Ndërlidhjet

Veriu pa doganierë


Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, serbët lokalë kanë djegur pikat doganore në veri. Jarinë, 19 shkurt 2008.

Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, serbët lokalë kanë djegur pikat doganore në veri. Jarinë, 19 shkurt 2008.

Doganierët kosovarë ende nuk janë kthyer në pikat doganore në veri. Këto të fundit ishin shkatërruar nga serbët lokalë, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Autoritetet vendore thonë se janë duke u konsultuar me të gjithë akterët relevantë, për të gjetur mënyrat më të përshtatshme për kthimin e kontrollit në atë pjesë. Në anën tjetër, ekspertë të çështjeve ekonomike thonë se buxheti i Kosovës po pëson humbje të mëdha nga moskontrollimi i këtyre pikave doganore.

Sfidë për Doganat e Kosovës edhe më tej mbetet kthimi i kontrollit në dy pikat doganore në Jarinë dhe Zubin Potok.

Zëdhënësi i doganave, Adriatik Stavilevci, pranon se ky institucion nuk i kontrollon ende pikat 1 dhe 31, të cilat ishin djegur nga serbët lokalë pas shpalljes së pavarësisë së vendit.

“Qasja e kthimit të doganierëve kosovarë në veri nuk varet nga doganat, por nga shumë faktorë. Faktori kryesor që ndikon në këtë qasje është faktori politik”, shprehet Stavilevci.

Kohë më parë, ministri i Ekonomisë dhe Financave, Bedri Hamza, ka thënë se po bëhen përpjekje për rikthimin e doganierëve kosovarë në veri të vendit.

Por, eksperti i ekonomisë, Haki Shatri, thotë se institucioneve u mungon vullneti politik për t’u marrë më seriozisht me çështjen.

Shtrirja e kompetencave, funksionimi i ligjit dhe i Kushtetutës janë vështirësuar për arsye të rrethanave të veçanta në veri të vendit. Institucionet e Kosovës nuk kanë treguar vullnet të mjaftueshëm për të marrë kontrollin në pikat kufitare në pjesën veriore të Mitrovicës”, thotë Shatri.

Mungesa e oficerëve doganorë në këto vendkalime thuhet se i ka shkaktuar humbje të mëdha buxhetit të Kosovës. Shatri jep disa shifra:

“Ka vlerësime për 80 milionë euro humbje, ka vlerësime edhe për më shumë... Por, një gjë është e vërtetë - 20 deri në 30 për qind të të hyrave nga doganat, buxheti i Kosovës i humb nga moskontrollimi i këtyre pikave”.

Doganat e Kosovës vlerësohen si kontribuuesi kryesor i buxhetit të shtetit. Ato grumbullojnë tri tatime kryesore: tatimin mbi vlerën e shtuar në import, taksën doganore dhe akcizën.

Në tre muajt e parë të këtij viti, sipas të dhënave të Doganave të Kosovës, këto të ardhura janë tejkaluar nga plani i paraparë.

Zëdhënësi Adriatik Stavilevci thotë se po bëhen përpjekje në parandalimin e kontrabandës që vjen nga pikat kufitare 1 dhe 31.

“Jemi duke bashkëpunuar me Policinë e Kosovës, me Administratën Tatimore të Kosovës, me pjesëtarët e EULEX-it, që ta minimizojmë efektin e kontrabandës”, thekson Stavilevci.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG