Ndërlidhjet

Përfaqësues të Ministrisë së Arsimit nuk po duken se i kanë vënë vetes prioritet që ta integrojnë në sistemin arsimor kosovar universitetin serb, të vendosur në veri të Mitrovicës. Ekspertë të arsimit thonë se përderisa ndahen mjete nga Qeveria e Kosovës për atë universitet, udhëheqës institucionesh duhet ta kthejnë nën ombrellën e Universitetit të Prishtinës.


Universiteti i Mitrovicës vepron në përputhje me legjislacionin dhe plan-programet e qeverisë serbe. Pakoja e Ahtisarit parasheh që ky universitet të jetë autonom, por statuti i tij të jetë konform legjislacionit kosovar.

Ramë Buja, ministër i Arsimit, thotë se po bën përpjekje që ta integrojë në sistemin e arsimit kosovar këtë universitet, por siç thotë zoti Buja, do të jenë shumë të kujdesshëm që të mos krijojmë pakënaqësi te komuniteti serb.

Ramë Buja

“Realisht, diçka konkrete nuk ka, por do të përpiqemi ta sjellim në pozicionin që ka qenë. Nuk duam që assesi të lëndojmë atë pjesë të stafit akademik studimor që është. Përpjekjet do të jenë të vazhdueshme, por jo pa kufi”.

“Hapat e parë janë bërë. Vështirësi ka edhe do të ketë, por jemi të gatshëm të hapim porta, në mënyrë që të mos pengojmë aspektin studimor. Ka diçka nga politika. Pakica serbe ka ato pakënaqësi që ka dhe do të jemi të kujdesshëm që të mos krijojmë pakënaqësi tek asnjë etni, e as tek ajo serbe”,
thotë Buja.

Nfërkaq, ekspertë të arsimit vlerësojnë se çështjet politike kanë ndikuar që Universiteti serb në Mitrovicë të mbetet jashtë sistemit të arsimit kosovar.

Jonuz Salihu shpreh mendimin se udhëheqës institucionesh asnjëherë nuk e kanë trajtuar si çështje prioritare kthimin e Universitetit të Mitrovicës nën ombrellën e Universitetit të Prishtinës, edhe pse, siç thotë ai, për të ndahen para nga buxheti i Kosovës.

“Më brengosës është fakti se as kryeministri e as ministri i Arsimit fare nuk e kanë si prioritet këtë universitet. Ata nuk e përmendin si universitet në kuadër të Kosovës. Nuk është për t’u çuditur që praktikisht e ka statusin përjashtues që, pa dyshim, është i dëmshëm, sepse kemi të bëjmë me një rast që e politizon arsimin. Qeveria ndan mjete për të, andaj duhet ta konsiderojnë si trup të vetin dhe mandej të kërkojnë prej të tjerëve që ta konsiderojnë si të tillë”, shprehet Salihaj.

Ndërkaq, njëri nga përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, Rangjell Nojkiq, pati deklaruar për Radion Evropa e Lirë se e sheh të vështirë integrimin e Universitetit të Mitrovicës në sistemin e arsimit kosovar, sepse, siç pati thënë ai, plan-programi i Universitetit Publik të Prishtinës është krejtësisht i kundërt me atë të Mitrovicës, andaj ai vlerëson se është një proces i gjatë dhe tash për tash një gjë e tillë nuk mund të ndodhë.

Në anën tjetër, Dukagjin Pupovci, nga Qendra për Arsim e Kosovës, konsideron se ekzistojnë të gjitha parakushtet që ky institucion të menaxhohet nga autoritetet vendore.

Kurse, situatën aktuale me Universitetin e Mitrovicës ai e sheh si politike.

Universiteti i Prishtinës
“Unë mendoj se kjo është një çështje thellësisht politike dhe nuk besoj se normalizimi i raporteve do ta kthejë Universitetin e Mitrovicës nën administrimin e institucioneve të Kosovës, në momentin që komuniteti serb e njeh autoritetin e Republikës së Kosovës. Kjo është një çështje krejt teknike, sepse Ligji i tashëm mbi arsimin në komuna i jep Universitetit të Mitrovicës një autonomi jashtëzakonisht të madhe".

"Ndërsa, autorizimin për ta menaxhuar atë universitet ia jep Komunës së Mitrovicës veriore, e cila nuk është formuar ende. Me pranimin e atij ligji nga komuniteti serb, me formimin e komunës së Mitrovicës veriore, do të jetë shumë e qartë se kush e administron universitetin , pra do të jetë komuna serbe e Mitrovicës veriore”,
thekson Pupovci.

Analistët vlerësojnë se Pakoja e Ahtisarit u ka dhënë të drejta të avancuara serbëve në të gjitha fushat, e veçanërisht në arsim.

Serbët mund të përdorin plan-programet dhe tekstet e Qeverisë. Ndërsa, me këtë pako, përgjegjësinë për Universitetin Publik të Mitrovicës nuk e ka Prishtina zyrtare, por vetë Komuna e Mitrovicës.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG