Ndërlidhjet

Dialogu me Kosovën kushti i Serbisë për afrim me BE-në


Një nga kushtet kryesore që Serbia të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, është të arrijë rezultate konkrete në dialogun e nisur me Kosovën.

Agjencia AFP, raporton se kjo është konfirmuar nga komisioneri për zgjerim, Stefan Fyle, gjatë një interviste që ky i fundit i ka dhënë televizionit privat serb, B 92.

Një kusht tjetër është dhe marrja e një raporti pozitiv nga Kryeprokurori i tribunalit të OKB-së për krime lufte, Serzh Bramerc, për përpjekjet e Beogradit që të arrestojë dy të kërkuarit e mbetur, Ratko Mlladiq dhe Goran Hagjiq.

Gjatë kësaj interviste, Stefan Fyle, e ka paralajmëruar Serbinë se po i përfundon koha dhe se duhet që të shpejtojë reformat e nevojshme që të marrë statusin e kandidatit për BE.

Fyle, së bashku me udhëheqësin e Komisionit Evropian, Zhose Manuel Barroso, do ta vizitojnë Serbinë javën e ardhshme gjatë një turi balkanik.

Kjo vizitë do të bëhet disa muaj para publikimit të raportit që tregon nëse Beogradi i ka plotësuar të gjitha kushtet që të fitojë statusin e kandidatit për anëtarë të BE-së.

“Qëllimi kryesor i vizitës është që të inkurajohet Serbia që të shfrytëzojë këto javë dhe muaj të fundit, që të përballet me çështjet për të cilat ne kemi insistuar, ka thënë Fyle.

Serbia shpreson që të sigurojë një vendim pozitiv nga Komisioni Evropian në aplikacionin e saj për anëtarësim në BE, aplikacion ky që është dorëzuar në fund të vitit 2009.
XS
SM
MD
LG