Ndërlidhjet

logo-print
Përfaqësuesit e qeverisë dhe ata të opozitës kundërshtojnë ashpër idetë e ndarjes së Kosovës, që po lansohen këto ditë nga zyrtarë në Beograd. Çdo zgjidhje që bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës, për Prishtinën zyrtare konsiderohet e papranueshme.


Opsionet e ndarjes së Kosovës vazhdojnë të kundërshtohen me ngulm nga përfaqësuesit politikë në Prishtinë.

Ndërsa zyrtarë në Beograd, ditëve të fundit, në disa raste e kanë përmendur edhe ndarjen si një prej opsioneve, duke apostrofuar veriun e Kosovës, ata në Prishtinë thonë se zgjidhjet për problemet në Kosovë duhet kërkuar brenda Kushtetutës së Kosovës dhe jo në bisedime me Serbinë.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se janë institucionet dhe qytetarët e Kosovës ata që vendosin për Kosovën, e jo Serbia. Për temat që mund të bisedohen me Serbinë, ai thotë se ka edhe vija të kuqe.

“Ne marrim pjesë aktive në çështjen e dialogut. Nuk kemi ndonjë iluzion se gjërat do të lëvizin shumë shpejt. Por, ne do të jemi specifikë në kërkesat tona, në të drejtën tonë, e njëkohësisht edhe në zgjidhjet, të cilat duhet të jenë në kuadër të objektivave tona politike, kufizimeve kushtetuese që i kemi dhe standardeve ndërkombëtare”.

“Në këtë drejtim dëshirojmë zgjidhje të qëndrueshme dhe jo zgjidhje për hir të kohës”,
thotë Kuçi.

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kujtim Shala, thotë se bisedimet me Serbinë janë politike, ndërsa e kundërshton ashpër futjen e veriut si temë në agjendën e këtyre bisedimeve.

Shala thotë se as idetë për reciprocitet zgjidhjesh, duke krahasuar Luginën e Preshevës me veriun e Kosovës, nuk mund të jenë objekt diskutimi me Serbinë, sepse në këtë mënyrë vetvetiu do të hapej edhe çështja e ndarjes.
Çështja e veriut është çështje e Kosovës dhe problemet në veri ndodhin sepse ndërhyn Serbia.

“Nëse kërkohet reciprocitet, i bie që është hapur tema e veriut dhe është hapur tema e ndarjes. Ndërkaq, është e palejueshme që të hapet një temë e tillë. Çështja e veriut është çështje e Kosovës dhe problemet në veri ndodhin sepse ndërhyn Serbia. Por, Serbia çdo ditë shkel sovranitetin e Kosovës”, thotë Shala.

Zgjidhjet që do të çonin kah ndarja e veriut të Kosovës janë luftënxitëse, thotë në anën tjetër sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani.

Ai thotë se Qeveria e Kosovës duhet të vendosë menjëherë sundimin e rendit dhe ligjit në veri. Kjo, sipas tij, do të ishte përgjigjja më e mirë që Kosova mund t’iu japë deklaratave të zyrtarëve serbë për ndarjen e Kosovës.

Ramadani i kundërshton edhe idetë e përqendrimit të bisedimeve në temën e veriut të Kosovës dhe kërkesat për reciprocitet me Luginën e Preshevës.

“Kjo logjikë e zgjidhjes së konflikteve besoj se është e tejkaluar, sepse kjo hap rrugë për ndryshimin e pothuajse të gjithë kufijve të Ballkanit. Nuk është e pranueshme. Ne duhet ta funksionalizojmë shtetin e Kosovës”, thekson Ramadani.

Bisedimet Prishtinë - Beograd, të cilat po zhvillohen aktualisht, janë paralajmëruar në vazhdimësi si teknike. Por, që nga fillimi, një pjesë e spektrit politik në Prishtinë si dhe analistët kishin parashikuar se ato mund të përfundojnë me inicimin e temave politike, duke përfshirë sidomos çështjen e veriut të Kosovës.

Një temë e tillë nuk është hapur dhe të paktën zyrtarisht nuk është paralajmëruar se do të hapet. Por, kohë pas kohe, nga Beogradi dërgohen sinjale përmes deklarimeve publike, se një ditë edhe kjo çështje, edhe ndarja do të jenë në tavolinën e bisedimeve.

Lexoni edhe këtë:
Dialog teknik për përfitime politike
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG