Ndërlidhjet

A u publikua kontrata për autostradën?!


Punonjësit e "Bechtel $ Enka" në Vërmicë...

Punonjësit e "Bechtel $ Enka" në Vërmicë...

Dokumenti, të cilin e ka publikuar dje Lëvizja Vetëvendosje, duke pretenduar se është kontrata e Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë “Bechtel & Enka” për ndërtimin e autostradës Vërmicë-Merdarë, mbetet vetëm pretendim dhe jo një fakt i vërtetuar krejtësisht.

Përfaqësuesit e Vetëvendosjes nuk janë të sigurt nëse ky dokument është kontrata e vërtetë.

Shpend Ahmeti i tha Radios Evropa e Lirë se, duke u bazuar në vlerësimet e përfaqësuesve të Lëvizjes, kanë ardhur në përfundim se dokumenti i publikuar nga ta, është kontrata e Qeverisë së Kosovës me kompaninë “Bechtel & Enka”.

Shpend Ahmeti
“...një kontratë, e cila nuk ka qenë publike nën pretekstin se është sekret biznesor, mirëpo nuk është bërë në parim me ligjet në Kosovë, që të mbahet e fshehtë nga qytetarët e Kosovës. Ai (dokumenti) u ka ardhur dy deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Albin Kurtit dhe Visar Ymerit, nga persona anonimë, para dy ditësh. Këto dy ditë i kemi shpenzuar për ta vlerësuar se sa është autentik”.

“Në vlerësimin tonë më të mirë që mund ta kemi, mendojmë se kjo është kontrata. Ne nuk jemi një organ i prokurorisë apo hetuesisë që ta vlerësojmë deri në detajet më të vogla se a është e vërtetë. Mirëpo, besojmë se me të vërtetë kjo është kontrata, të cilën Qeveria e ka nënshkruar”,
tha Ahmeti.

Entela Ruçi, zëdhënëse e kompanisë “Bechtel & Enka”, tha se kjo kompani ende nuk e ka parë dokumentin që nga Lëvizja Vetëvendosje pretendohet të jetë kontrata. Ajo tha se nuk dëshiron t’i komentojë pretendimet për një “dokument anonim”.

“Unë e kam marr vesh këtë gjë nga mediat. Nuk do të bëj asnjë koment politik. Nuk do të hy në një debat politik. Unë nuk do të komentoj asnjë dokument anonim, që nuk është zyrtar. Unë kam marrëdhënie institucionale dhe zyrtare me Qeverinë e Kosovës”, tha Ruçi për Radion Evropa e Lirë.

Në anën tjetër, Ahmeti tha se dokumenti në fjalë nuk është i vulosur dhe i nënshkruar ashtu siç e kërkojnë rregullat e kontratave. Por, megjithatë, shtoi ai, versioni i dokumentit që Vetëvendosja posedon, është drafti final i kontratës.

“Mendoj se është drafti final. Nuk mendoj se ndryshon shumë, e posaçërisht në ato pikat që ne i kemi paraqitur si vërejtje... Ndonëse kontrata është e nënshkruar për 659 milionë (euro), në këtë kontratë ne nuk e vërejmë se mund të ketë çmim fiks apo kosto fikse të autostradës”.

“I gjithë çmimi bazohet në çmimet për njësi, për shembull për rërë, për beton, për asfalt, për çfarë nuk e dimë se sa do të shpenzohet, sepse ende nuk dihet as dizajni përfundimtar i rrugës. Brengë e dytë janë çmimet e larta që përdoren për njësi”,
tha Ahmeti.

Por, zonja Ruçi, nga “Bechtel & Enka”, nuk e pohoi e as mohoi nëse çmimi i autostradës Vërmicë-Merdarë, sipas kontratës së kësaj kompanie me Qeverinë e Kosovës, është 659 milionë euro apo më shumë.

“Çdo kontratë dhe çdo tender i ka të përcaktuara të gjithë gjërat. Unë nuk do të komentoj më në lidhje me kontratën. Marrëdhënia jonë është institucionale me Qeverinë. Për gjithçka tjetër u përket partive politike që të bëjnë debat, por jo ne. Ne jemi këtu për të ndërtuar autostradën”, theksoi Ruçi.

Sido që të jetë, Lëvizja Vetëvendosje, tash e disa kohë, është duke kërkuar nga Qeveria e Kosovës që ta bëjë publike kontratën e saj me kompaninë “Bechtel & Enka”. Kjo kërkesë është përsëritur edhe javën e kaluar në seancën parlamentare.

Kreu i ekzekutivit, Hashim Thaçi, ka theksuar se çmimi i kësaj kontrate është rreth 700 milionë euro.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG