Ndërlidhjet

Përfaqësues nga shoqëria civile sërish shprehën shqetësimin e tyre lidhur me nivelin e lartë të korrupsionit në Kosovë.

Drejtues të organizatës joqeveritare “Demokracia në Veprim”, thanë se institucionet e vendit duhet të jenë më shumë të angazhuara për ta luftuar këtë dukuri.


Ismet Kryeziu, drejtor i Institutit Demokratik të Kosovës, thotë se nuk mjafton që shoqëria e vetme të angazhohet në luftën kundër korrupsionit, derisa institucionet e vendit nuk janë të interesuara të bashkëpunojnë për ta luftuar këtë dukuri.

“Nga praktikat e deritashme ne kemi theksuar, e gjithë shoqëria, se mungon vullneti politik për luftën kundër korrupsionit. Përgjegjësit politikë dhe institucionalë të Kosovës duhet të jenë më shumë të angazhuar për ta luftuar këtë dukuri duke përfshirë edhe EULEX-in. Ne, si qytetarë, jemi të zhgënjyer nga pritjet tona për luftën kundër korrupsionit”, tha Kryeziu.

“Demokracia në Veprim”, e cila është pjesë e organizatës Transparency International, bëri publikimin e një raporti lidhur me raportimet në media se sa shkruhet për korrupsionin.

Besnik Ramadanaj nga KDI-ja, tha se një nga instrumentet e luftimit të korrupsionit padyshim se është edhe media dhe roli i saj nëpërmjet hulumtimeve dhe raportimeve të rasteve të korrupsionit.

Sipas Ramadanajt, një element tjetër që e pengon zhvillimin e gazetarisë hulumtuese është edhe pengesa që u krijohet gazetarëve në qasjen në dokumentet zyrtare.

“Ne kemi publikuar raportin e mediave të shkruara për monitorimin e korrupsionit në Kosovë. Ajo që ne konsiderojmë se me rëndësi është pengesa që u krijohet gazetarëve për mosqasjen në dokumentet zyrtare. Në debate është folur edhe për presionet e kërcënimet e gazetarëve. Gazetarët nuk e kanë mbështetjen e duhur, gjë që është një pengesë për të raportuar kundër korrupsionit”, theksoi Ramadanaj.

Lufta kundër korrupsionit ishte temë debati edhe në Kuvendin e Kosovës.


Deputetët deklaruan se shumat e raportuara për korrupsion nuk janë reale, duke thënë se ato janë shumëfish më të larta.

Hykmete Bajrami, nga radhët e LDK-së, u shpreh:

“Vlera totale e dëmit që i është shkaktuar buxhetit të Kosovës është 10 milionë euro, por ne nuk pajtohemi, sepse mendojmë se kjo shifër është shumë më e lartë”.

“Demokracia në Veprim” njoftoi të premten se ka thelluar bashkëpunimin me organizatën ndërkombëtare Transparency International dhe KDI-në në Kosovë.

Sipas Ismet Kryeziut, në vitin 2012 Transparency Internacional do të ketë edhe zyrën e vet në Prishtinë, për të vepruar në luftën kundër korrupsionit.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG