Ndërlidhjet

Optimistë për raundin e katërt

  • RFE /RL

Bruksel

Bruksel

Përfaqësuesit e Prishtinës dhe Beogradit në bisedimet që po zhvillohen në Bruksel, janë shprehur optimistë se në raundin e katërt, që vazhdon edhe të mërkurën, do të arrihen rezultate konkrete.

Lëvizja e lirë, energjia, regjistri civil e kadastra janë përmendur nga dy shefat e delegacioneve si tema, për të cilat mund të gjenden zgjidhje konkrete.

Mësohet se për diskutim do të hapet edhe çështja e të zhdukurve, ajo e trashëgimisë kulturore, dëmet që janë bërë gjatë luftës, si dhe njohja e diplomave shkollore dhe universitare

Kryenegociatorja kosovare, Edita Tahiri, tha se të dyja palët kanë punuar që të paktën të nxjerrin kornizën e marrëveshjes për tri tema.

“Rezultate substanciale në çështjet e dialogut presim në lëvizjen e lirë, në tregtinë e lirë dhe në çështjet e energjisë. Këto janë tri fusha të mëdha, ku të dyja delegacionet kanë punuar me përkushtim. Jemi në një fazë, ku në këto dy ditë do të dalë korniza e marrëveshjes për këto tri çështje”, tha Tahiri para fillimit të takimit, që mbahet nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, përkatësisht të dërguarit të BE-së, Robert Kuper.

Në anën tjetër, shefi i delegacionit serb, Borisllav Stefanoviq, u shpreh optimist për zgjidhje në tema si kadastra e regjistri civil.

Kryenegociatorët në bisedime
“Jemi këtu për të gjetur zgjidhjen dhe jam optimist se do të gjendet vendimi i duhur, që është i bazuar në kompromis. Ne duhet t’i zgjidhim disa nga çështjet që tashmë janë hapur. Ne jemi të gatshëm dhe propozimet tona janë shumë kreative”,
tha para takimit Stefanoviq, i cili përmendi edhe lirinë e lëvizjes, përkatësisht marrëveshjen eventuale për dokumente të identifikimit, tabelat e veturave dhe kartonët e sigurisë.

Kosovarët nuk mund të udhëtojnë në Serbi me dokumente të Kosovës, meqë ato nuk njihen nga shteti serb, ndërsa banorëve të Serbisë nuk u ndalohet lëvizja e lirë nëpër Kosovë.

Stefanoviq tha se me Prishtinën nuk pajtohen për statusin, por nënvizoi nevojën që të zgjidhen çështjet praktike.

“Respektojmë faktin se ne dhe Prishtina kemi qëndrime krejtësisht të kundërta për statusin, por këto probleme duhet të zgjidhen për të mirën e njerëzve”, tha ai.

I pyetur nëse statusi paraqet problem në dialogun teknik, Stefanoviq tha se është pala kosovare ajo që po përmend statusin, e jo Serbia.

Por, për shefen e delegacionit kosovar, Edita Tahiri, statusi tashmë është çështje e kryer.

“Çështja e statusit është e mbyllur. Kosova është shtet i pavarur dhe i njohur fuqishëm nga pjesa e fuqishme e botës. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka njohur legjitimitetin dhe legalitetin e pavarësisë. Kosova është anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe e Bankës Botërore. Ky është kapitull i mbyllur”, tha Tahiri.

Bashkëpunimi rajonal është një nga kriteret kryesore për afrim kah BE-ja dhe dialogu thuhet se po ndihmon arritjen e këtij kriteri.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Natasha Batler, e pyetur nëse Komisioni i ka vënë Serbisë përmirësimin e raporteve me Kosovën si kusht për anëtarësim në BE, ka thënë se “Serbia duhet të normalizojë raportet me Kosovën, po qe se do që të anëtarësohet”. (a.i.)

Lexoni edhe këtë:
S’duan të dëgjojnë për ndarjen
XS
SM
MD
LG