Ndërlidhjet

Partitë pa profil


Foto arkivi
Foto arkivi
Në Kosovë nuk ka një profilizim të qartë të partive politike, ndërsa një gjë e tillë është më se e domosdoshme, thanë vetë përfaqësuesit e tyre në një debat të organizuar nga disa studentë të Fakultetit Filozofik.

Të pranishmit thanë se drejtuesit e partive vazhdimisht deklarojnë se profilet e subjekteve të tyre janë të djathta, të majta apo të qendrës, por në realitet kjo nuk ekziston.

Ekspertja e politikës, Hasnije Ilazi, njëherësh ligjëruese në Fakultetin Filozofik, tha:

Mendoj se defekti kryesor qëndron në faktin se as partitë politike nuk e kanë shumë të qartë se në cilin drejtim duan të shkojnë. Kjo është e para. E dyta, ato mendojnë se gjithçka është prioritet dhe se të gjitha proceset, të cilat janë brenda shoqërisë kosovare, duhet të jenë prioritete për to”.

Zonja Ilazi tha se pas pavarësisë së Kosovës, shumë qytetarë kanë ndërruar mendimet e tyre sa u takon programeve të partive politike. Sipas saj, votuesi nuk voton për partinë vetëm për shkak të liderit, por do që të dijë më shumë për programet e saj.

“Zgjedhjet e fundit në vend kanë shkuar pak më ndryshe. Ne kemi parë se qytetarët nuk janë më të kënaqur vetëm me liderë. Posaçërisht në zgjedhjet lokale është treguar se qytetarët kërkojnë njerëz që kanë një vizion të qartë për orientimin e komunës”, deklaroi Ilazi.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i Partisë Socialiste të Kosovës, Emrush Xhemaili, kritikoi subjektet politike që, edhe kaq kohë pas shpalljes së pavarësisë, nuk kanë programe të qarta dhe profilizim.

Partitë politike pretendojnë se e përfaqësojnë gjithë shoqërinë, të gjitha shtresat shoqërore dhe merren me të gjitha temat dhe problemet. Këtë pretendim e shprehin me deklarata të përditshme”.

“Por, po të shikohet se çka fshihet pas këtyre deklaratave, kush përfiton dhe kush mashtrohet, del se partitë politike nuk janë të fokusuara në shtresa të caktuara shoqërore”,
tha Xhemaili.

Partitë politike në Kosovë janë duke bërë garë se cila është më e djathtë se tjetra, tha në anën tjetër Zgjim Hyseni nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Bazamenti politik, në bazë të të cilit sot udhëhiqet Kosova, është Plani i Ahtisarit - plan ky, i cili nëse futemi brenda kornizave të tij dhe profilizimeve majtas dhe djathtas, shkon djathtas. Këto parti politike e kanë votuar Planin e Ahtisarit, i cili në fakt është mohim i kombit, i qenies kombëtare. E, njëkohësisht, ato vazhdojnë të thonë se udhëheqin politika të djathta”, u shpreh Hyseni.

Në arsyetimet më të shpeshta të përfaqësuesve të partive politike, pse në Kosovë deri më tash nuk ka një profilizim të qartë të skenës politike, ishte angazhimi i tyre për një Kosovë të lirë dhe të pavarur. Me zgjidhjen e statusit të vendit, disa nga to mendojnë të rreshtohen kah e majta, e djathta apo qendra, varësisht se cilës ideologji i besojnë.
XS
SM
MD
LG