Ndërlidhjet

AI: Diskriminim i pakicave


Amnesty International
Amnesty International
Amnesty International, në raportin vjetor për të drejtat e njeriut në botë, ka vënë në pah se sistemi i dobët i drejtësisë dhe mungesa e zbatimit të ligjeve shpesh po çojnë në shkeljen e të drejtave të njeriut në Kosovë.

Raporti pasqyron gjendjen politike, që nga dorëheqja e presidentit Sejdiu në vitin e kaluar, pastaj rënien e Qeverisë dhe zgjedhjet, për të cilat thekson se kishin mangësi, si dhe përmend raportin e Këshillit të Evropës, i cili pretendon përfshirjen e kryeministrit Hashim Thaçi dhe të pjesëtarëve të tjerë të UÇK-së në tregtinë me organe njerëzore.

Amnesty International citon raportet e BE-së, se sistemi vendor i drejtësisë mbetet i dobët dhe është subjekt i ndërhyrjeve politike. Grupi thotë se pakicat, në veçanti komuniteti rom, ashkali dhe egjiptas, ende po përballen me diskriminim në arsim, kujdes shëndetësor dhe banim.


* * *

Në shtator, presidenti Sejdiu dha dorëheqje, pasi që Gjykata Kushtetuese vendosi se udhëheqja e Lidhjes Demokratike të Kosovës nga ana e tij, nuk ishte në përputhje me mbajtjen e Zyrës publike.

Në tetor, Qeveria ra pas një mocioni mosbesimi në Kuvend. Në dhjetor, Partia Demokratike e Kosovës fitoi zgjedhjet parlamentare, të cilat u përcollën me pretendimet për manipulime, e të cilat rezultuan me një shumicë joefikase për të formuar Qeverinë.

Në nëntor, Komisioni Evropian shprehu shqetësimin për korrupsionin dhe krimin e organizuar, drejtësinë e dobët të Kosovës dhe mungesën e lirisë së mediave.

Në dhjetor, një raport i Këshillit të Evropës pretendonte se kryeministri Hashim Thaçi dhe pjesëtarët e tjerë të UÇK-së ishin të përfshirë në rrëmbim, torturim dhe keqtrajtime të tjera, si dhe në vrasjen e civilëve serbë dhe shqiptarë, të cilët ishin transferuar në kampe burgu në Shqipëri, në vitin 1999.

Në një nga këto kampe, pretendohet se të burgosurit janë vrarë dhe u janë nxjerrë organet për trafikim.

Misioni i BE-së për drejtësi dhe polici raportoi se sistemi vendor i drejtësisë mbetet i dobët dhe se është subjekt i ndërhyrjeve politike. Gjykatësit dhe dëshmitarët pranojnë kërcënime, ndërsa mekanizmat mbrojtës shumë rrallë janë vënë në funksion.

Arrestimi i Kurtit në qershor, 2010.
EULEX-i rifilloi procedurat gjyqësore ndaj liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, të cilat ishin lënë në gjysmë nga UNMIK-u, në vitin 2008.

Ai u dënua në qershor për shkak se kishte penguar zyrtarët në kryerjen e detyrave gjatë një demonstrate më 10 shkurt të 2007-ës. Kurti u dënua me 9 muaj burg, por u lirua menjëherë. Akuzat tjera u hodhën poshtë.

Në maj, EULEX-i njoftoi se vetëm 60 nga 900 raste të krimeve të luftës që i kishte trashëguar nga UNMIK-u, po hetoheshin.

Hetimet për rrëmbimin e joshqiptarëve në qershor të 1999-ës u transferuan te Prokuroria Speciale vendore, mbi bazë të asaj që EULEX-i nuk i konsideroi krime lufte.

Arrestime tjera u bënë në janar dhe qershor, bazuar në dëshminë e Nazim Bllacës, i cili u arrestua në vitin 2009.

Ai pretendoi se në periudhën 1999 - 2003 ka marrë pjesë në 17 raste të vrasjeve dhe tentim-vrasjeve, të urdhëruara nga Shërbimi Informativ i Kosovës.

Në maj, ish-komandanti i UÇK-së, Sabit Geci, u arrestua nën dyshimet për përfshirje në krime të luftës, të kryera në vitin 1999 në Drenicë. Sipas raporteve të mediave, ai thuhej se ishte përfshirë në torturimin e shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës, në një objekt burgu në Kukës të Shqipërisë.

