Ndërlidhjet

Ndryshime të plota apo të pjesshme zgjedhore?


Foto nga zgjedhjet e fundit në Kosovë...
Foto nga zgjedhjet e fundit në Kosovë...

Lidhur me reformat zgjedhore, nëse ato do të jenë të pjesshme apo të plota, ekspertët kanë qëndrime të ndryshme.


Ndryshimet legjislative, të cilat do të përmirësonin procesin e zgjedhjeve në Kosovë, duhet të bëhen në mënyrë e duhur dhe urgjente, vlerësojnë njohësit e sistemit zgjedhor në Kosovë. Sipas tyre, reforma zgjedhore, e cila pritet të fillojë, është komplekse dhe kërkon angazhim maksimal.

Ish-kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së dhe ekspert ligjor, Mazllum Baraliu, thotë për Radion Evropa e Lirë, se për të pasur një reformë të mirëfilltë zgjedhore, duhet të angazhohen ekspertë përkatës, të cilët mund të japin kontributin e tyre duke ofruar ide që Kosova të ketë një kod zgjedhor që përshtatet me rrethanat në vend.
Është materie kontradiktore, është e mangët dhe ajo do qasje serioze reformuese që nga e para e deri në fund...


“Legjislacioni që ka të bëjë me zgjedhjet, është një materie mjaft komplekse dhe mjaft e papërpunuar. Është materie kontradiktore, është e mangët dhe ajo do qasje serioze reformuese që nga e para e deri në fund, në mënyrë që të kemi një kodifikim, një përmbledhje dhe rregullim të të gjithë materies zgjedhore në nivel të legjislacionit primar dhe atij sekondar”
, thotë Baraliu.

Mirëpo, kryesuesi i Komisionit për reformën e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, Haki Demolli, konsideron se ligji nuk ka nevojë të ketë ndryshime rrënjësore, por, sipas tij, ato duhet të bëhen vetëm në ato çështje kur deri më tash është vërejtur se e kanë penguar procesin zgjedhor.

“Nuk mendoj që i tërë ligji të ndryshohet në kuptimin e përgjithshme, por vetëm ndonjë dispozitë, e cila ka të bëjë drejtpërdrejt me procesin zgjedhor. Pra, është mirë që të ndryshohet, të shqyrtohet e të shihet se cilat dispozita kanë shkaktuar problem të caktuar në zbatimin e tij, në mënyrë që të kemi solucionet finale më të përshtatshme”
, thekson Demolli për Radion Evropa e Lirë.

Mirëpo, nëse nuk do të bëhen ndryshime rrënjësore, problemet e paraqitura gjatë zgjedhjeve të kaluara, do të paraqiten sërish, thotë Mazllum Baraliu. Ai, madje, shprehet skeptik për këtë duke pasur për bazë edhe mosdefinimin e mandatit të Komisionit për ndryshimet në Ligjin zgjedhor.

“Nëse kjo nuk bëhet, e që mund të jetë, sepse nuk e dimë ende saktësisht se çfarë mandati ka ky komisionin, nëse nuk e ka mandatin e duhur për të bërë reforma serioze dhe gjithëpërfshirëse substanciale në çështjet elektorale, atëherë do të jetë punë e pakryer, e cila duhet të kryhet sa më parë. Ndryshe nuk do të kemi avancim të kësaj çështjeje dhe do të kemi përsëritje të gabimeve në zgjedhjet e ardhshme
”, shpjegon Baraliu.

Sido që të jetë, kryesuesi i Komisionit, Haki Demolli, shpreh bindjen se shumë shpejt do të qartësohet plani i punës së Komisionit. Demolli thotë se në këtë drejtim nuk ka ngecje dhe se, siç shprehet ai, ka vetëm përshpejtim të punëve.
Haki Demolli

“Në një farë mënyre, jemi në atë fazën kur po i shikojmë mundësitë tona, sikurse materiale ashtu edhe njerëzore. Ne muajin maj do të kemi një sërë takimesh me institucione të ndryshme, me të cilët do të kontaktojmë rreth mundësisë së angazhimit të ekspertëve në veprimtaritë dhe aktivitetet tona konkrete”
, bën të ditur Demolli.

Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë, pasi ua ka dorëzuar autoriteteve kosovare rekomandimet për reforma zgjedhore, e njëjta ka theksuar rëndësinë për nisjen sa më parë të këtij procesi.

Lexoni edhe këto:
Demolli: Ndryshimet reduktojnë lëshimet
Miratohen komisionet për reformat
XS
SM
MD
LG