Ndërlidhjet

Serbët bllokojnë rrugën Zubin Potok - Ribariq


Rreth 200 qytetarë serbë kanë bllokuar në mesditën e së enjtes rrugën Zubin Potok-Ribariq.

Policia rajonale në Mitrovicë bëri të ditur se bllokimi i rrugës ka ardhur si rezultat i një proteste të serbëve, e mbajtur si shenjë kundërshtimi ndaj arrestimit të fundit të një personi, i cili dyshohet të jetë i përfshirë në krim të organizuar.

Zëdhënësi i Policisë rajonale në Mitrovicë, Besim Hoti, i tha Radios Evropa e Lirë se kjo rrugë vazhdon të jetë e bllokuar, por se automjetet mund të qarkullojnë përmes rrugëve anësore.

“Në bazë të informacioneve që kemi, dy mjete transportuese janë vendosur atje si mjet për ta bllokuar rrugën magjistrale”, njoftoi ai, për të shtuar se deri më tani nuk ka pasur ndonjë incident.

Arrestimi i serbit nga EULEX-i thuhet se ka ardhur si rezultat i hetimeve të kryera rreth krimit të organizuar, kontrabandës me karburante, shmangies së tatimit dhe shmangies mashtruese të taksave të importit dhe akcizës.
XS
SM
MD
LG