Ndërlidhjet

Sa humbin Serbia dhe Bosnja?


Po qe se Kosova vendos masa reciprociteti ndaj Serbisë dhe Bosnjës, humbjet për këto dy shtete do të jenë të mëdha, thonë ekspertët.
Po qe se Kosova vendos masa reciprociteti ndaj Serbisë dhe Bosnjës, humbjet për këto dy shtete do të jenë të mëdha, thonë ekspertët.
Të dhënat zyrtare të institucioneve të Kosovës tregojnë se eksporti i Serbisë në Kosovë vazhdon të dominojë. Gjatë vitit 2010, Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina kanë eksportuar mallra në Kosovë në vlerë prej 300 milionë eurosh. Ky trend ka vazhduar edhe gjatë 2011-ës, thonë përfaqësuesit e bizneseve.


Është çështje javësh kur ekzekutivi i vendit do të vendosë masa reciproke ndaj produkteve të importuara nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Të paktën ky është paralajmërimi i dhënë nga përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, nisur nga fakti se Serbia e Bosnja, që nga 2008-a, kanë bllokuar produktet kosovare, duke kundërshtuar vulat e Republikës së Kosovës që i përmbajnë këto produkte.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavilevci, thotë se importi nga Serbia, në dy vjetët e fundit, ka shënuar rritje.

“Importi nga Serbia, në vitin 2010, ka pasur një ngritje prej 22%, në krahasim me vitin 2009. Gjatë këtij viti, mallrat nga Serbia që janë importuar në Kosovë, kapin vlerën prej 209 milionë eurosh, ndërsa në vitin 2010 kjo shifër është rritur në 255 milionë euro. Produket janë kryesisht ushqimore”, thotë Stavilevci për Radion Evropa e Lirë.

Në dy vjetët e fundit, shton ai, rritje ka pësuar edhe importi i Bosnjë e Hercegovinës, ndërsa produktet që vijnë nga ky shtet janë kryesisht produkte për pastrim.

Përfaqësuesit e bizneseve të Kosovës dhe ekspertët e çështjeve ekonomike kanë mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për masa reciproke ndaj dy vendeve në fjalë. Sipas tyre, këto masa është dashur të vendosen edhe më herët.

Agron Demi, nga Instituti për Hulumtime dhe Studime të Avancuara, thotë se, pavarësisht faktit që Kosova është bërë pjesë e marrëveshjeve të ndryshme rajonale, në tregun kosovar vazhdimisht ka pasur bilanc negativ tregtar.

“Në fund të vitit 2010, Kosova ka shënuar një deficit tregtar prej 2.1 miliardë eurosh me të gjitha vendet anëtare të CEFTA-s dhe të BE-së. Rrjedhimisht, Kosova importon shumë më shumë sesa që eksporton mallra në vendet e rajonit dhe në vendet e BE-së”.

“Vetëm nga Serbia ne kemi importuar mallra në vlerë prej 260 milionë eurosh, ndërsa nga Bosnja në vlerë prej 83 milionë eurosh vetëm në vitin 2010. Ndërkaq, kemi eksportuar në mënyra të ndryshme - në Serbi dhe në Bosnjë total rreth 4 milionë euro, çfarë është një deficit i lart tregtar”,
thekson Demi.

Të dhënat e fundit nga Tregtia e Jashtme e Kosovës, të publikuara nga Enti i Statistikave, tregojnë për një deficit tregtar për muajin shkurt, 2011, në vlerë prej 123,2 milionë eurosh. Në shkurtin e 2010-ës, vlera e deficitit ishte 111,8 milionë euro.

Sipas këtyre të dhënave, përqindja më e madhe e importit është nga Serbia, me 12.9 për qind, ndërsa Bosnjë e Hercegovina - 2.3 për qind.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë se institucioneve vendore u ka munguar gatishmëria për të marrë masa reciproke.

CEFTA, vendet anëtare
“Nëse këto masa nuk merren në tërë territorin e Kosovës, nuk do të arrihet qëllimi i duhur. Nëse vendoset që vetëm mallrat me akcizë të mos hyjnë në pikën 1 dhe 31, por të hyjnë në pikat tjera, dhe nëse dogana dhe policia kosovare nuk do të jenë në këto pika, do të jetë e pakuptimtë të merret një vendim i tillë nga institucionet e Kosovës”, deklaron Shahini.

Mosrespektimi i marrëveshjes për tregti të lirë nga ana e Serbisë dhe Bosnjës, Agron Demi thotë se i ka shkaktuar humbje të konsiderueshme Kosovës. Por, nëse Qeveria e Kosovës do të vendosë masa reciproke, humbjet për këto dy shtete do të jenë edhe më të mëdha, shton ai.

Serbia dhe Bosnja, për shkak të këtyre masave, do të shtyhen që t’i pranojnë vulat e Kosovës, sepse ato do të humbin shumë më shumë. Bizneset serbe, të cilat ekspertojnë mallra në Kosovë, do të bëjnë presion më të madh te qeveria e tyre që t’i pranojë vulat e Kosovës, përndryshe do të humbasin treg”, thotë Demi.

Republika e Kosovës, këtë vit, kryeson Marrëveshjen për Tregti të Lirë me Evropën Qendrore, mekanizëm ky që në 2010-ën është udhëhequr nga Serbia.
XS
SM
MD
LG