Ndërlidhjet

logo-print

Arti thyen paragjykimet ndëretnike


Ekspozita e fotografëve nga Kosova dhe Serbia, e hapur në Prishtinë.

Ekspozita e fotografëve nga Kosova dhe Serbia, e hapur në Prishtinë.

Në Prishtinë po qëndron e hapur ekspozita “Reflektimi i fytyrave”, me fotografi të fotografëve të rinj shqiptarë dhe serbë. Të rinjtë serbë që kanë ardhur në Prishtinë nga Beogradi, thonë se i kanë thyer paragjykimet që kanë pasur për shqiptarët dhe Kosovën, ndërkaq, fotografët shqiptarë thonë se dy javë më parë ata kanë qenë në Beograd dhe janë pritur shumë mirë.


Reflektimi i dy realiteteve përmes fotografive është përmbajtja e ekspozitës, të cilën e kanë organizuar fotografët e rinj nga Kosova dhe Serbia, e që po qëndron e hapur në Prishtinë, në kafenenë “Tetris”.

Projekti i quajtur “Reflektimi i fytyrave”, ka sjellë në Prishtinë 150 fotografi, të 10 fotografëve serbë dhe 10 shqiptarë.

Por, kjo ekspozitë është e pazakontë, mu për faktin se ajo paraqet komunikimin, siç thuhet, pa fjalë të fotografëve shqiptarë dhe atyre serbë, vlerëson Trëndelina Bucolli, koordinatore e këtij projektit, fillet e të cilit kishin nisur muaj më parë.

“ ‘Face the reflection’ është projekt që ka nisur para disa muajsh. Qëllimi ka qenë që përmes fotografëve dhe artistëve të thyhen paragjykimet, të cilat ndodhin dhe stereotipet ndërmjet dy shoqërive, ndërmjet dy realiteteve, Kosovë dhe Serbi. Projekti ka funksionuar ashtu që nuk ka pasur asnjë fjalë. E vetmja mënyrë e komunikimit ka qenë fotografia. Fotografët, për tre muaj të tërë kanë interaktuar me njëri-tjetrin, përmes fotografive”.

“Unë jam shumë e kënaqur. Prej Serbisë kanë ardhur 5 të rinj, 5 fotografë, të cilët, natyrisht, kanë ardhur për herë të parë këtu dhe për më pak se dy ditë i kanë thyer paragjykimet që i kanë pasur për vendin dhe shoqërinë tonë”
, thotë Bucolli.

Organizatorja e gjithë këtij projekti, Ana Dragiq nga Beogradi, tregon se ekspozita e njëjtë është mbajtur në Beograd, dy javë më parë, ndërkaq, thyerja e barrierave, siç i quajti ajo, të panevojshme vazhdon të jetë qëllimi i këtij projekti.

“E kam kuptuar se ka aq shumë hapësirë për bashkëpunim dhe se njerëzit janë të ngjashëm. Të rinjtë ndajnë të njëjtat probleme, të njëjtat shpresa dhe të njëjtat frika. Beogradi dhe Prishtina, në mënyrë të panevojshme, të gjithave vazhdojnë t’ua veshin kontekstin politik, ndërkohë që njerëzit dhe të rinjtë nuk dinë asgjë për njëri-tjetrin”
, shprehet Dragiq.

Ajo shtoi se dëshira e saj për të mbledhur të rinjtë rreth një çështjeje apo dashurie të përbashkët, në këtë rast fotografisë, rezultoi suksesshëm.



Ndërkaq, Dunja Llaziq, gjithashtu një nga koordinatoret e projektit, thotë se para se të vinte në Kosovë dhe të njihej me të rinjtë shqiptarë, ka pasur paragjykime se në Kosovë ka krizë, nuk është këndshëm dhe se njerëzit në këtë vend i urrejnë serbët. Por, sipas, saj, të gjitha këto paragjykime ishin rrënuar pas ardhjes në Kosovë.

“Kjo është hera e parë që vij në Kosovë dhe menjëherë ndihem shkëlqyeshëm dhe mrekullueshëm. Nuk ndihem e frikësuar. Para se të vija këtu, askush nuk ka reaguar mirë. Derisa kam ardhur këtu, paksa kam qenë e habitur, sepse megjithatë këtu ka pasur shkatërrime. Unë e shoh këtë dhe e di që ne kemi qenë fajtorë për këtë dhe njerëzit këtë e dinë dhe e ndjejnë. Por, kur kam arritur këtu, jam ndjerë shumë mirë dhe më nuk kam frikë”, tregon Llaziq, duke i falëndëruar të rinjtë shqiptarë, të cilët, sipas saj, kanë qenë mjaft mikpritës dhe të mirë ndaj tyre.

Ndërkaq, Milica Mërviq, fotografe nga Serbia, shpreson që fotografitë e ekspozuara të përçojnë mesazhet e përbashkëta të të gjithë pjesëmarrësve në projekt:

“Shpresoj që fotografitë do t’i shohin shumë njerëz. Më vjen keq që nuk kanë ardhur më shumë njerëz nga Beogradi”.

Ndërsa, Petrit Rrahmani, fotograf nga Prishtina, thotë se dy javë më parë ka qenë në Beograd për të ekspozuar fotografitë dhe përshtypjet e tij janë shumë të mira.

“Atje ka qenë shumë mirë. Na kanë pritur në mënyrë perfekte. Ndoshta edhe ne do të përpiqemi ta bëjmë të njëjtën gjë, por ata na kanë pritur shumë mirë, si në në hotel, ashtu edhe gjatë ekspozitës. Por, edhe shoqëria që tash jemi njoftuar, fotografët e Beogradit, kanë qenë tërë kohën të pranishëm me ne, kështu që ka qenë e përkryer”
, thekson Rrahmani.

Në anën tjetër, në hapje të ekspozitës “Reflektimi i fytyrave”, ishin të pranishëm mjaft të rinj. Dea Luma thotë se i pëlqen ideja e projektit dhe mënyra e bashkëpunimit të fotografëve shqiptarë dhe serbë.

“Më ka pëlqyer, kryesisht ideja e bashkëpunimit, sepse në një mënyrë duhet të njihemi, sepse ndoshta i kemi njohur në një mënyrë krejtësisht tjetër”
, shprehet Luma.

Ngjashëm pohon edhe Driton Hoxha:

“Po shoh fotografi të mira dhe interesante. Së pari më pëlqen dhe është shumë interesante, sepse pa u njohur mes vete, kanë bashkëpunuar serbët dhe shqiptarët dhe kjo është e rëndësishmja”.

Ekspozita me fotografi, “Reflektimi i fytyrave”, do të jetë e hapur 7 ditë.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG