Ndërlidhjet

Premtime për zgjidhjen e kontestit të emrit


Maqedoni, nga tubimet e partive...
Maqedoni, nga tubimet e partive...
Zgjidhja e kontestit rreth emrit me Greqinë, qëndron si prioritet në programet zgjedhore të të gjitha partive politike në Maqedoni. VMRO-DPMNE në pushtet shprehet e gatshme për vazhdimin e negociatave, por thotë se nuk do të pranojë asnjë zgjidhje të imponuar. Partitë opozitare, nga ana tjetër, thonë se zgjidhja duhet të arrihet sa më shpejt që të jetë e mundur. Madje, disa prej tyre paralajmërojnë zgjidhjen që në 100-ditëshin e parë të qeverisjes, kuptohet nëse fitojnë mandatin.


Ministri aktuale i Punëve të Jashtme nga radhët e VMRO DPMNE-së, Antonio Milloshoski, thotë se pas zgjedhjeve parlamentare të 5 qershorit do të ketë intensifikim të bisedimeve rreth çështjes së emrit me palën greke, por Maqedonia, sipas tij, në asnjë moment nuk do të pranojë zgjidhje të imponuara.

Pavarësisht negociatave, zgjidhja sipas Milloshoskit, duhet të verifikohet në referendum nga ana e qytetarëve të Maqedonisë.

“Qeveria e VMRO DPMNE-së, sikur deri më tani, ashtu edhe në të ardhmen, nuk do të pranojë zgjidhje të imponuara. Ne, si shtet që jemi të prekur nga ky problem, si në aspektin e integrues, ashtu edhe në atë nacional, konsiderojmë se duhet ta themi fjalën tonë për zgjidhjen e këtij problemi iracional”.

Ne edhe në të ardhmen, do të vazhdojmë angazhimin tonë në mbylljen e këtij problemi absurd dhe presim angazhim më të madh edhe nga OKB-ja, pra, edhe pas 5 qershorit, jemi për vazhdimin e dialogut, por të dialogut me argumente”, thotë Milloshoski.

Por, nga Bashkimi Demokratik për Integrim, që është partner i VMRO DPME-së, në qeverinë aktuale, thonë se prioritet kanë zgjidhjen e kontestit rreth emrit.

“Sigurisht që në programin e partisë tonë ne këtë e kemi përcaktuar si një nga prioritetet kryesore, meqë lidhet me disa procese tjera, në veçanti me ato euro-integruese, si dhe me stabilitetin e rajonit. Me siguri se një nga kërkesat kryesore në qeverisjen e ardhshme, nëse ne do të jemi pjesë e saj, do të jetë që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejt që të jetë e mundur “, shprehet Abdylaqim Ademi, zëvendëskryeministër aktual dhe shef i Shtabit zgjedhor të BDI-së.

Zgjidhjen e këtij kontesti si prioritet programor e ka edhe Lidhja Social-demokrate e opozitës. Kjo çështje do të jetë prioriteti numër një, pasi, sipas LSDM-së, Maqedonia duhet t’i japë fund izolimit ndërkombëtar, në të cilin e ka futur pushteti i deritashëm.

Mirëpo, zgjidhja, sipas partisë së Branko Cërvenkovskit, nuk duhet t’i rrezikojë interesat nacionale të popullit maqedonas.

Qëndrimi ynë lidhur me këtë çështje është se vendimi, i cili do të miratohet, duhet të jetë në përputhje me interesat nacionale dhe shtetërore, pra të ketë një konsensus mes të gjitha partive politike”, thekson Andrej Petrov, sekretar i përgjithshëm i LSDM-së.

Zgjidhje të shpejtë të kontestit rreth emrit kërkojnë edhe nga partitë tjera opozitare, të cilat prioritet kanë integrimin e vendit në NATO dhe BE.

Ndërkohë, opozita shqiptare thotë se në rast se merr mandatin nga populli, në 100-ditëshin e parë të qeverisjes do ta mbyllë çështjen e emrit.

“Ne i kuptojmë maqedonasit se kjo është një çështje emocionale, sensibile për ta, por konsiderojmë se shqiptarët nuk mund të jenë viktima për shkak se maqedonasit apo subjektet e tyre politike nuk mund të gjejnë gjuhë të përbashkët për këtë çështje. Nëntëdhjetenëntë për qind e shqiptarëve në bazë të anketave, dëshirojnë të jenë pjesë e civilizimit evropian”, thotë Flora Kadriu, nënkryetare e Demokracisë së Re.

Si pasojë e moszgjidhjes së kontestit rreth emrit me Greqinë, Maqedonia nuk arriti të anëtarësohet në NATO në samitin e Bukureshtit, ndërsa edhe gjashtë vjet nga marrja e statusit të shtetit kandidat, nuk arriti t’i nisë bisedimet për anëtarësim në BE, pasi këto procese në vazhdimësi janë kushtëzuar nga Athina me zgjidhjen e kontestit rreth emrit.
XS
SM
MD
LG