Ndërlidhjet

Ivanoviq: Bisedimet zgjidhin konfliktin shqiptaro-serb


Oliver Ivanoviq

Oliver Ivanoviq

Bisedimet kanë filluar me tema të vogla, por do të përfundojnë me zgjidhjen e çështjes së vetme të pazgjidhur etnike në Ballkan, thotë për Radion Evropa e Lirë, sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq.


RADIO EVROPA E LIRË
Kosovën e vizitoi kryenegociatori serb, Borko Stefanoviq, vizitë kjo që nga zyrtarët e institucioneve të Kosovës u vlerësua si fillim i njohjes së shtetit të Kosovës nga Serbia? Ç’mendim keni ju?

OLIVER IVANOVIQ
Në asnjë rast. Nuk ka qenë kjo ideja e zotit Stefanoviq. Ideja ka qenë që të bisedohet në suaza joformale për temat që do të diskutohen nesër. Borko Stefanoviqi, në postin që mban, paraqet nivel të ulët politik për të folur për njohje apo mosnjohje.

Ai është atje vetëm për të udhëhequr bisedimet, meqë ai ka marrë mandat të qartë, por asgjë më tepër. Bisedimet me shqiptarët e Kosovës kanë për qëllim që të njihemi më mirë dhe për disa nuanca, për disa çështje, që nuk pajtohemi, mbase mund të gjenden zgjidhje kompromisi.

RADIO EVROPA E LIRË
Çka nënkuptoni me zgjidhje kompromisi?

OLIVER IVANOVIQ
Aktualisht, kemi mospajtime për disa çështje teknike, të cilat politizohen. Sot kemi çështjen e telefonisë, pra çështjet teknike, që janë ekzistenciale për serbët që jetojnë atje, në jug të lumit Ibër. Por, nëse e politizoni këtë, që dikush të pranojë pavarësinë, në mënyrë që të ketë telefon, kjo duhet të zgjidhet nën praninë ndërkombëtare. Domethënë bashkësia ndërkombëtare, BE-ja, OKB-ja, do të jenë këtu për të mos i lejuar shqiptarët që t’i politizojnë këto çështje.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ivanoviq, ju thatë se do të bisedoni për çështje teknike, që kanë për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve. Megjithatë, ka deklarata të njëpasnjëshme të Beogradit zyrtar, që thonë se çështjet politike, si ajo veriut nuk mund të evitohen gjatë bisedimeve...

OLIVER IVANOVIQ
Pajtohem me këtë qëndrim, për shkak se edhe në Serbi mbretëron mendimi se duhet folur dikur me shqiptarët e Kosovës. Është fakt se ata ekzistojnë dhe kërkojnë përgjigje. Fakti se e kanë shpallur pavarësinë, nuk është një fakt që mund ta injorojmë dhe nuk pajtohemi me këtë. Tash kërkojmë zgjidhjen që edhe në këto rrethana, serbët të mund të jetojnë mirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur jemi te pjesa veriore, Serbia vazhdon t’i financojë strukturat paralele, të cilat shihen si pengesë kryesore e integrimit të serbëve. Pse po i financoni ende?

OLIVER IVANOVIQ
Serbia ka obligime dhe ka të drejtë që t’i financojë institucionet e saj në Kosovë. Ne nuk e njohim Kosovën e pavarur, ne e shohim atë vetëm si protektorat ndërkombëtar, derisa nuk ulemi dhe flasim edhe për statusin e Kosovës.

Me këto tema nuk duhet ngutur, sepse sot dy elitat politike, në Serbi dhe Prishtinë, nuk janë të gatshme që të gjejnë zgjidhje. Unë jam i bindur se këto zgjidhje gjenden vetëm në perspektivë, e kjo nënkupton 5, 6 apo 10 vjet. Por, tash mund të zgjidhet ndonjë temë, që është e ndonjë rëndësie më të vogël politike.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke mbetur te financimi, ju jeni sekretar shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën. Sa keni investuar deri tash në Kosovë?

OLIVER IVANOVIQ
Kjo është e vështirë të dihet, sepse kjo është vetëm një ministri. Serbia investon, në fakt të gjitha ministritë investojnë në Kosovë, në projektet infrastrukturore, në mbajtjen gjallë të institucioneve, pra në shëndetësi, shkolla, politikat sociale, infrastrukturë. Por, ne investojmë edhe në politikë, sepse kur zhvillon elitat politike dhe thjesht krijon kushtet e duhura për jetesë, atëherë ndërton strukturë qytetare politike, që është e gatshme të artikulojë qëndrimin politik.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa i përket investimeve, institucionet e Kosovës thonë se kanë prioritet komunitetin serb, duke investuar miliona euro në mjediset ku ata banojnë. A po zhvillohet një garë mes institucioneve të Kosovës dhe atyre të Serbisë, për t’i joshur serbët, për t’i kthyer ata kah vetja?

OLIVER IVANOVIQ
Fatkeqësisht, kjo ende nuk ka ardhur në rend dite. Mendoj se ky është një vendim i mirë dhe shpresojmë se në një moment edhe institucionet e Prishtinës, të cilat ne i konsiderojmë si të përkohshme, edhe Qeveria e Serbisë, mbase mund të bashkëpunojnë për çështjen e kthimit apo mbetjen e serbëve që jetojnë atje. Kjo do të ndodhë, por unë them se duhet një moment politik dhe gatishmëri e madhe politike për të gjetur zgjidhje kompromisi.

RADIO EVROPA E LIRË
T’u kthehemi edhe njëherë bisedimeve. Edhe për çështjet teknike, po shihet se ka qëndrime të ndryshme mes palëve. Çfarë përfundimi mendoni se do të ketë ky dialog, nëse vazhdohet me qëndrime të tilla?

OLIVER IVANOVIQ
Është me rëndësi që të niset me diçka që nuk është kundërthënëse, me diçka që të dy palët pajtohen. Këto janë metoda, që zakonisht përdoren - nisja prej gjërave më të vogla, për të cilat mund të pajtohemi, derisa vjen koha e diskutimit të temave serioze.

Këto tema do të presin momentin e tyre; kërkojnë momentin, konsensusin absolut edhe të njërës, edhe të palës tjetër, sepse nuk është e njëjta kur Prishtina ka një opozitë radikale që do të keqpërdorë çdo hap konstruktiv të Prishtinës. Ne kemi këtë situatë tash, por kjo nuk do të thotë se situata do jetë e njëjtë edhe pas 3, 5 apo 10 vjetësh.

RADIO EVROPA E LIRË
A nuk nënkupton kjo që të ketë për një kohë një status-quo në raportet Kosovë - Serbi?

OLIVER IVANOVIQ
Unë, personalisht, mendoj se këto bisedime do të çojnë drejt përmirësimit të raporteve dhe krijimit të kushteve më të mira për popullin atje poshtë. Nëse do të zgjidhen çështjet thelbësore, nuk e di, kjo varet nga gatishmëria politike e të dy palëve dhe nga ajo se sa ka ende kohë për ne bashkësia ndërkombëtare, sepse më duket se e ka humbur durimin me Ballkanin Perëndimor dhe natyrisht që edhe opozita nga të dy palët të kuptojë rëndësinë e procesit.

Sot nuk kemi kushte për tema të mëdha, por unë shpresoj që ky të jetë vetëm fillimi i një procesi të gjatë që mund të përfundojë me pajtim historik mes serbëve dhe shqiptarëve. Këto janë dy çështje etnike, çështje nacionale, që nuk janë zgjidhur në Ballkan dhe Evropë dhe sot duhet të zgjidhen.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG