Ndërlidhjet

Arrestimi i Kanit: Franca në shok

  • RFE /RL

Nju Jork, 16 maj 2011.

Nju Jork, 16 maj 2011.

Domenik Shtraus Kan ka kaluar natën e parë në një qeli të errët të Nju Jorkut. Mbi të rëndojnë akuzat për tentim-dhunim të një shërbyeseje hoteli.

Kreu i Fondit Monetar Ndërkombëtar u dërgua në burgun famëkeq, pasi gjykatësi i Nju Jorkut mohoi lirimin e Kanit me kusht, për shkak të mundësisë së largimit të tij nga Shtetet e Bashkuara.

Arrestimi i zotit Kan shënon një rënie poshtëruese të njeriut shumë të lëvduar për rolin e tij në Fondin Monetar Ndërkombëtar gjatë krizës globale financiare, si dhe të favoritit për zgjedhjet presidenciale të 2012-ës në Francë.

62-vjeçari akuzohet se ka sulmuar shërbyesen e hotelit ku po qëndronte në Nju Jork, duke e ndjekur lakuriq në korridor, në përpjekje për ta keqtrajtuar seksualisht. Kan i ka mohuar të gjitha akuzat.

Skandali i ka dhënë një goditje të rëndë FMN-së, e cila në vitin 2008 ka mbyllur sytë përballë një afere të zotit Kan me një punonjëse.

Arrestimi tronditës i tij ka dridhur Francën dhe ka hedhur poshtë kandidaturën e tij presidenciale.

Pamjet televizive të arrestimit kanë shokuar shumëkënd në Francë, përfshirë këtu dhe udhëheqësen e Partisë Socialiste, Martinë Obri.

“Unë do të doja që kjo grua e re të respektohet dhe do të doja që pretendimi i pafajësisë të respektohet. Kam qenë shumë e shokuar nga këto pamje. Për fat, jemi në një vend në Francë, ku, që prej Ligjit Xhigu të vitit 2000, një person nuk mund të ekspozohet në pranga. Nuk mund të poshtërohet dikush nëse nuk është i dënuar”,
ka thënë Obri.

Ajo ka ftuar partinë e saj të qëndrojë e bashkuar dhe syhapur, përballë garës së vitit të ardhshëm për president të vendit. Partia e ndarë Socialiste, e cila zgjedhjet e brendshme i fillon në korrik, nuk ka fituar asnjë garë presidenciale në 24 vjetët e fundit.

Domenik Shtraus Kan
Ndonëse ende nuk e kishte zyrtarizuar kandidaturën e tij, Shtraus Kan ishte konsideruar si një favorit i qartë dhe kishte ngjitur majat e sondazheve.

Telashet e Kanit janë thelluar edhe më shumë të hënën, pasi një shkrimtare franceze, Tristejn Banon, ka dhënë shenja nëpërmjet avokatit të saj, se mund të ngrejë një kallëzim penal kundër tij, mbi dyshimet për keqtrajtim seksual, gjatë një interviste të vitit 2002.

E ëma e shkrimtares, Ana Mansuret, këshilltare e Partisë Socialiste dhe mike personale e Shtraus Kanit, e ka shpjeguar përvojën e së bijës në një televizion francez, me datën 15 maj.

"Ajo më tha se ç’kishte ndodhur. Më tha se ai ishte hedhur mbi të - me këto fjalë ma ka përshkruar. E kam gjetur të veshur me xhinse të grisura dhe një take të thyer. Ishte vërtetë shumë e frikësuar, e shtangur dhe e habitur”, ka thënë zonja Mansuret.

Ajo ka thënë se e kishte bindur të bijën atëbotë që të mos e padisë Shtraus Kanin, një vendim ky për të cilin Banon sot thotë se pendohet.

Në Nju Jork, data e ardhshme për zotin Shtraus Kan që të dalë në gjykatë, është caktuar e premtja, 20 maj.
XS
SM
MD
LG