Ndërlidhjet

Kërkesa shumë, fonde të pamjaftueshme


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë thonë se shuma vjetore për programin e trajtimit të pacientëve jashtë vendit, është e pamjaftueshme. Kërkesat e pacientëve për shërbime që nuk ofrohen në institucionet spitalore publike, janë shumë më të mëdha sesa që ofron ky institucion.


Shuma vjetore që Ministria e Shëndetësisë ndan për programin e trajtimit të pacientëve jashtë vendit, është dy milionë euro, ndërkohë që kërkesat janë shumë më të mëdha.

Sipas Faik Hotit, drejtor i Departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, gjatë vitit 2011 kanë aplikuar 300 pacientë,derisa 150 prej tyre kanë përfituar shërimin jashtë vendit.

“Është një shumë solide andaj nuk i mbulon gjitha kërkesat e pacientëve aplikues, të cilët kanë nevojë për trajtime mjekësore jashtë vendit, shërbime këto që nuk ofrohen në institucionet publike shëndetësore. Rasti më i freskët është ai i 5 pacientëve që këtë javë kanë shkuar në Spitalin Evropian të Shkupit për oftalmologji”, bën të ditur Hoti.

Në anën tjetër, Shpend Fazliu, nga Qendra Klinike Universitare, thotë se në kuadër të klinikave, ekzistojnë komisionet e veçanta që vlerësojnë se cilët pacientë duhet të trajtohen jashtë vendit.

”Zakonisht shkojnë ato raste, për të cilat nuk ofrohen trajtime brenda QKUK-së. Rasti vlerësohet nga Komisioni për trajtim jashtë vendit nëse është për t’u trajtuar jashtë. Pas nënshkrimit që marrin nga specialistët, kërkesa dërgohet në Ministrinë e Shëndetësisë”, thotë Fazliu.

Pavarësisht asaj që shumë shërbime mjekësore kryhen brenda qendrave spitalore të Kosovës, një numër i madh i pacientëve kosovarë kërkojnë mjekim jashtë vendit.

Një nga ta është edhe Shemsedin Syla, i cili vuan nga sëmundja e zemrës. Ai ka kërkuar shërim jashtë vendit, edhe pse sëmundjet e zemrës trajtohen në institucionet publike spitalore, dhe prejse ka shkuar atje, gjendja e tij shëndetësore është përmirësuar.

Syla thotë se, edhe pse në vend kryhen këto shërbime, sipas tij, kualiteti dallon shumë. Atij i është dashur të kthehet në mungesë të mjeteve financiare për të vazhduar më tej trajtimin.

”Shërbimet kryhen edhe në Kosovë, por kualiteti nuk është i njëjtë. Atje kam marrë medikamente që janë të nevojshme për mirëmbajtjen e shëndetit, e që këtu nuk përdoren. Unë kam pasur problem me ecje dhe pasi kam shkuar atje, jam përmirësuar dukshëm”, tregon Shemsedin Syla.

Zyrtarë të ministrisë thonë janë duke e shqyrtuar ende mundësinë e partneritetit publiko-privat, në mënyrë që pacientët, të cilët përfitojnë nga programi i kësaj ministrie, të shërohen në institucionet private të vendit.

Por, një gjë e tillë ende nuk është duke ndodhur.

“Është bërë udhëzimi administrativ që ka krijuar bazën ligjore që të zhvillohet ky program, pastaj është bërë oferta për spitalet private, derisa ka pasur vonesa edhe nga këto spitale. Pas këtyre marrëveshjeve, të mos ketë pengesa juridike në mënyrë që të zhvillohet programi në mënyrë të rregullt. Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, pacientët do të përfitojnë dhe pritet që këto ditë ose javë në vijim të finalizohet e gjitha”, shpjegon Hoti.

Megjithatë, zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë, disa herë kanë deklaruar se çështja e trajtimit jashtë vendit do të diskutohet në Qeverinë e Kosovës, për t’i shqyrtuar mundësitë e buxhetit shtesë për këtë program, duke pasur parasysh rëndësinë e tij.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG