Ndërlidhjet

logo-print

WSJ: Rasti kundër shefit të FMN-së


Shtypi botëror për arrestimin e zotit Kan.

Shtypi botëror për arrestimin e zotit Kan.

"Wall Street Journal"

Arrestimi i Dominik Shtraus Kanit mbi dyshimet për keqtrajtim seksual të një shërbyeseje hoteli në Nju Jork, është poshtërim personal për politikanin francez, por gjithashtu shënon një pikë të zezë në Fondin Monetar Ndërkombëtar, i cili zgjodhi t’i mbyllë sytë mbi sjelljen e mëhershme seksuale të tij.

Do të jetë interesante të shihet se si do ta trajtojnë këtë çështje pushtetarët francezë dhe ata të financave politike ndërkombëtare.

Zoti Shtraus Kan gëzon pretendimin e pafajësisë dhe avokati i tij thotë se ai nuk do të deklarohet fajtor. Disa qarqe në shtypin francez, e madje edhe një ministër qeveritar i Francës, thonë se 62-vjeçari mund të jetë viktimë e një kurthi të rivalëve të tij.

Por, faktet e këtij rasti, të raportuar deri më tani nga policia e Nju Jorkut, nuk duken aq premtuese për shefin e FMN-së.

Gruaja, e cila kishte hyrë në dhomën e zotit Shtraus, e kishte raportuar incidentin menjëherë, duke i thënë policisë se ai kishte dalë lakuriq nga banja dhe e kishte ndjekur atë, duke e tërhequr zvarrë.

Me fjalë të tjera, ky nuk është një rast keqkuptimi rreth pajtueshmërisë së ndërsjellë. Policia gjithashtu thotë se zoti Shtraus Kan kishte ikur nga hoteli me shpejtësi, duke lënë pas vetes celularin dhe gjësende të tjera personale.

Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk ka reaguar gjatë ditës së djeshme, por bordi i tij duhet të mendohet mirë për dritën jeshile dhënë zotit Shtraus Kan.

Dominik Shtraus Kan
Francezi i martuar ka pasur aferë me një ekonomiste seniore pasi ishte emëruar në këtë post.

Durimi i bordit të FMN-së dallon me qasjen që Banka Botërore kishte pasur ndaj amerikanit Poll Uolfovic, atëbotë president, duke e përjashtuar me pretekstin se kishte siguruar rritje rroge për të dashurën e tij, ndonëse zoti Uolfovic i kishte informuar zyrtarët bankarë nga fillimi në fund dhe nuk kishte shkelur politikat e bankës.

Bordet e të dyja institucioneve dominohen nga evropianët, të cilët kanë ushtruar standarde të dyfishta për zotin Shtraus Kan, duke e cilësuar si personin e tyre.

Akuzat kanë nxitur zemërime në Francë, atje ku zoti Shtraus Kan ishte kandidati favorit i socialistëve për garën presidenciale të vitit të ardhshëm dhe madje ishte duke udhëhequr në sondazhe kundër presidentit aktual, Nikolas Sarkozi.

Francezët njihen për indiferencë ndaj apetiteve seksuale të politikanëve të tyre, por është pak e besueshme se do të jenë indiferentë ndaj një sulmi kundër një shërbyeseje hoteli.

Aktualisht ekzistojnë pikëpamje të ndryshme nëse zoti Shtraus Kan gëzon imunitet diplomatik, meqë punon për një organizatë ndërkombëtare, me seli në Uashington.

Policia e Nju Jorkut thotë se ai nuk e gëzon këtë privilegj. Nëse Shtraus Kan është i pafajshëm, do të ishte më mirë për të ta spastrojë emrin në një gjykatë, duke mos ikur në Francë.

Për hir të tij, për hir të gruas që ka akuzuar dhe për hir të integritetit të drejtësisë amerikane, bota duhet të shohë se ky rast do të gjykohet në formën më transparente dhe më të mirë. (a.v.)
XS
SM
MD
LG