Ndërlidhjet

Maqedoni: Pushteti refuzon duelet me opozitën


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Fushata elektorale në Maqedoni po përcillet me tone të ashpra polemizuese, ndërmjet pozitës dhe opozitës. Palët nuk po kursejnë akuza dhe etiketime nga më të ndryshmet për oponentët politikë.

Në këtë kuadër nuk kanë munguar as incidentet apo pretendimet se kundërshtari përgatitë skenarë për prishjen e gjithë procesit elektoral.

Por, deri më sot për të gjitha këto dukuri nuk është zhvilluar asnjë ballafaqim në media ndërmjet aktorëve kryesorë të skenës politike, pasi pavarësisht ftesave të vazhdueshme të opozitës, ato janë refuzuar apo ironizuar nga partia në pushtet VMRO-DPMNE e kryeministrit Nikolla Gruevski.

Duke e komentuar refuzimin e dueleve, analisti Xhelal Neziri, thotë se kjo është papërgjegjësi e madhe që mund të interpretohet edhe si shfaqje e frikës për ballafaqim me opozitën.

“Refuzojnë të dalin në duel me partitë opozitare, apo oponentët e tyre, me qëllim që të mos rrënojnë realitetin e rrejshëm që ata kanë krijuar. Edhe në rastin e refuzimit të ofertës për duel nga kryeministri Nikolla Gruevski me liderin e opozitës, Branko Cëervenkovski, qëndron frika për rrëzimin e realitetit të ndërtuar me shumë mund, me shumë para me makinerinë propagandistike që ka kjo qeveri”, thotë Neziri.

Nga partia e kryeministrit Gruevski kanë thënë se dueli i vetëm, që ata do të përballen, është populli me të cilin do të takohen në kuadër të fushatës elektorale. Por, nuk kanë munguar edhe paraqitjet e tyre në dy mediumet, pronarët e të cilëve janë, po ashtu, kuadro apo partnerë në bashkëqeverisjen e deritashme.

Qasja e këtillë selektive, sipas analistit Marko Troshanovski, bëhet me qëllim që liderët t’u shmangen situatave të pakëndshme, por, kjo në anën tjetër, dëmton votuesit që duhet të përcaktohen për ofertat e tyre politike.

“Kjo, në mënyrë të drejtpërdrejtë pamundëson votuesin që të jetë i informuar mbi zgjedhjen që duhet të bëjë para se të realizojë aktin e votimit, pasi qytetari nuk do ta ketë të lehtë të përcaktohet nëse paraprakisht nuk bën një krahasim të programeve partiake që ofrohen. Për këtë, atij do t’i ndihmonte në masë të madhe sikur të kishte duele me prezantim të ofertave nga partitë që synojnë marrjen e pushtetit. Veprimet e këtilla të liderëve të caktuar politikë dëmtojnë demokracinë në vend”, vlerëson Troshanovski.

Duele televizive nuk janë realizuar as ndërmjet partive shqiptare, që sipas analistit Xhelal Neziri, janë jo më pak të rëndësishme se duelet ndërmjet partive maqedonase, pasi qytetarët duhet të jenë mirë të informuar se kujt duhet t’ia japin mandatin e përfaqësimit në këto zgjedhje.

“Duelet, debatet mes aktorëve kryesorë të politikës shqiptare në Maqedoni, por edhe asaj maqedonase, janë më se të domosdoshme për t’u parë, për t’u kuptuar realiteti për atë që quhet mandat qeverisës apo tre vjet të kaluara në pushtet. Pra, ata duhet të ballafaqohen para opinionit me qëllim që opinioni para zgjedhjeve të krijojë një mendim se kush duhet të shpërblehet, e kush duhet të dënohet me votën që do të jepet më 5 qershor”, thekson Neziri.
XS
SM
MD
LG