Ndërlidhjet

Shkëmbim zjarri mes ushtarëve pakistanezë dhe të NATO-s


Dy ushtarë pakistanezë raportohet se janë vrarë në një shkëmbim zjarri me dy helikopterë të NATO-s, në afërsi të kufirit me Afganistanin.

Forcat pakistaneze në rajonin fisnor të Vaziristanit verior, kanë sulmuar helikopterët e NATO-s, të cilët më pas janë kundërpërgjigjur duke lënduar ushtarët pakistanezë.

Mbetët e paqartë nëse helikopterët kishin kaluar apo jo në territorin pakistanez.

Një komunikatë e ushtrisë pakistaneze njofton se ata e kanë parashtruar një “protestë të fuqishme“ ndaj NATO-s, duke thënë se aleanca “e ka shkelur hapësirën ajrore të Pakistanit”, ndërsa kanë kërkuar një takim me zyrtarët e aleancës.

Më herët gjatë ditës, një zëdhënës i ushtrisë së Pakistanit i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se helikopterët nuk kishin kaluar në brendi të territorit pakistanez.

Një zyrtar i ushtrisë perëndimore në Afganistan, është deklaruar se forcat e koalicionit janë në dijeni të incidentit, mirëpo nuk mund ta konfirmojnë nëse helikopterët kanë kaluar në zonën ajërore të Pakistanit.

Incidenti ndodhi në kohën kur marrëdhëniet në mes të SHBA-ve dhe Pakistanit janë tensionuar rëndë me vrasjen e Osama bin Ladenit nga forcat amerikane gjatë një bastisjeje të komandove në Pakistan, më dy maj.
XS
SM
MD
LG