Ndërlidhjet

"Washington Post"


Administrata e Obamës ka rritur presionin ndaj presidentit sirian, Bashar al-Asad, me vendosjen e sanksioneve ekonomike. Këto të fundit kanë në shënjestër financat e tij personale, ndërsa janë rezultat i goditjes brutale të qeverisë së tij ndaj protestuesve.

Është kjo hera e parë që një sundimtar penalizohet për përleshjet e vazhdueshme që kanë lënë mbi 900 të vdekur dhe mijëra të burgosur. Shtëpia e Bardhë nuk tha nëse lideri sirian duhet të japë dorëheqje.

“Presidenti al-Asad dhe regjimi i tij duhet menjëherë t’i japin fund përdorimit të dhunës, t’iu përgjigjen thirrjeve të popullit sirian për një qeveri më përfaqësuese dhe të fillojnë rrugën e reformave të rëndësishme demokratike”, tha zyrtari i Shtëpisë së Bardhë, Dejvid Kohen, teksa bënte publik njoftimin.

Urdhri ekzekutiv, i nënshkruar nga presidenti Obama, ngrin të gjitha pasuritë e Asadit në Shtetet e Bashkuara. Të njëjtat sanksione godasin edhe nënpresidentin Faruk al-Shara, kryeministrin Adel Safar, ministrin e Brendshëm, Muhamed Ibrahim al-Shar, ministrin e Mbrojtjes, Ali Habib Mahumud, shefin e Inteligjencës ushtarake, Abdul Fatah Kudsia, dhe udhëheqësin e politikave të sigurisë, Muahmed Dib Zaitoun.

Zyrtarët e administratës nuk e kanë përcaktuar sasinë e pasurisë, që mund të jetë në pronësi të Asadit apo të rrethit të tij të brendshëm. Por, Elliot Abrams, këshilltar i lartë i sigurisë kombëtare në administratën e Bushit, njëherësh kritik i shpeshtë i politikës së jashtme të Obamës, thotë se vendosja e sanksioneve ndaj Asadit është një veprim i rëndësishëm, qoftë ai edhe simbolik.

Bashar al-Asad

“Shumë sirianë besojnë se administrata e Obamës dëshiron që Asadi të qëndrojë në pushtet. Kjo masë ndihmon për ta ndryshuar këtë pikëpamje”, thotë Abrams.

Sipas tij, Shtëpia e Bardhë duhet të vazhdojë me thirrjet për largimin e Asadit. “Regjimi i tij është i egër, i dhunshëm dhe i korruptuar, andaj ne duhet ta bëjmë atë”, thotë Abrams.

Ndonëse në mënyrë të përsëritur ka dënuar dhunën në Siri, administrata e Obamës nuk ka bërë thirrje për dorëheqjen e Asadit dhe nuk ka thënë ndonjëherë se ai e ka humbur legjitimitetin si lider i Sirisë.

Protestuesit kanë vazhduar të mbushin rrugët çdo të premte, me gjithë goditjen e forcave të sigurisë dhe arrestimin e mijëra njerëzve. Një grup për të drejtat e njeriut në Spanjë, i cili përqendrohet kryesisht në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, thotë se ka regjistruar mbi 920 vdekje.

Gjatë tetë javëve përleshje, protestuesit janë ndjerë të lënë anash nga komuniteti ndërkombëtar, thotë njëri nga pjesëmarrësit në protesta. “Nuk ka dyshim se këto sanksione do të gjenerojnë një ndjenjë përgjegjësie te Asadi”, thotë ai.

Nëse sanksionet do ta nxisin regjimin të çlodhet nga politika e hekurt kundër kundërshtarëve të tij, mbetet mëdyshje. Të mërkurën, Asad është cituar të ketë pranuar “gabimet” e forcave të sigurisë në trajtimin e revoltës.

Pasi protestat e të premteve e kanë bërë të qartë se brutaliteti nuk mund t’i shtypë kundërshtarët, qeveria ka ofruar një “dialog kombëtar” me liderët e opozitës.

“Por, regjimi i Asadit është në një terren shumë të rrëshqitshëm”, thotë Murhaf Xhojati, ekspert i Lindjes së Mesme. “Edhe me reforma kozmetike, ata nuk do të mund të kënaqin kulturën e protestave rezistuese, që ka përfshirë rrugët”, konkludon ai. (v.t.)

XS
SM
MD
LG