdo shtet tjetër.


RADIO EVROPA E LIRË
Folët për standardet e Bashkimit Evropian. Ministrja e Integrimeve, Vlora Çitaku, ka thënë se BE-ja po zbaton standarde të dyfishta karshi Kosovës. Mendoni se ka standarde të dyfishta?
ILIR DEDA
Ekziston paqartësia e rrugës së Kosovës drejt BE-së. Kjo është shumë brengosëse për ne, sepse edhe ne duam ta kemi trajtimin e njëjtë si shtetet e tjera të rajonit karshi të Kosovës.

Të përkujtojmë se është mu qëllimi i anëtarësimit në BE ai që e ka pacifikuar rajonin dhe që ka sjellë deri te transformime të mëdha të shoqërive dhe shteteve - më herët në Evropën Lindore, e tash edhe në Ballkan.

Ne nuk mund të jemi të vetmit që nuk e kanë të qartë këtë agjendë. Bashkimi Evropian, disa herë radhazi, e së fundmi në shtatorin e vitit të kaluar, e ka marrë për obligim përafrimin e Kosovës në BE.

Nëse e lexoni rezolutën e BE-së, e cila ka kaluar në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, shihet se ata zotohen se edhe procesi i dialogut është në funksion të përafrimit të dy vendeve – Serbisë dhe Kosovës – drejt BE-së.

Këtë qëndrim e ka bërë të ditur edhe presidentja, e cila ka thënë se nuk mund të ketë debalancë në përafrim, por të dyja vendet të përfitojnë në mënyrë stimultane në rrugën drejt BE-së, e jo një vend të ecë përpara e tjetri të mbetet askund.

RADIO EVROPA E LIRË
Në Kosovë ka zhvilluar takimet e para përfaqësuesi kalimtar i Bashkimit Evropian, zoti Xhentilini. Ju edhe ndaj BE-së keni pasur më herët një qëndrimi kritik. A shihni ndonjë ndryshim të qasjes së BE-së ndaj Kosovës?
ILIR DEDA
Edhe opinioni publik është i njoftuar për një proces në Bruksel, ku shtetet anëtare të BE-së janë duke diskutuar se si t’i qasen Kosovës, në mënyrë që të dalim nga kjo situatë, në të cilën jemi.

Presidentja, gjatë gjithë kohës, kërkon marrëdhëniet kontraktuale në mes të BE-së dhe Kosovës, si dhe fillimin e dialogut për liberalizim të vizave. Kjo në radhë të parë do të na ndihmojë neve.

Kosova nuk mund të jetë vendi më i izoluar në Ballkan, në dekadën e dytë të shekullit XXI. Nëse ne jemi për zgjidhje evropiane, si shtet e kemi të qartë se duam të jemi pjesë e BE-së, e kemi të qartë që i përkasim një familjeje evropiane, atëherë me padurim e presim lëvizjen e BE-së konform kërkesave tona.

Kosova duhet të trajtohet e barabartë me të gjithë në rajon dhe t’i ketë mundësitë e njëjta si shtetet e tjera të rajonit karshi integrimeve evropiane.

RADIO EVROPA E LIRË
Javët e fundit, janë shënuar përplasjet e para në mes të institucioneve të Kosovës dhe EULEX-it. Si e shihni këtë situatë?
ILIR DEDA
EULEX-i e ka një mandat të qartë dhe një mision të qartë. Suksesi i EULEX-it në Kosovë varet prej zbatimit të këtij mandati. Të gjithë në Kosovë duan që, në bashkëpunim me EULEX-in, ky mision ta përfundojë mandatin me sukses. Por, mandati nuk përfundohet me sukses nëse ai nuk zbatohet.

Ky është një qëndrim që është shprehur qartë – pra, ne duam që misioni më i madh i BE-së për siguri të jetë i suksesshëm duke zbatuar mandatin e vet.

Në të njëjtën kohë, mund t’ju them se është edhe qëndrim i presidentes Jahjaga që të ketë një konsolidim të pranisë së BE-së në Kosovë. Pra, ne duam që në gjysmën e dytë të këtij viti të shohim konsolidimin e BE-së në Kosovë, e jo të kemi disa misione të BE-së, të cilat nuk janë të koordinuara njëra me tjetrën.

Domethënë, është shumë e rëndësishme edhe për neve që të kemi një partner të Bashkimit Evropian dhe shpresojmë se shumë shpejt do të mbërrijmë deri te kjo pikë.

RADIO EVROPA E LIRË
Do të thotë një ridefinim i raporteve me komunitetin ndërkombëtar, përkatësisht Bashkimin Evropian?
ILIR DEDA
Janë çështje të brendshme të BE-së, të cilat kanë të bëjnë me konsolidimin e prezencave të saj në Kosovë, me Marrëveshjen e Lisbonës, e cila duhet të zbatohet edhe në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë është duke u bërë me konsolidimin e diplomacisë kosovare? Dihet se presidentja, sipas Kushtetutës, ka fjalën e fundit në çështjen e politikës së jashtme. Mirëpo, ka zëra se kompetencat për këtë fushë janë shpërndarë, edhe me emërimin e zëvendëskryeministrit të parë për t’u marrë me këtë çështje. A ka një konsolidim dhe a do të zbatohet strategjia për lobim, me të cilën kanë dalë më herët presidentja dhe ministri i Punëve të Jashtme?
ILIR DEDA
Sa i përket çështjes së politikës së jashtme, të gjitha janë të qarta me Kushtetutë dhe Kushtetuta duhet të respektohet. Presidentja – e ka thënë edhe publikisht disa herë – është për një politikë të jashtme më energjike, më pro-aktive, më dinamike, e cila do të çojë jo vetëm në shtim të njohjeve të reja, por edhe do të përfaqësojë Kosovën karshi partnerëve tanë.

Presidentja e ka thënë qartë se kjo është vija e njëjtë edhe nga ministri i Punëve të Jashtme, zoti Hoxhaj. Kështu që koordinimi i parë ndodh mes presidentes e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Duke marrë parasysh se presidentja është presidente konsensuale, për iniciativa të politikës së jashtme apo edhe të tjera do të diskutohet me përfaqësues të të gjitha partive politike në Kuvend dhe me pjesëtarë të shoqërisë civile.

RADIO EVROPA E LIRË
A po respektohet kjo vijë vertikale?
ILIR DEDA
Deri sot nuk kemi pasur probleme. Domethënë, ka pasur respektim të kësaj vije.
XS
SM
MD
LG