Ndërlidhjet

Janë dhjetë vjet argument shumë i madh se Marrëveshja e Ohrit është jofunksionale, thotë për Radion Evropa e Lirë Menduh Thaçi, kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Thaçi, oferta e Partisë Demokratike Shqiptare në këto zgjedhje është marrëveshja e re politike, si mundësi për të eliminuar pikat që e bëjnë jofunksional sistemin shtetëror në Maqedoni. Ku e mbështetni besimin tuaj se do të hasni në mirëkuptim tek elektorati në këtë drejtim?
MENDUH THAÇI
Kam punuar shumë në këtë drejtim. Tanimë ka dy vjet që kjo platformë ka qenë si projekt-marrëveshje me grupin e ekspertëve. Njëkohësisht, kam punuar edhe në terren një kohë të gjatë, për të marrë mbështetjen e popullit.

Më pas, dy muaj pas kongresit të partisë, kam punuar në drejtim të informimit të faktorëve të rëndësishëm, si në Tiranë ashtu dhe në Prishtinë, si dhe të komunitetit ndërkombëtar, për të sqaruar rëndësinë dhe nevojën e jetësimit të kësaj marrëveshjeje.

Tani mendoj se jemi shumë afër që kjo marrëveshje e re politike të legjitimohet si platformë për të gjithë shqiptarët.

RADIO EVROPA E LIRË
Ditëve të fundit keni pasur takime intensive me faktorin ndërkombëtar, ambasadorin e Bashkimit Evropian dhe atë të Shteteve të Bashkuara. Cili është reagimi i tyre kundrejt insistimit tuaj për marrëveshjen politike, si bazament për realizimin e interesave të shqiptarëve të Maqedonisë? Kur e them këtë, kam parasysh mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar për Marrëveshjen Ohrit...

MENDUH THAÇI

Është një formë e pyetjes që në opinion e kanë imponuar kundërshtarët tanë politikë. Bashkësia ndërkombëtare vetëm e kultivon vullnetin politik të një populli.

Unë mendoj se pasi që të legjitimohet kjo platformë, më 5 qershor, e vetmja fjalë që do të mund ta thotë faktori ndërkombëtar, do të jetë kjo: Duhet të bisedohet seriozisht me përfaqësuesit legjitimë të shqiptarëve të Maqedonisë për kërkesat e tyre legjitime.

Ne të gjithë si shqiptarë jemi ata, të cilët duhet të parët ta legjitimojnë këtë platformë dhe pastaj askush, as Amerika e as Evropa, nuk do të shkelë mbi vullnetin e një populli.

RADIO EVROPA E LIRË
Përse mendoni se marrëveshja e re politike do të jetë më funksionale sesa Marrëveshja e Ohrit?

MENDUH THAÇI

Janë dhjetë vjet argument shumë i madh se Marrëveshja e Ohrit është jofunksionale. E dyta, unë kam qenë negociatori kryesor i këtij dokumenti kornizë dhe kur e shoh në këtë dimension kohor, s’është aspak turp të konstatoj se kemi gabuar.

Për mua është turp nëse vazhdohet në atë rrugë, e cila nuk sjell kurrfarë suksesi.

Dhe e treta, mendoj se ne duhet patjetër, në mënyrë të saktë, t’i precizojmë kompetencat tona shtetërore brenda Maqedonisë. Pa qenë ne si shqiptarë në pozicionet vendimmarrëse, nuk kemi gjasa ta përmirësojmë statusin tonë.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë shtyllat bazë mbi të cilat ndërtohet kjo marrëveshje e re politike?

MENDUH THAÇI

Janë dy shtylla. E para ka të bëjë me vendimmarrjen politike. Nuk duhet të kemi shpresa se në këto institucione që ekzistojnë, në të cilat maqedonasit janë shumicë absolute, vendimmarrja politike do të jetë ndonjëherë pro shqiptare. Kjo mund të zgjidhet me parlament dydhomësh ose me senat.

Në dhomën e lartë duhet të jetë përfaqësimi i barabartë i popujve, 20 deputetë shqiptarë dhe 20 maqedonas, ndërsa çështjet duhet të vendosen me konsensus të plotë.

