Ndërlidhjet

KQZ-ja ndërpret numërimin


Tiranë 20 maj 2011

Tiranë 20 maj 2011

Të shtunën, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të ndërpresë përkohësisht numërimin e votave të kontestuara në zgjedhjet e 8 majit.

Kreu i KQZ-së, Arben Ristani, tha se procesi do të rifillojë pasi të dalë dhe tabela e rezultateve të KZAZ-së numër 49, që i përket njësisë bashkiake numër 5, në Tiranë, ku numërimi nuk ka përfunduar ende.

Megjithatë, KQZ-ja vazhdoi mbledhjet me shqyrtimin e ankesave të partive politike lidhur me procesin zgjedhor. Disa prej tyre kërkonin shpallje të pavlefshmërisë së zgjedhjeve në qendra të ndryshme votimi.

Ndërprerja e procesit të numërimit të votave të kontestuara për Bashkinë e Tiranës, nuk i ka ndalur protestat opozitare.

Deputetë të kësaj force politike jashtë dyerve të ndërtesës së KQZ-së, i bënë thirrje kryetarit të këtij institucioni të heqë dorë nga ajo që e cilësuan manipulim i rezultatit për Bashkinë e Tiranës.

Socialistët u shprehën të bindur se kjo garë është fituar nga Edi Rama. Për shkak të situatës së krijuar në Tiranë, Brukseli zyrtar sërish reagoi me deklaratë. Nëpërmjet zëdhëneses së saj, komisionarja e lartë për Politikë të Jashtme, Ketrin Eshton, fton palët të gjejnë zgjidhje për situatën.

Deklarata fton KQZ-në të punojë në mënyrë të pavarur, si dhe garanton për ndihmën e BE-së për kapërcimin e situatës.

Edhe në Tiranë, diplomatët e huaj këto ditë kanë qenë mjaft aktivë. Të shtunën, ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, kreu i misionit të BE-së në Shqipëri, Etore Sekui, dhe ambasadori i OSBE-së, Eugen Uolfath, u takuan me presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi.

Pas takimit, kreu i shtetit bëri thirrje për qetësi dhe distancim nga retorika e ashpër. Ambasadorët apeluan që të respektohet ligji deri shpalljen e rezultatit përfundimtar.

Në një deklaratë për shtyp, kryeministri Sali Berisha garantoi se shteti ligjor i ka të gjitha potencialet t’i japë zgjidhje garës së ngushtë për Tiranën dhe se rezultati siç tha, do të dalë përmes një procesi ligjor.


* * * * *

Raporti i publikuar i vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE-ODIHR-it, për numërimin e votave, vlerëson se nuk ka bazë ligjore që e arsyeton numërimin e fletëve të votimit, të cilat janë hedhur në kutitë e gabuara.

OSBE-ODIHR e jep këtë vlerësim duke u mbështetur në faktin se Kodi Zgjedhor i Shqipërisë “nuk e parashikon drejtpërdrejt vlefshmërinë e fletëve të votimit gjetur në një kuti votimi, të ndryshme nga ajo që i korrespondon llojit të zgjedhjes për atë fletë”.

Raporti i organizatës ndërkombëtare kujton se edhe “anëtarët e grupeve të numërimit ishin trajnuar për t’i konsideruar fletët e tilla të votimi si të pavlefshme dhe fletët e votimit të hedhura gabim ishin konsideruar të pavlefshme në Tiranë deri në mbylljen e numërimit për kryetar bashkie të Tiranës më 14 maj“.

Menjëherë pas përfundimit të votave për kreun e kryeqytetit shqiptar, kandidati socialist, Edi Rama, e kishte shpallur veten fitues me vetëm 10 vota para kandidatit demokrat, Lulzim Basha.

Ky rezultat nuk është zyrtarizuar asnjëherë, ndërsa tensionet janë shtuar në masë të madhe nga protestat e mbështetësve të Partisë Socialiste, të cilët disa herë kanë tentuar të hyjnë me forcë në brendi të KQZ-së.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG