Ndërlidhjet

Dialog teknik për përfitime politike


Kryenegociatorët në bisedime
Kryenegociatorët në bisedime
Analistët kosovarë vlerësojnë se Beogradi zyrtar po përpiqet që dialogun e filluar me Prishtinën, ta shfrytëzojë ekskluzivisht për përfitime politike, që kanë të bëjnë me sigurimin e statusit të vendit kandidat për integrim në Bashkimin Evropian. Sipas tyre, Prishtina duhet të kërkojë nga Brukseli, si ndërmjetësues, që t’i ridefinojë kornizat e këtyre bisedimeve.


Bisedimet Prishtinë-Beograd kanë nevojë për qartësi dhe ridefinim, vlerësojnë analistët politikë në Prishtinë. Sipas tyre, karakteri teknik i tyre po zbehet dhe po mbizotëron kryesisht karakteri politik.

Analisti Driton Lajçi thotë se bisedimet janë në krizë, pasi që nuk po prodhojnë asnjë rezultat, ndërsa te palët ai ka një dozë të thellë mosbesimi.

Prishtina dhe Beogradi nuk kanë kapacitet që të zbatojnë çfarëdo marrëveshjeje eventuale që mund të arrijnë, thotë Lajçi. Ai i sugjeron delegacionit të Prishtinës që veprimet e veta t’i koordinojë edhe më tepër me Uashingtonin e Brukselin.

“Serbia po përpiqet që ta paraqesë si dialog politik dhe të përfitojë statusin e
Për çfarëdo marrëveshjeje, e cilësdo natyrë që të jetë, jemi të detyruar që të konsultohemi dhe të koordinohemi me Brukselin e Uashingtonin.
kandidatit, duke krijuar përshtypjen te vendet e BE-së se raportet me Kosovën janë të normalizuara - kusht që i është vendosur asaj”.

“Ne duhet të jemi të kujdesshëm që të mos biem në këtë terren të rrëshqitshëm, ta hamë këtë argument serb dhe ta dëmtojmë interesin nacional të Kosovës. Për çfarëdo marrëveshjeje, e cilësdo natyrë që të jetë, jemi të detyruar që të konsultohemi dhe të koordinohemi me Brukselin e Uashingtonin”,
thotë Lajçi për Radion Ervopa e Lirë.

Duke e parë rrjedhën e deritashme të dialogut, Lajçi thotë se organizatori i tij, Bashkimi Evropian, do të duhej që t’i hartonte disa korniza të reja, pasi që ato nuk po prodhojnë ndonjë rezultat konkret.

“As Prishtina dhe as Beogradi nuk kanë kapacitete implementuese të çfarëdo marrëveshjeje eventuale. Së pari, ka krizë të thellë mosbesimi dhe nuk ka gatishmëri, sidomos nga ana e Serbisë, që të ketë ndonjë marrëveshje eventuale”.

“Ka ardhur koha kur duhet të rimodifikohet dhe rishqyrtohet korniza e bisedimeve - kriteret dhe përmbajtja e tyre. Të dyja palët sikur po përballen me njëfarë padurimi në këtë situatë sterile”,
thekson Lajçi.

Dialogu Kosovë-Serbi, nga analisti tjetër, Halil Matoshi, shihet si një proces, nga i cili po përfitojnë vetëm qeveritë dialoguese, ajo në Prishtinë dhe Qeveria në Beograd. Ai i sheh këto bisedime si një marketing politik që nuk sjell ndonjë zgjidhje për problemet e përditshme, me të cilat ballafaqohen qytetarët, e sidomos serbët në Kosovë.

Bisedimet Kosovë-Serbi janë vetëm për marketing politik të qeverive respektabile - Qeveria e Beogradit për të fituar statusin e vendit kandidat për në BE, ndërkaq përfitim i Prishtinës është vetëm ‘ruajta e miqësisë me miqtë ndërkombëtarë’. Domethënë, nuk ka ndonjë favor për Prishtinën”, vlerëson Matoshi.

Beogradi zyrtar, sipas Matoshit, po i trajton serbët e Kosovës si një instrument për realizimin e qëllimeve të veta politike. Kurse, Qeveria e Kosovës, vijon ai, procesin nuk e ka bërë transparent dhe po e përdor vetëm për përfitime vetanake.

Halil Matoshi
Si i tillë, ky proces, sipas Matoshit, ka nevojë për ridefinim, sidomos kur flitet për pozicionin e Prishtinës zyrtare karshi këtij dialogu.

“Qeveria e Kosovës duhet ta hedhë para Kuvendit të Kosovës një strategji të re, sepse nuk mund të ketë bisedime me Beogradin, derisa Beogradi nuk e heq Kosovën nga preambula e Kushtetutës si pjesë të Serbisë, derisa nuk i inkurajon serbët e Kosovës që të marrin pjesë në jetën politike e institucionale të Kosovës, derisa nuk i shpërbën strukturat e veta paramilitare që po quhen si paralele”, thotë Matoshi.

Shefja e ekipit të Kosovës për bisedime me Serbinë, Edita Tahiri, ka bërë të ditur se do të udhëtojë për në Bruksel, ku më 17 dhe 18 maj zhvillohet raundi i katërt i bisedimeve me Beogradin.

Kësaj radhe, temat kryesore që do të trajtohen, janë: çështja e të pagjeturve, ajo e trashëgimisë kulturore dhe çështja e njohjes së diplomave shkollore dhe universitare. Po ashtu do të diskutohen edhe të gjitha çështjet e biseduara deri më tash, duke synuar që të arrihet ndonjë përafrim i mundshëm apo marrëveshje eventuale.

Lexoni edhe këtë:
Bisedime pa kreativitet


XS
SM
MD
LG