Ndërlidhjet

Kandiq: Dialogu nuk zgjidh çështjen e të pagjeturve


Natasha Kandiq
Natasha Kandiq
Ka disa vjet që kemi heshtje në Kosovë dhe Serbi. Nuk ka informacione për varrezat masive dhe për atë se çfarë ka ndodhur me njerëzit. Dialogu ndërmjet Prishtinës e Beogradit është një mundësi e mirë për të adresuar çështjen e personave të pagjetur, por dialogu nuk është korniza më e mirë për t'i diskutuar e zgjidhur ato çështje”, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, drejtorja e Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, Natasha Kandiq.


RADIO EVROPA E LIRË
Zyrtarët në Prishtinë kanë paralajmëruar se shumë shpejt do ta vendosin çështjen e personave të pagjetur në agjendën e bisedimeve me Beogradin. A mund të trajtohet kjo çështje si çështjet e tjera teknike, për të cilat është duke u diskutuar?

NATASHA KANDIQ
Besoj thellësisht se çështja e personave të pagjetur dhe ajo e krimeve të luftës nuk mund të jenë çështje teknike. Për momentin, i kemi 1800 persona të pagjetur, prej të cilëve rreth 1400 shqiptarë e rreth 400 serbë, romë e të tjerë.

Mendoj se çështja e të pagjeturve dhe e krimeve të luftës është çështja më e rëndësishme për të ardhmen dhe për njerëzit në Kosovë e Serbi, sepse është shumë me rëndësi të pranohet ajo që ka ndodhur në të kaluarën. Mendoj se është e vetmja mënyrë për t'i pajtuar shoqëritë në Kosovë e Serbi.

Gjykata Ndërkombëtare për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi ka organizuar disa gjykime shumë të rëndësishme që ndërlidhen me krimet në Kosovë, duke i pasur parasysh gjithnjë rastet e personave të pagjetur, për të cilët besohej se janë të vdekur - pra, e rëndësishme është të lokalizohen mbetjet e tyre.

Tani, ka disa vjet që kemi heshtje në Kosovë dhe Serbi. Nuk ka informacione për varrezat masive dhe për atë se çfarë ka ndodhur me njerëzit. Dialogu ndërmjet Prishtinës e Beogradit është një mundësi e mirë për të adresuar çështjen e personave të pagjetur, por gjithnjë duke e ndërlidhur me krimet e luftës. Mirëpo, dialogu nuk është korniza më e mirë për t’i diskutuar e zgjidhur ato çështje.

Besoj se gjykatat për krime lufte dhe iniciativat rajonale, si KOMRA, apo një komision rajonal që do t’i mbledhë faktet për krimet e luftës, janë mundësi e mirë për të nisur, më në fund, trajtimin e çështjeve që kanë të bëjnë me krimet e luftës, me vetë krimet e luftës dhe viktimat e tyre - përfshirë personat e pagjetur.

Për momentin, kemi gjithandej në rajon një fushatë për të mbështetur iniciativën KOMRA. Kam ardhur në përfundim se ekziston nevoja që të nisim, në kuadër të komunikimit rajonal, diskutimet për të kaluarën me qëllim të gjetjes së informatave, të cilat mund të ndihmojnë në zbulimin e varrezave masive. Jam shumë e kënaqur që kemi dy njerëz shumë të mirë në krye të delegacioneve - Edita Tahiri dhe Borko Stefanoviq, një politikan i ri, i cili nuk është nën presionin e përgjegjësisë për krimet e luftës në Kosovë.

Ai nuk ka qenë i përfshirë dhe është e qartë se personalisht, si një politikan i ri, ai beson se trajtimi i çështjeve lidhur me krimet e së kaluarës u takon njerëzve e politikanëve më të rinj. Pajtohem me këtë, sepse nisur nga ajo mund të shpresojmë për marrëdhënie më aktive. Trajtimi i së kaluarës nga ta do të jetë më i lehtë, sepse ata nuk mbajnë përgjegjësi për të kaluarën.

RADIO EVROPA E LIRË
E përmendët KOMRA-n, por a besoni se dialogu ndërmjet Prishtinës e Beogradit mund të çojë në të ashtuquajturin “pajtim historik” ndërmjet dy shteteve?

NATASHA KANDIQ
Për të arritur pajtimin historik, faktet janë shumë të rëndësishme dhe është e rëndësishme të ketë një pajtim për ekzistimin e atyre fakteve. Problemi është se viktimat shqiptare njihen si të tilla në Bashkësinë Ndërkombëtare dhe në shoqërinë e tyre, por shoqëria serbe nuk beson në krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë.

Vetëm pak njerëz i kanë përcjellë gjykimet në Hagë dhe dinë se çfarë ka ndodhur, por shumica refuzon ta njohë atë. Na duhet një ambient, në të cilin mund të nisë ekspozimi i fakteve për krimet e luftës në publik dhe pas pajtimit se ekzistojnë ato fakte, do ta kemi mundësinë për pajtimin historik.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Kandiq, autoritetet kanë paraqitur nevojën për një presion ndërkombëtar mbi Beogradin kur bëhet fjalë për krimet e luftës dhe bashkëpunimin lidhur me çështjen e personave të pagjetur. A mendoni se Bashkimi Evropian është i gatshëm të vendosë një presion të tillë ndaj Serbisë?

NATASHA KANDIQ
Sipas pikëpamjes sime, Bashkimi Evropian mendon se çështja e krimeve të luftës dhe ajo e personave të pagjetur janë çështjet tona. E shihni te raporti i Dik Martit: të gjitha institucionet ndërkombëtare të drejtësisë transitore thanë se raporti është shumë serioz - veçanërisht për shkak të akuzave që flasin për trafikimin me organe njerëzore, por nuk shohim ndonjë vullnet të Bashkësisë Ndërkombëtare për të bërë presion mbi Kosovën ose Serbinë.

Kjo më çon te përfundimi se e kaluara jonë është problemi dhe nevoja jonë; Bashkësia Ndërkombëtare, përfshirë Bashkimin Evropian, do të mbështesë disa veprime dhe përpjekje nëse shohin se shoqëritë dhe politikanët në Kosovë e Serbi e vlerësojnë trajtimin e së kaluarës, çështjen e personave të pagjetur apo varrezave masive, si të rëndësishme për bashkëpunimin e tyre në të ardhmen.

RADIO EVROPA E LIRË
Zyrtarët në Kosovë pretendojnë, po ashtu, se do t’i kërkojnë Beogradit kompensimin e dëmeve të luftës. A mendoni se mund të priten rezultate?

NATASHA KANDIQ
Jo. Nëse kemi parasysh se çfarë ndodhi me kërkesën e Bosnjës, nuk pres se mund të shohim ndonjë proces lidhur me kompensimin, por KOMRA dhe themelimi i një komisioni rajonal do të ofrojë mundësi për monitorimin e një kompensimi simbolik.

Mendoj se është koha që të bashkohen të gjitha përpjekjet, sikurse politike, ashtu dhe shoqërore, për të ardhur te themelimi i komisionit KOMRA dhe për të marrë në konsideratë mandatin e KOMRA-s lidhur me riparimin e abuzimeve të së kaluarës.

Është një gjë e rëndësishme për shumë kosovarë, të cilët kanë punuar për 30 vjet në kompani të caktuara, e që pas vitit 1999 kanë mbetur pa të drejta për punën e tyre të mëhershme. Ata nuk marrin pensione - serbët e Kosovës i marrin ato, por jo dhe shqiptarët.
XS
SM
MD
LG