Ndërlidhjet

BE: Takim konstruktiv


Bruksel
Bruksel

Zyrtarët e Bashkimit Evropian raundin e fundit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e quajtën si konstruktiv.

Ata thanë se në disa pika palët janë afruar me qëndrime dhe kanë shprehur bindjen që në takimet e radhës mund të arrihet edhe ndonjë marrëveshje konkrete.

Në një deklaratë të lëshuar nga Bashkimi Evropian, thuhet se takimi ka qenë konstruktiv dhe ka sjellë një numër çështjesh afër marrëveshjes.

Sipas kësaj deklarate të BE-së, në përgatitjet e takimeve të radhës të mërkurën u diskutuan edhe çështjet e personave të pagjetur, trashëgimisë kulturore dhe fetare, si dhe njohja e diplomave shkollore dhe universitare.

Bashkimi Evropian, përmes kësaj deklarate, bëri të ditur se takimi i radhës do të mbahet kah mesi i muajit qershor po në Bruksel.

Shefja e delegacionit të Kosovës, Edita Tahiri, ja se si e komentoi takimin e së mërkurës:

Takimi i parë në Bruksel...

“Mendoj se këto dy ditë ishin vërtet produktive. Na dhanë një mundësi për shqyrtimin final të zgjidhjeve të propozuara që janë zhvilluar gjatë periudhës së kaluar”.

“Mendoj se jemi afër marrëveshjes për çështjet e lëvizjes së lirë, tregut të lirë, për energji dhe telekomunikacion. Po ashtu i kemi hapur edhe disa çështje të reja, siç janë ajo e personave të pagjetur, çështja e dëmeve të luftës kundër trashëgimisë kulturore e fetare të Kosovës dhe për njohjen e diplomave të Republikës së Kosovës. Dy ditët e kaluara ishin të vështira, por ka pasur progres real”.

Edhe shefi i delegacionit të Serbisë, Borko Stefanoviq, e quajti takimin si përmbajtjesor, por tha se ka mundur të arrihet më shumë sukses sikur pala kosovare, sipas tij, të kishte qenë më konstruktive.

“Për çështjen e kadastrës dhe rregullimin e kësaj çështjeje që rëndon, edhe për çështjen e lirisë së lëvizjes, e cila u mundëson njerëzve që të lëvizin normalisht, janë me të vërtetë disa gjëra, cilat jam i sigurt se me ndihmën e BE-së, në periudhën e ardhshme me sukses do t’i zgjidhim dhe të lejojmë të zbatohen edhe ato zgjidhje, që e ruajnë pikëpamjen tonë për sovranitetin e Serbisë", u shpreh Stefanoviq.

Ai kështu e sheh arsyen për mungesë rezultatesh deri tash:

”Ekziston një qasje mbrojtëse e Prishtinës, e cila po përpiqet ta fitojë vërtetimin për të ashtuquajturën pavarësi gjatë gjithë kohës. Për shkak të kësaj shpeshherë ndodh që propozimet për çështjet konkrete nuk zgjidhen”.

Ndërsa, Bashkimin Evropian pohojnë se me kalimin e kohës disa shtete të BE-së po bëhen gjithnjë e më të padurueshme dhe duan të shohin një përparim më të shpejtë dhe rezultate konkrete në këtë dialog.

Mbetet të shihet se çfarë do të arrihet në periudhën e ardhshme, pra në raundin e ri që pritet të zhvillohet pas rreth një muaji.

Ndërkohë, është paralajmëruar se do të ketë takime të ndryshme të grupeve punuese dhe të ekspertëve.

XS
SM
MD
LG