Shtylla e dytë e kësaj platforme ka të bëjë me buxhetin e shtetit. Informatat tona flasin se 35% krijohet nga taksat që mblidhen nga shqiptarët, kurse shqiptarëve u kthehen vetëm 2% përmes investimeve nga mjetet buxhetore.

Pra, këto janë dy çështjet kryesore për të përmirësuar pozitën tonë si shqiptarë, e cila është tejet e palakmueshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Opinionistët e këtushëm, por edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë, theksojnë se sfidë për qeverinë e ardhshme do të jetë zgjidhja e kontestit të emrit me Greqinë dhe zhbllokimi i procesit integrues. Kë e shihni ju si partner nga blloku politik maqedonas, i cili do të mund të ecte me sukses drejt realizimit të këtij qëllimi?

MENDUH THAÇI

Mendoj se dy janë sfidat e qeverisë së ardhshme. E para, me shqiptarët ata duhet t’i ridefinojnë raportet, ndërsa më pas është procesi euro-integrues. Unë mendoj se nuk mund të vazhdohet me këtë koncept të shtetit.

Menduh Thaçi gjatë intervistës dhënë Radios Evropa e Lirë.
Tanimë dhjetë vjet të plotë, pala maqedonase katërçipërisht na demonstron se ajo është padrone e shtetit, kurse ne shërbëtorë.

Njëkohësisht duhet të realizohet dhe procesi paralel - ai i zhbllokimit të procesit euro-integrues. Këto do të jenë dhe dy kushtet themelore për mundësinë e ringritjes së qeverisë së ardhshme të Maqedonisë.

E, sa u përket partive politike maqedonase që preferojmë si partner koalicioni në qeveri, nuk kam as paragjykime e as preferenca në këtë drejtim.

Aspak nuk mendoj se njëra është e mirë e tjetra e keqe, por mendoj se vullneti politik i maqedonasve do të përcaktojë partnerin e ardhshëm politik të shqiptarëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni rolin e politikëbërësve shqiptarë në zgjidhjen e kontestit të emrit? Konkretisht, cili do të jetë roli juaj në këtë drejtim?

MENDUH THAÇI

Roli i partisë që drejtoj, deri më tani ka qenë pasiv, por besoj se pas këtyre zgjedhjeve do të jetë super-aktiv. Përfundimisht, duhet t’i bëhet me dije palës maqedonase se ne nuk mund të jemi peng i saj.

RADIO EVROPA E LIRË
Autoritetet politike, si nga Prishtina ashtu dhe Tirana, kanë sugjeruar krerët e partive politike në Maqedoni për të krijuar një bllok të përbashkët, për të avancuar çështjen shqiptare. Si i shihni ju këto sugjerime?

MENDUH THAÇI

Mendoj se pak më ndryshe kanë qenë sugjerimet e zyrtarëve të lartë të Kosovës dhe Shqipërisë - se duhet një marrëveshje e re mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Dhe, duhet një përkujdesje e shpejtë dhe e jashtëzakonshme për aspektin social dhe ekonomik të shqiptarëve në Maqedoni.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Thaçi, ndonëse procesi zgjedhor në Maqedoni gjithmonë ka pasur një pikë të errët sa i përket pjesës së banuar me shumicë shqiptare, mendoni se kësaj radhe mund të përmirësohet ky imazh?

MENDUH THAÇI

Shumë vështirë, ngase konkurrenti ynë politik është grupacion që ka hyrë në politikë me armë. Krerët e atij grupacioni do të tentojnë ta rifitojnë legjitimitetin politik po me armë. Dhuna është në prag.

Megjithatë, unë kam shpresa se këtë nuk do ta bëjnë kësaj radhe, sepse nuk e kanë potencialin që kanë pasur. Unë besoj se populli opozitar, kësaj radhe, është i gatshëm të mbrojë votën me çdo kusht. Nuk mendoj se është mirë që ai të përdorë elemente jokorrekte dhe jodemokratike.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG