Ndërlidhjet

WP: Turneu evropian i Obamës - në kohë të ndryshimeve


Presidenti amerikan Barak Obama gjatë vizitës në Evropë në vitin 2009.
Presidenti amerikan Barak Obama gjatë vizitës në Evropë në vitin 2009.
"Washington Post"

Presidenti Barak Obama dhe Evropa, ishin së bashku gjatë dy viteve të para të tij në presidencë, për shkak të rënies globale ekonomike dhe përpjekjeve kolektive për ta zgjidhur atë.

Por, temat dominuese të turneut të presidentit Obama, që fillon nesër, theksojnë se sa shumë bota ka ndryshuar gjatë kësaj kohe.

Derisa zoti Obama hyri në pjesën e dytë të mandatit të tij, çështjet e sigurisë, në Azinë Jugore dhe më gjerë në Lindjen e Mesme, e kanë zëvendësuar ekonominë.

Lufta në Afganistan, kryengritja në Libi, goditja në Siri dhe implikimet në gjëra të ndryshimeve që po paraqiten në Pranverën Arabe, do ta dominojnë pjesën më të madhe të kohës së presidentit, derisa ai udhëton nga Irlanda e deri në Poloni, gjatë vizitës gjashtëditore.

Ekonomia botërore, me ripërtëritje me ritëm të ndryshëm në rajone të ndryshme, ka rrëshqitur nga pozita e lartë në agjendën transatlantike. Duke e detajuar samitin e ardhshëm të grupit G8 në Francë, një diplomat francez e ka radhitur ekonominë si pjesa B e temës 3, pas “lirisë dhe demokracisë” dhe “paqes dhe sigurisë”.

Pjesë e qëllimit të presidentit Obama, sipas këshilltarëve të tij dhe analistëve, do të jetë që të theksohet rëndësia qendrore e Evropës dhe e aleancave atje, që Obama kishte premtuar t’i ripërtërijë, pasi e kishte marrë presidencën.

Premtimet e tij shërbyen si shkëputje nga administrata e mëparshme, e cila kishte sugjeruar ndarje të kontinentit në “Evropën e vjetër” dhe në demokracitë e reja të Evropës Qendrore dhe Lindore, që në mënyrë më të plotë e kishin mbështetur strategjinë e Shteteve të Bashkuara kundër terrorizimit.

“Ndoshta kjo është një deklaratë e zmadhuar, por unë këtë e shoh si një mundësi për ripërtëritje të raporteve me Evropën”, tha Heather Conley, nga programi evropian në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Conley thekson se “liderët evropianë kanë pritje të jashtëzakonshme nga ky president, por tash ata pyeten se a ka dallime pas gjithë kësaj”.

Udhëtimi i parë i zotit Obama në Evropë në vitin 2009, ishte shënuar me famën e tij dhe me rrezikun botëror ekonomik.

Ai ishte nderuar në samitin e G-20-s në Londër si yll, ndërsa liderët e tjerë botërorë ishin të lumtur të shiheshin me të.

Gjatë tetë vjetëve të administratës së Xhorxh Bushit, qasjet unilaterale ndaj shumë politikave të të cilit, shpeshherë e kishin armiqësuar Uashingtonin me shumë liderë evropianë dhe opinionin. Në këto qasje përfshihej edhe vendimi për invadimin e Irakut.

Obama ka premtuar kthimin e partneritetit nëpërmjet NATO-s, G-8 dhe G-20 dhe me Bashkimin Evropian.

Këshilltarët e tij të lartë thonë se ai ia doli t’i ripërtërijë raportet e Shteteve të Bashkuara me Evropën, duke punuar në krizën globale ekonomike, duke e zgjeruar luftën në Afganistan me mbështetjen evropiane dhe duke lëvizur kundër liderit të Libisë, Muamer Gadafi, me përpjekjet ushtarake të udhëhequra nga NATO-ja. (f. b.)
XS
SM
MD
LG