Ndërlidhjet

Samarxhiq: Qeveria e ka njohur Kosovën si shtet


Zëvendëskryetari i Partisë Demokratike serbe, Slobodan Samarxhiq, ka thënë se qeveria e Serbisë nuk duhet edhe më tutje të përpiqet që t'i bindë qytetarët se si nuk e ka njohur Kosovën e pavarur, sepse me bisedimet e nisura të delegacioneve serbe dhe atij të Prishtinës, kjo gjë definitivisht është bërë.

“Përfaqësuesi kryesor i Serbisë në këto bisedime, e ka vizituar Prishtinën në cilësinë e përfaqësuesit zyrtar të shtetit të Serbisë në shtetin e Kosovës. Kjo konfirmohet kur është ulur në tryezë me flamurin e shqiptarëve të Kosovës dhe flamurin e Serbisë," tha Samarxhiq për agjencinë e lajmeve Beta.

Samarxhiq e vlerëson shkuarjen e delegacionit serb në Prishtinë për vazhdimin e dialogut që është nisur më 8 mars në Bruksel si “edhe një formë e njohjes së Kosovës si shtet i pavarur”.

“Siç ka thënë edhe përfaqësuesi amerikan në këto bisedime, Tomas Kantrimen, këto janë bisedime në mes të përfaqësuesve të dy shteteve. Përfaqësuesit tanë vazhdojnë të thonë se kjo nuk është kështu dhe se fjala është për çështje teknike,” ka thënë më tutje Samarxhiq.

Ai ka thënë se ky proces gjendet në “rrugë të gabuar dhe pa kthim” dhe se e gjitha filloi me miratimin e rezolutës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për fillimin e bisedimeve në mes të Prishtinës dhe Beogradit rreth çështjeve që kanë rëndësi për jetën e qytetarëve të Kosovës.
XS
SM
MD
LG