Ndërlidhjet

Obama-Netanjahu: Pajtohen për dallimet

  • RFE /RL

Presidenti amerikan Barak Obama dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu takojnë duart në Zyrën Ovale

Presidenti amerikan Barak Obama dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu takojnë duart në Zyrën Ovale

Miliona njerëz në tërë botën përcollën fjalimin e presidentit amerikan, Barak Obama, më 19 maj, për Lindjen e Mesme.

Por, disa orë pasi përfundoi, vërshuan reagimet. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanajahu, u bë lideri i parë që bëri një reagim zyrtar - ai nuk ishte i kënaqur.

Nju Jork Times raportoi se se Natanjau e shprehu mospajtimin edhe më herët, me një telefonatë të “furishme” bërë sekretares amerikane Hillari Klinton, para se të fliste Obama.

Thirrja e presidentit për një zgjidhje të konfliktit izraelito-palestinez duke marrë për bazë kufijtë para vitit 1967, e shoqëruar edhe me shkëmbimin e territoreve, si dhe refuzimi i atypëratyshëm i Netanjahut për shkak se do ta linte pa mbrojtje Izraelin, krijoi një atmosferë që takimi i paparaparë më herët mes dy liderëve në Shtëpinë e Bardhë, pas duar-shtrëngimit të kthehej në takim të tensionuar.

Duke folur pas takimit të gjatë, Obama u përpoq që t’i zbusë mospajtimet mes aleatëve.

“Ka disa dallime mes nesh, në gjuhë dhe në formulimet precize. Kjo iu ndodh miqve. Por, ne jemi plotësisht dakord për atë se paqja e vërtetë mund të ndodhë nëse zgjidhja përfundimtare ia bën të mundur Izraelit mbrojtjen ndaj kërcënimeve”, tha Obama.

Netanjahu, megjithatë, ruajti qëndrimin se kthimi në kufijtë e 1967-s, do ta bënte të pamundur sigurinë për Izraeli. Ai tha se “paqja e bazuar në iluzione do të përplaset në gurët e realitetit të Lindjes së Mesme”.

“Ndërsa Izraeli po përgatit kompromis bujar për paqe, nuk mund të kthehet në kufijtë e 1967-s, sepse ata nuk marrin parasysh ndryshimet që tashmë kanë ndodhur në terren - ndryshimet demografike që kanë ngjarë në 44 vjetët e fundit”, theksoi Netanjahu.

Sulmet e forcave të Izraelit në “Gjashtë ditët e luftës” së vitit 1967 ndaj kërcënimeve arabe në kufijtë me Egjiptin, Sirinë dhe Jordaninë rezultuan me okupimin e Jerusalemit Lindor, Bregut Perëndimor, Rripit të Gazës, Lartësive Golan dhe Gadishullit Sinai.
Presidenti amerikan, Barak Obama, (djathtas), me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu,(majtas), në Zyrën Ovale, 20 maj 2011.

Sinai, ndërkohë, i është kthyer Egjiptit.

Që nga lufta, Izraeli ka ndërtuar vendbanime në këto territore të fituara gjatë luftës, një numër prej të cilave tash ka popullatë shumice hebraike. Izraeli, po ashtu, insiston se pjesë të këtyre territoreve të fituara në luftë ofrojnë një zonë esenciale mbrojtëse për shtetin e vogël.

Ndërtimi i vendbanimeve hebraike nxiti reagime të gjera ndërkombëtare, duke mos lënë anash edhe një segment izraelit.

Uashingtoni ndërkohë, hodhi poshtë kundërshtimet për vendbanimet, duke insistuar në një marrëveshje që do të dilte nga procesi izraelito-palestinez i paqes dhe i bllokoi aksionet e OKB-së duke i quajtur ato si ilegale.

Palestinezët përfundimisht shpresojnë të formojnë një shtet që bashkon Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës me kryeqytet Jerusalemin Lindor.

Në fillim të këtij viti, ministri i atjeshëm palestinez, Riad al Maliki, njoftoi se do të kërkojë njohjen e shtetit palestinez në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator.

Në fjalimin e tij të 19 majit, Obama u tërhoqi vërejtjen palestinezëve që të mos kërkojnë njohjen në OKB.

Ai, përkrah Natanjahut, përsëriti një tjetër çështje të theksuar edhe në fjalim - ndërsa inkurajon Izraelin që të bëjë koncesione, Uashingtoni pret nga palestinezët që të dëshmojnë se janë të përgatitur për të punuar drejt paqes.

“Është shumë e vështirë për Izraelin që të presë të negociojë në një mënyrë serioze me një palë që refuzon të njohë të drejtën e tij të ekzistimit dhe për këtë arsye, mendoj se palestinezët duhet të kenë përgjigje për disa pyetje të vështira në lidhje me marrëveshjen e bërë ndërmjet Fatahut dhe Hamasit”, nënvizoi Obama.

Në maj, lëvizja palestineze Fatah, që kontrollon zonat përgjatë Bregut Perëndimor, nënshkroi një marrëveshje me ish-rivalin, Hamasin, një lëvizje militante islamike e mbështetur nga Irani, që de-facto kontrollon Rripin e Gazës.

Ndërsa, Fatah mbështet procesin e Paqes me Izraelin, Hamasi bën thirrje për shkatërrimin e Izraelit. SHBA-ja dhe BE-ja e konsiderojnë atë si organizatë terroriste.

Pajtimi ndërmjet dy grupeve është konsideruar nga shumë, përfshirë edhe Netanjahun, si pengesë për zgjidhjen finale.(a.i.)
XS
SM
MD
LG