Ndërlidhjet

SHBA-Pakistan: Përpjekje për uljen e tensioneve


Xhon Keri takon kryeministrin pakistanez, Jusuf Gilani. Islamabad, 16 maj 2011.
Xhon Keri takon kryeministrin pakistanez, Jusuf Gilani. Islamabad, 16 maj 2011.
Senatori amerikan, Xhon Keri, po takon udhëheqësit pakistanezë, në përpjekje për të ulur tensionet mes dy vendeve, të cilat kanë marrë hov pas vrasjes së bin Ladenit. Para se të udhëtonte, Keri u ka thënë gazetarëve se është i gatshëm të dëgjojë liderët pakistanezë, ndërsa bisedimet pritet të zgjidhin “disa çështje shumë serioze”.


Senatori amerikan, Xhon Keri, tha se udhëheqësia e Pakistanit ka rënë dakord për një “sërë hapash”, që do të përmirësonin raportet ndërmjet Uashingtonit e Islamabadit, të cilat janë tendosur pas vrasjes së Osama bin Ladenit, dy javë më parë.

Duke mos dhënë detaje, Keri tha se “masat do të zbatohen menjëherë, në mënyrë që marrëdhëniet të kthehen në rrugën e duhur”.

Keri i bëri këto komente në Islamabad, pas takimit me krerët pakistanezë, përkatësisht presidentin Asif Ali Zardari, kryeministrin Jusuf Gilani dhe shefin e ushtrisë, Ashfak Kajani.

Në deklaratën e lëshuar nga zyra e Gilanit, kryeministri pakistanez i ka theksuar Kerit nevojën për rindërtimin e besimit të ndërsjellë.

Kryetari me ndikim i Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë është i dërguari më i lartë amerikan që viziton Pakistanin, prejse udhëheqësi i Al Kaidës është vrarë nga komandot e Shteteve të Bashkuara në Abotabad, më 2 maj.

Që nga vërsulja, Pakistani ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për shkelje të sovranitetit të tij, duke kryer operacione në territorin pakistanez pa dijeninë e Islamabadit.

Ndërkaq, Uashingtoni ka shprehur dyshime se disa zyrtarë pakistanezë e kanë ditur se bin Ladeni dhe familja e tij fshiheshin në Abotabad.

Pas takimit me udhëheqësit e Pakistanit, Keri tha se Islamabadi ka “theksuar angazhimin e tij për të gjetur më shumë mënyra për të punuar kundër kërcënimit të përbashkët të terrorizmit”, si dhe për të rritur bashkëpunimin në ndarjen e inteligjencës.
Dy zyrtarë të lartë të Qeverisë amerikane do të arrijnë në Pakistan gjatë kësaj jave për të punuar mbi detajet, tha Keri.

Në një deklaratë televizive, senatori njoftoi gjithashtu se Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, do të vizitojë së shpejti Pakistanin.

Xhon Keri
Keri ka arritur në Pakistan nga Afganistani, ku u ka thënë gazetarëve se bisedimet e tij në Islamabad “duhet të zgjidhin disa çështje shumë serioze”.

Ai gjithashtu ka thënë se “ekzistojnë disa prova” se autoritetet pakistaneze e dinë vendndodhjen e militantëve talibanë.

“Ky është një moment kritik në marrëdhëniet me Pakistanin. Disa nga kolegët e mi në Kongres dhe Senat kanë rezerva të thella nëse Pakistani është i angazhuar në synime të njëjta ose nëse është i përgatitur të jetë një partner i plotë në ndjekjen e këtyre synimeve. Në disa pjesë të Kongresit ka thirrje edhe për ndryshimin e programit të ndihmës, nëse nuk ka një përmirësim të gjendjes së tanishme”, ka thënë Keri.

Pakistani ka marrë rreth 18 miliardë dollarë ndihmë nga Shtetet e Bashkuara që nga sulmet e 11 Shtatorit, 2001, kur Islamabadi ishte zotuar se do t’i japë fund mbështetjes së tij për talibanët afganë dhe do të bëhet partner i SHBA-ve në luftën kundër terrorizmit.

Në vitin 2009, Keri ka ndihmuar në ndërmjetësimin e një pakete të ndihmës në vlerë prej 7.5 miliardë dollarësh, për ndërtimin e shkollave, rrugëve dhe institucioneve demokratike në Pakistan.

Por, situata e sigurisë në vendin mysliman mbetet e paqëndrueshme. Ndërsa Keri po zhvillonte takime me udhëheqësinë pakistaneze, persona të armatosur kanë qëlluar për vdekje një diplomat saudit në qytetin e Karaçit. Talibanët pakistanezë e kanë marrë përgjegjësinë për sulmin.

Incidenti vjen disa ditë pas sulmit me granata dore në Konsullatën e Arabisë Saudite në Karaçi. Al Kaida është kundër qeverisë në Riad, të cilën e sheh si një aleate të ngushtë të Perëndimit dhe të Pakistanit. (v.t.)
XS
SM
MD
LG