Ndërlidhjet

Maqedoni, nisin zotimet për të ardhmen


Ditë më parë, partitë politike në Maqedoni kanë nënshkruar kodin për zgjedhje të lira dhe të drejta.

Ditë më parë, partitë politike në Maqedoni kanë nënshkruar kodin për zgjedhje të lira dhe të drejta.

Partitë politike në Maqedoni kanë nisur fushatën 20-ditore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 5 qershorit.

Lidhja Socialdemokrate, në tubimin promovues që mbajti mbrëmë vonë në Shkup, ftoi qytetarët që të votojmë, siç tha, të ardhmen e vendit, që e ofron opozita e bashkuar.

Kandidatja e LSDM-së për kryeministre, Radmilla Sheqerinska, akuzoi VMRO-DPMNE-në dhe kryeministrin Nikolla Gruevski për bllokimin e procesit integrues dhe për pasojë varfërimin e skajshëm të qytetarëve të Maqedonisë.

Pas 5 qershorit, ky shtet do të ketë qeveri, e cila nuk do të vjedhë, do të ketë qeveri, e cila do të zgjidhë probleme. Pesë qershori është dita kur vendoset për gjithçka”, deklaroi Sheqerniska.

Kreu i kësaj partie, Branko Cërvenkovski, ftoi kryeministrin Nikolla Gruevski në një duel televiziv, për të pastruar, siç tha, “të gjitha dilemat dhe paqartësitë për të kaluarën, të tashmen, por edhe të ardhmen e vendit”.

Cërvenkovski tha se Maqedonia sot është shteti më i varfër në rajon, për shkak të politikave katastrofale të qeverisë aktuale.

“Për 5 vjet nuk ndërtuan asnjë fabrikë, për 5 vjet asnjë kilometër rrugë nuk u bë, sikur nuk u ndërtua asnjë objekt energjetik. Zonat e lira industriale u bënë livadhe të boshatisura, kurse investitorët e huaj po ikin sikur Maqedonia të ishte shtet i infektuar”.

“Derisa Sali Berisha dhe Hashim Thaçi po përurojnë autostradën Tiranë-Prishtinë, derisa Boris Tadiq po përuron ura të reja në Danub, derisa Bojko Borisov ndërton central atomik në Belane, Gruevski po përuron fusha tenisi në vlerë prej 5 mijë eurosh, kurse zëvendëskryeministri Stavrevski promovon kosha plastikë për plehra, të blerë me kreditë e jashtme”,
u shpreh Cërvenkovski.

Fushatën, sonte vonë, do ta hapë edhe VMRO-DPMNE me një miting në Ohër, ndërsa në Shkup tri partitë shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim, Partia Demokratike Shqiptare dhe Rilindja Demokratike Kombëtare. Në Kumanovë, fushatën zgjedhore do ta hapë Demokracia e Re.

Të gjitha partitë kanë premtuar se do të angazhohen për fushatë të qetë dhe zgjedhje demokratike.

Për dallim nga a kaluara, kësaj radhe te partitë shqiptare nuk është regjistruar as edhe një incident gjatë fushatës parazgjedhore, ndërsa te partitë maqedonase incidentet kanë qenë thuajse përditshmëri.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se me rëndësi është që procesi zgjedhor të jetë demokratik.

“Me rëndësi është që zgjedhjet të jenë të lira, demokratike, të pranueshme për të gjitha palët, për të gjithë garuesit. Kjo na ndihmon, na e rrit prestigjin tonë, qoftë kombëtarisht, qoftë ndërkombëtarisht. Bashkimi Demokratik për Integrim, siç ka bërë në të kaluarën dhe ka dhënë prova se di të organizojë dhe menaxhojë zgjedhjet, qofshin ato të përgjithshme apo lokale, edhe tani ne do të pranojë verdiktin e popullit”, u shpreh Ahmeti.

Fushata elektorale do të zgjasë deri më 3 qershor në mesnatë, kur edhe fillon heshtja zgjedhore. Të drejtë vote kanë mbi 1 milion e 800 mijë qytetarë që mund të përcaktohen për ndonjërën nga 30 partitë politike, pjesëmarrëse në këtë proces zgjedhor, i cili realizohet sipas modelit proporcional në gjashtë njësi zgjedhore.

Sipas njoftimeve të deritanishme nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, zgjedhjet do t'i vëzhgojnë 332 përfaqësues të Zyrës së OSBE-së për institucione demokratike dhe të drejtat e njeriut - ODIHR, dhe 3.500 të Asociacionit qytetar - MOST.
XS
SM
MD
LG