Pas ekstradimit nga Norvegjia në muajin korrik, serbi i Kosovës, Vuksimir Cvetkoviq, u dënua për krime lufte nga Gjykata e Pejës në muajin nëntor. Ai u dënua me 7 vjet burg, për shkak se kishte dëbuar shqiptarët nga shtëpitë e tyre në Klinë.


Të zhdukurit

Një projektligj për persona të zhdukur dështoi të përfshijë provizione për reparacion, përfshirë edhe kompensimin për të afërmit e të zhdukurve.

Fotografitë e personave të zhdukur, të vendosura në rrethojat e Kuvendit të Kosovës.
Rreth 1,822 njerëz konsideroheshin të zhdukur deri në fund të vitit. Zyra për Persona të Zhdukur dhe Mjekësi Ligjore (OMPF) u transferua nga EULEX-i te Ministria e Drejtësisë në muajin gusht.

Në shtator, OMPF dhe Komisioni serb për Personat e Zhdukur vizituan varre të mundshme masive në Rudnicë të Serbisë dhe në Bellaqevc të Kosovës.

Gjatë vitit 2010, OMPF ekshumoi trupat e 34 individëve, identifikoi 57 mbetje mortore dhe ktheu 130 trupa te familjet për varrim.


Diku tre trupa të identifikuar gabim u gjetën nga Komisioni për Personat e Zhdukur.


Torturat dhe keqtrajtimi

Komiteti Evropian për Pengimin e Torturës i vizitoi disa qendra paraburgimi në Kosovë në muajin qershor.

Në të njëjtin muaj, disa aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje u keqtrajtuan dhe u hospitalizuan gjatë një operacioni për të arrestuar Albin Kurtin.

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës raportoi disa përmirësime në kushtet e burgut, por vuri në pah deklaratat e të burgosurve se korrupsioni në mesin e personelit të burgut, shumë shpesh çon në masa disiplinore jokorrekte.


Dhuna Ndëretnike

Incidentet e dhunshme mes serbëve të Kosovës dhe shqiptarëve vazhduan në komunat me shumicë serbe në veri, shpesh të nxitura nga zhvillimet politike.

Romët, ashkalinjtë dhe egjiptasit u kthyen me forcë në Kosovë nga Bashkimi Evropian dhe Zvicra, edhe pse strategia për riintegrim e Ministrisë së Brendshme, e publikuar në prill, ende nuk zbatohej plotësisht.

Shumë nga të kthyerve iu mohuan të drejtat bazike dhe ishin në rrezik të diskriminimit e përndjekjes. Ata pa dokumente, në fakt ishin edhe pa shtet.
48 shqiptarë të Kosovës, 77 serbë dhe 368 nga komuniteti rom, ashkali, egjiptas u kthyen me forcë nga Perëndimi.

Në tetor, romët që donin të ktheheshin në Suhadoll, u raportua se ishin kërcënuar nga shqiptarët dhe refuzuan të ktheheshin për shkak të sigurisë.

Sipas UNHCR-së, 2,253 persona nga minoritetet u kthyen në Kosovë në vitin 2010; 48 shqiptarë të Kosovës, 77 serbë dhe 368 nga komuniteti rom, ashkali, egjiptas - që konsiderohej se iu nevojitej mbrojtja ndërkombëtare - u kthyen me forcë nga Perëndimi.


Dhuna kundër grave

Urdhrat për mbrojtje në rastet e dhunës familjare dështuan të ofrojnë mbrojtje adekuate apo ato nuk u zbatuan. Shkelja e këtyre urdhrave rrallë u ndoq penalisht.

Organizata joqeveritare “Medika Kosovo” kërkoi që të amendamentohet Ligji për Viktimat Civile të Luftës, për të siguruar që grave të dhunuara gjatë luftës, t’iu jepej statusi i viktimës civile dhe të marrin kompensim.

Diskriminimi mbeti i përhapur ndaj minoriteteve, grave, homoseksualëve dhe transversitëve.

Romët, ashkalinjtë dhe egjiptasit përjetuan diskriminim, si: qasja në arsimim, në kujdesin shëndetësor dhe në punësim. Pak nga ta gëzuan të drejtën për banim adekuat. Shumë nga ta mbetën pa dokumente personale, çfarë u pamundëson atyre të kenë nënshtetësi dhe qasje në shërbimet bazike. (a.i.)
XS
SM
MD
LG