Ndërlidhjet

Kur do të ketë njohje të reja?


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës thonë se diplomacia kosovare është më aktive dhe se priten njohje të reja. Zyrtarët qeveritarë theksojnë se pavarësisht indikacioneve për njohje të reja, sa i takon lobimit, duhet të punohet shumë.


Pavarësisht se Kosova për më shumë se tre muaj nuk është njohur nga ndonjë shtet, zyrtarë nga Presidenca e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Jashtme, shprehen optimistë për rritjen e numrit të njohjeve.

Kosova që nga katër shkurti, kur u njoh nga Mbretëria e Omanit, nuk ka pasur njohje të tjera.

Ilir Deda, këshilltar politik i presidentes, shpreson për njohje tjera.

“Shpresojmë që do të lëvizet përpara dhe se do të shtohet numri i njohjeve. Njohja e Kosovës është e drejtë sovrane e çdo shteti tjetër. Dhe, shtetet në momentin kur ato dëshirojnë ta bëjnë atë njohje, e bëjnë, por pa marrë parasysh, ne duhet t’i kryejmë punët tonë”, shprehet Deda.

Edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme thonë se po bëhet gjithçka që Kosova të njihet nga sa më shumë shtete. Artan Behrami, këshilltar në këtë ministri, tregon për lobimin që po bën kjo ministri.

“Ne në Ministrinë e Punëve të Jashtme jemi duke punuar për çdo ditë në mënyrë që të forcojmë subjektivitetin e shtetit të Kosovës në botë. Pavarësisht zhvillimeve politike në vend, përpjekjet për lobim jo vetëm nga ne, si ministri, po edhe nga partnerët, shtetet mike të Kosovës, nuk kanë munguar dhe nuk mungojnë edhe më tutje”
, thotë Behrami.

Institucionet e Kosovës, tashmë kanë hartuar një strategji të re për lobim. Kjo strategji parasheh vizita të shumë të zyrtarëve të Republikës së Kosovës, presidentes, kryeministrit, të kryetarit të Kuvendit, deputetëve, partive në opozitë, të njerëzve të shoqërisë civile dhe pjesëmarrjen e tyre në forume dhe konferenca ndërkombëtare, me qëllim që Republika e Kosovës të ketë sa më shumë njohje.

Këshilltari në Ministrin e Jashtme, Artan Behrami, thotë se tashmë janë koordinuar të gjitha punë sa i takon lobimit.

“Ekziston një koordinim shumë më i mirë ndërmjet Ministrisë dhe ambasadave tona. Ekziston një motivim më i madh dhe një dinamikë më madhe dhe më e re në politikën e jashtme. Dhe, natyrisht se kemi indikacione nga shumë shtete të botës që shumë shpejt do të ketë lëvizje dhe se do ta pranojnë Republikën e Kosovës dhe për këtë jemi duke punuar intensivisht”, thekson Behrami.

Behrami bën të ditur se shumë shtete mike të Kosovës janë duke bërë përpjekje të ndikojnë te shtetet që nuk e kanë njohur ende Republikën e Kosovës.

Njohësit e së drejtës ndërkombëtare thonë se Kosovës i duhen më shumë se 100 njohje për anëtarësimin eventual në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Kurse deri më tash Kosova është njohur nga 75 shtete.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG