Ndërlidhjet

Shekerinska: Qeveria pasive në negociata


Posterët reklamues të Radmilla Shekerinskës (Foto nga arkivi)
Posterët reklamues të Radmilla Shekerinskës (Foto nga arkivi)

Problemi qëndron në faktin se Qeveria aktuale e Maqedonisë ka rol pasiv në negociata për çështjen e emrit me Greqinë, thotë për Radion Evropa e Lirë, Radmilla Shekerinska, kandidate e partisë opozitare LSDM, për kryeministre. Ajo thekson se nëse partia e saj fiton në zgjedhjet e 5 qershorit, çështja e emrit nuk do të përdoret për konfrontim ndërmjet partive.



RADIO EVROPA E LIRË
Fillimisht, si mandatare e propozuar nga partia e juaj, nëse fitoni zgjedhjet, si e shihni zgjidhjen e kontestit me Greqinë për çështjen e emrit, njëherësh dhe zhbllokimin e procesit integrues, duke pasur parasysh faktin se tani edhe ju si opozitë, por edhe pushteti, pavarësisht se cili propozim mund të pranohet si zgjidhje, i njëjti verifikohet edhe nga qytetarët e Maqedonisë me referendum?

RADMILLA SHEKERINSKA
Edhe kjo çështje, ashtu si dhe shumë të tjera do të varen nga verdikti i popullit, të cilin qytetarët do ta shprehin me votën e tyre më 5 qershor. Unë mund të flas vetëm për atë se çka do të bëjë qeveria e re e LSDM-së për dallim nga qeveria aktuale.

E para, këtë çështje nuk do ta përdorim për qëllime të brendshme për konfrontim mes partive politike. Nuk do ta shfrytëzojmë për t’u konfrontuar me ata që kanë mendim ndryshe nga ai yni për këtë çështje. Nuk do ta shfrytëzojmë për të siguruar rejting të lartë për parinë tonë. Atë që do ta bëjmë, është që përfundimisht të hapim një faqe të re në zhvillimin e negociatave me Greqinë për këtë çështje, që Maqedonia do të marrë rol aktiv dhe ne, si shtet saktësisht do të përcaktojmë pozitat e saj, për të cilat vlerësojmë se janë interes i vendit tonë.

Problemi deri më tani nuk qëndron vetëm te referendumi. Problemi qëndron në atë se ne kemi qeveri, e cila ka rol pasiv në negociata, që gjithashtu i ka humbur aleatët dhe partnerët e saj më me ndikim në kuadër të komunitetit ndërkombëtar, që e mbështeste Maqedoninë në këtë proces. Praktikisht, ajo varej nga vullneti ose i Greqisë, ose i ndërmjetësuesit të OKB-së i angazhuar për këtë çështje.

Ne këtë nuk do ta lejojmë, sepse mendojmë se kjo gjendje duhet patjetër të ndryshojë. Kur do të arrijmë një zgjidhje, e cila mendojmë se është në interes të qytetarëve të Maqedonisë dhe për të ardhmen e Maqedonisë, atëherë qartë do ta bëjmë me dije se ne qëndrojmë pas kësaj zgjidhjeje, mendojmë se është e mirë dhe për këtë arsye e kërkojmë dhe mbështetjen e qytetarëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Shekerinska, partia juaj, LSDM, është deklaruar në vazhdimësi se është kundër organizimit të referendumit, ndërkohë që tani e mbështet të njëjtin. Pse ndryshuat qëndrimin? Ua rikujtoj se ju keni theksuar se pjekuria e një partie politike, njëherësh dhe lidershipi shihet në atë se sa ka kapacitet të marrë vendime të vështira politike.

RADMILLA SHEKERINSKA
Absolutisht, qëndroj pas këtij qëndrimi se politikanët e vërtetë nuk fshihen pas të tjerëve. Politikanët e vërtetë dinë qartë të shprehen se çka është në të mirë të qytetarëve të tyre dhe çka nuk është. Referendumi këtë nuk do ta ndryshojë.

Pra, edhe nëse do të kishim variant të këtillë - pra të zgjidhej çështja e emrit dhe të shkohej në referendum, shumë qartë na u bë me dije se kryeministri aktual, Gruevski, planifikon të dalë në referendum pa një qëndrim të tij të definuar dhe as të Qeverisë që e drejton, lidhur me këtë çështje. Thjesht, gjithçka të lërë në duart e qytetarëve. Atë që ne tentuam ta arrijmë me qëndrimin tonë si LSDM për organizimin e referendumit, është t’u jepet fund përplasjeve mes nesh, si politikanë, për çështje që janë me interes jetik për të ardhmen e Maqedonisë.

Megjithatë, Qeveria, të cilën ne do ta kryesojmë, nuk do të fshihet pas opinionit publik. Ne do të dalim para opinionit të brendshëm të Maqedonisë dhe do të sqarojmë pse një zgjidhje e caktuar është në të mirë të qytetarëve të vendit, në të mirë të Maqedonisë dhe pastaj do të kërkojmë mbështetjen e qytetarëve, pra ne nuk do të fshihemi pas opinionit publik.

RADIO EVROPA E LIRË
Ku e mbështesni besimin tuaj në fitoren e LSDM-së, kur të gjitha sondazhet edhe më tej e nxjerrin shumë më përpara partinë e kryeministrit Gruevski?

RADMILLA SHEKERINSKA
Rejtingu i lartë u dëshmua se është mit; mit të cilin kryeministri Gruevski e mban gjallë me shumë para të derdhura nga buxheti në disa media të caktuara, si dhe përmes disa satelitëve që shpallin anketa të ndryshme në favor të Qeverisë aktuale. Them shpallin dhe jo i bëjnë anketat, sepse qëllimi i këtyre anketave nuk është të bëhet sondazh i mirëfilltë për vullnetin e popullit, por thjesht të përcillet porosi në opinion se ne, si Qeveri, jemi shumë të fuqishëm.

Mua më kujtohen anketat e 2008-ës, anketat e VMRO DPMNE-së e nxirrnin trefish më të mbështetur nga qytetarët se LSDM-në, por ditën e zgjedhjeve u dëshmua një realitet krejtësisht tjetër, dallimi ishte shumë më i vogël. Tani më duhet të theksoj se dhe anketat, të cilat janë të prira të nxjerrin në avantazh partinë e Gruevskit, nuk sjellin rezultate të tilla për mbështetje absolute. Në një situatë kur anketuesit prezantohen se janë nga shtabi i VMRO DPMNE-së, në një situatë kur punonjësit e administratës kanë frikë të shprehen se për cilën parti do të votojnë, sepse reperkusionet janë evidente, besoj se e keni të qartë se anketat janë problematike.

RADIO EVROPA E LIRË
Në bazë të cilave shtylla e mbështesni platformën tuaj pse qytetarët e Maqedonisë duhet ta votojnë LSDM-në?

RADMILLA SHEKERINSKA
Presim që qytetarët e Maqedonisë të votojnë ashtu siç u thotë zemra dhe vetëdija e tyre, por gjithsesi edhe stomaku dhe xhepi i tyre. Shtylla e dytë, në të cilën e mbështesim fitoren tonë, është oferta jonë. Besojmë se pikërisht kjo ofertë njëherësh dhe obligimet që marrim kundrejt realizimit të platformës, do t’i ta tërheqin pjesën më të madhe të elektoratit për ta votuar patinë tonë.

Qytetarët janë lodhur nga zënkat e njëjta të politikanëve të vendit për çështje, po ashtu, të njëjta, të cilat me vite nuk duan dhe nuk dinë t’i zgjidhin. Në këtë fushatë nuk ofrojmë fyerje. Jemi të shurdhër kundrejt fyerjeve të oponentit tonë politik, por thjesht para opinionit ofrojmë atë që e kërkon - ofrojmë zgjidhje për të gjitha problemet, me të cilat ballafaqohen qytetarët e Maqedonisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur jemi te realizimi i objektivave politik, ekonomik, po edhe zhbllokimin e procesit integrues, cilën nga partitë politike shqiptare e shihni si partnere për realizimin e të njëjtave?

RADMILLA SHEKERINSKA
Kur më pyesni, ta zëmë, për bllokun politik shqiptar, më duhet të them se e kemi partnerin më të sigurt, edhe atë përcaktimin e pjesës më të madhe të shqiptarëve të Maqedonisë që nuk janë të kënaqur me gjendjen e rëndë ekonomike, me varfërinë në vend dhe gjithashtu janë të pakënaqur ose thjesht thënë të revoltuar nga politika aktuale që bazohet në konflikte dhe zënka.

Besomëni nuk janë të kënaqur as maqedonasit, e as shqiptarët kur shohin se çfarë atmosfere krijohet me koalicionin aktual VMRO DPMNE dhe BDI, me ndarjen e zonave të interesit, ministrive dhe vendeve të punës.

Bashkëqytetarët tanë shqiptarë kërkojnë ndërrimin e menjëhershëm të pushtetit dhe mendoj se ata janë partneri ynë me i sigurt. Ato parti politike që synojnë të grumbullojnë numrin më të madh të votave, do të duhet të dalin para elektoratit shqiptar dhe qartë të theksojnë se koalicioni aktual deri më tani nuk ka dhënë kurrfarë rezultatesh dhe këtë koalicion nuk do ta përsërisin në të ardhmen.

RADIO EVROPA E LIRË
Këto zgjedhje cilësohen si vendimtare për të ardhmen e vendit. Prisni që të kalojnë pa incidente duke përmbushur standardet e përcaktuara nga komuniteti ndërkombëtar?

RADMILLA SHEKERINSKA
Do të doja të përgjigjem në këtë pyetje thjesht me “PO”. Por, asnjë nga kushtet që garantojnë realizimin e zgjedhjeve fer dhe demokratike, pushteti nuk i ka përmbushur. Listat zgjedhore edhe më tej janë të stërmbushura me votues, të cilët nuk janë në mesin e të gjallëve.

Në lista zgjedhore na paraqiten votues të mitur, të cilët ende s’i kanë mbushur 18 vjet, ashtu siç e parasheh ligji. Përgatitjet për zgjedhjen e tre deputetëve nga diaspora janë bërë në mënyrën më të keqe të mundshme.
Përgatitjet e Komisionit Shtetëror Zgjedhor, si dhe përgatitjet për realizimin e procesit zgjedhor në të gjitha institucionet janë të pamjaftueshme.

Dhe, si kurorë e gjithë kësaj, është sjellja e pushtetit ndaj mediave gjatë pesë vjetëve të fundit, veçanërisht gjatë 20 ditëve të fundit dhe sjellja e pushtetit ndaj administratës me presionet e vazhdueshme ndaj saj.

Përgjigjja jonë, si qytetarë, ndaj gjithë kësaj është: Të dalim në mënyrë masive në zgjedhje, të votojmë dhe të mos lejojmë të ndodhë falsifikimi i zgjedhjeve më 5 qershor.
XS
SM
MD
LG