Ndërlidhjet

Qarkullim i realizueshëm buxhetor?!


Foto ilustruese
Foto ilustruese
Të hyrat dhe të dalat buxhetore të Kosovës këtë vit do të jenë më të mëdha sesa në vitin paraprak, thanë zyrtarët e Ministrisë së Financave në Qeverinë e Kosovës. Kjo ministri sot ka publikuar karakteristikat e buxhetit të vitit 2011.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se karakteristikë e buxhetit të këtij viti është planifikimi i të hyrave dhe të dalave me përqindje më të lartë se vitin e kaluar.

Sipas tij, të dalat do të jenë më të larta sesa të hyrat, të cilat planifikohen të jenë 12 për qind më shumë se në 2010-ën.

“Nëse hyjmë në strukturë, shohim se të hyrat që administrohen nga doganat, kanë një ngritje prej 19%, ndërsa të hyrat që administrohen nga Administrata Tatimore e Kosovës kanë një rritje prej 18%”.

“Buxheti i Kosovës është planifikuar që të mbushet nga të hyrat e rregullta, do të thotë ato që i administrojnë doganat, Administrata Tatimore e Kosovës, pastaj të hyrat vetanake të nivelit qendror, të hyrat vetanake të komunave dhe devidenta që është planifikuar të jetë në lartësi prej 45 milionë eurosh. Ndërkaq, të dalat buxhetore kanë dallim me vitin paraprak prej 19%. Ato janë më të larta”,
tha Hamza.

Sipas tij, përqindja e ngritur e të dalave buxhetore ka të bëjë me zbatimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për ngritjen e pagave në sektorë të caktuar, si dhe ngritjen e investimeve kapitale, për çka janë planifikuar 572 milionë euro ose 26 për qind më shumë se vitin e kaluar.

Ministri Hamza tha se deficiti primar është planifikuar që të mbulohet nga bartja e vitit paraprak.

“Në fund të vitit 2010 kemi pasur gjendjen prej 290 milionë eurosh para të gatshme. Prej tyre, 244 milionë kanë qenë para të lira, për shpërndarje për vitin 2011. Në fund të këtij viti, nëse gjithçka zhvillohet konform planit tonë, pritet që rezerva buxhetore të jetë 476 milionë euro, që është afërsisht rreth 9% e GDP-së”.

“Një pjesë është planifikuar që të financohet edhe nga transferimi i një pjese të aksioneve të ndërmarrjeve publike në aksione të kompanive apo kapitalit privat”,
shpjegoi Hamza.

Në anën tjetër, eksperti për ekonomi, Mejdi Bektashi, tha se Ministria e Financave ka bërë projeksion në bazë të të hyrave nga dy shtyllat kryesore, prej nga mbushet buxheti i Kosovës - doganat dhe Administrata Tatimore.

Faktikisht, të dalat që parashihen të jenë 19 për qind më të mëdha se në vitin e kaluar, do të mbulohen nga pjesa e rritjes së të hyrave nga këto dy institucione. Por, një pjesë e madhe mund të mbulohet - nëse në muajt e ardhshëm nuk shkohet me këtë trend të rritjes - nga rezervat e qeverisë, që janë grumbulluar në vitet e kaluara, kur kishim suficit në buxhet”, tha Bektashi.

Qeveria e Kosovës, shtoi ai, është mirë që t’i ndjekë mundësitë e zvogëlimit të suficitit deri në fund të vitit, të sigurojë mjete plotësuese në tregun e brendshëm dhe të jashtëm, si dhe të huazojë mjete për realizimin e projekteve kapitale.

“Për t’i mbuluar investimet kapitale, që janë afërsisht 500 e ca milionë euro, dhe për ta përmbyllur rrugën Merdarë-Morinë, qeveria shumë lehtë mund të futet edhe në huazime të brendshme apo të jashtme”, tha Bektashi.

Zyrtarët e Ministrisë së Financave po ashtu kanë theksuar se rritja ekonomike do të jetë më e lartë se vitin e kaluar, kur ishte 4 për qind. Sipas tyre, në 2011-ën rritja ekonomike do të arrijë në 5.5 për qind.
XS
SM
MD
LG