Ndërlidhjet

logo-print

Kosova gati për reciprocitet


CEFTA, vendet anëtare

CEFTA, vendet anëtare

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se do të vendosë masa reciproke me vendet, të cilat nuk e respektojnë marrëveshjen e CEFTA-s. Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina janë shtetet, të cilat që nga viti 2008 kanë bllokuar produktet kosovare. Njohësit e çështjeve ekonomike thonë se Qeveria është vonuar në këtë drejtim.


Është çështje javësh kur ekzekutivi i vendit do të vendosë masa reciproke ndaj produkteve të importuara nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila, tha se nëse këto dy shtete vazhdojnë të shkelin marrëveshjen e CEFTA-s, atëherë Qeveria e Kosovës do të vendosë doganimin e mallrave të vendeve në fjalë.

“Nëse brenda një periudhe të shkurtër - flasim për dy ose tri javë - nuk ndryshohet qasja e Serbisë ndaj vulave të Kosovës, atëherë Kosova do të fillojë t’i ngarkojë me doganë produktet, të cilat importohen nga Republika e Serbisë dhe Bosnja”, tha Kusari Lila.

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, e cila dje ka qëndruar në Bruksel, tha se këto paralajmërime janë prezantuar edhe para udhëheqësit të komisionarit për zgjerim të Bashkimit Evropian si dhe udhëheqësve të sekretariatit të CEFTA-s.

Që nga viti 2008, Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina kanë bllokuar produktet kosovare, për shkak se vulat e UNMIK-ut janë zëvendësuar me ato të Republikës së Kosovës. Mallrat me këtë vulë nuk lejohen as transit të kalojnë nëpër këto shtete.

Mimoza Kusari Lila
Ministrja Kusari Lila tha se Qeveria nuk mund të tolerojë më që ekonomia e vendit të bartë barrën e çështjeve politike të Serbisë karshi Kosovës.

“Duke marrë parasysh që kemi të bëjmë me një interes nacional, kemi të bëjmë me një interes për mbrojtjen e produkteve kosovare dhe të ekonomisë kosovare, konsiderojmë se është momenti i fundit për një hap të tillë”.

“Kemi të bëjmë me një shkelje të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë për tre vjet me radhë nga Serbia dhe Bosnja. Kosova nuk mund të tolerojë të jetë më konstruktivja në këtë rast, pa pasur asnjë përfitim ekonomik në raport me vendet e lartpërmendura”,
tha Kusari Lila.

Por, ekspertë për çështje ekonomike thonë se ekzekutivi i vendit është dashur më herët t’i bllokojë produktet serbe.

Në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Qeveria ka të drejtë që t’i përgjigjet me masa të njëjta tregtare Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, deklaroi Muhamet Sadiku, profesor në Universitetin e Prishtinës.

Sipas tij, vlera e produkteve të importuara nga Serbia në Kosovë arrin mbi 200 milionë euro brenda një viti, duke mos llogaritur mallrat që hyjnë në mënyrë ilegale nga pjesa veriore e Kosovës.
Nëse Serbia e bllokon eksportin e Kosovës, Kosova ka legjitimitet dhe arsye të fortë që të bllokojë importin nga Serbia.

“Nëse Serbia e bllokon eksportin e Kosovës, Kosova ka legjitimitet dhe arsye të fortë që të bllokojë importin nga Serbia në Kosovë. Pra, të krijojë një situatë ku të dyja vendet duhet të respektojnë këmbimet tregtare ndaj CEFTA-s”, tha Sadiku.

Republika e Kosovës, këtë vit, kryeson Marrëveshjen për Tregti të Lirë me Evropën Qendrore, mekanizëm ky që në 2010-ën është udhëhequr nga Serbia.

Çështja e marrëveshjes së CEFTA-s është diskutuar edhe në Bruksel ndërmjet delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë, në kuadër të dialogut që e ndërmjetëson Bashkimi Evropian.

Lexoni edhe këtë:
Vit i vështirë ekonomik për Kosovën
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG