Ndërlidhjet

Konsumatori në Kosovë vazhdon të rrezikohet nga produktet ushqimore me afat të skaduar. Të paktën kështu vlerësojnë raportet e fundit, të publikuara nga shoqëria civile dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare për mbrojtjen e konsumatorit. Në anën tjetër, autoritetet vendore thonë se Kosova i ka krijuar të gjithë mekanizmat për mbrojtjen e konsumatorëve.


Produktet e dyshimta, të cilat gjenden në tregun e Kosovës, po rrezikojnë shëndetin e kosovarëve. Udhëheqësi i organizatës joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, thotë se kërcënim për shëndetin e tyre janë produktet me afat të skaduar dhe prejardhje të dyshimtë.

“Konsumatori në Kosovë është plotësisht i pambrojtur. Nëse vetëm 1 për qind nuk zbatohet Ligji për mbrojtjen e konsumatorit tek artikujt ushqimorë, në shëndetësi, në arsim, atëherë rezultat janë fatale”, thotë Kaçaniku.

Instituti Ballkanik i Politikave (IPOL), ditë më parë, ka reaguar në lidhje me gjendjen e konsumatorit në Kosovë. Sipas të njëjtit, shitja e produkteve me afat të skaduar nëpër dyqane është shndërruar në një fenomen shqetësues, që rrezikon direkt shëndetin e qytetarëve të Kosovës.

Ndryshimi i afatit të skadimit të produkteve, sipas këtij instituti, është vepër shumë e rëndë, e cila dëmton konsumatorët, rrezikon shëndetin publik, çrregullon tregun si dhe cenon konkurrencën në treg.

Shpeshherë produktet ushqimore me afat të skaduar shiten edhe para syve të inspektorëve komunalë, por edhe para atyre të Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit të Kosovës (AVUK), ka konkluduar Instituti Ballkanik i Politikave.

Flamur Kadriu, nga Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit të Kosovës, pohon përpjekjet që po bëhen për të mbrojtur konsumatorët.

“Vetëm për 1 vit e gjysmë – nga viti 2010 dhe deri në maj të 2011-ës – janë asgjësuar rreth 410 tonë produkte. Shumica prej tyre produkte të mishit, të cilat paraqesin rrezik më të madh për konsumatorin”, thekson Kadriu.

Institucionet e Kosovës janë të obliguara me ligj që të mbrojnë konsumatorin. Përfaqësuesi i organizatës joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, thekson nevojën e angazhimit më të fuqishëm institucional në këtë drejtim.

Rezultatet janë dëshpëruese, rezultatet janë po ato që dëshmojnë në proporcion të drejtë se sa janë institucionet e përkushtuara dhe të angazhuara për të përmbushur një obligim ligjor dhe kushtetues, që ka të bëjë me informimin, arsimimin dhe vetëdijesimin e konsumatorit”, thotë ai.

Bashkimi Evropian ka ligje për të ndihmuar dhe siguruar konsumatorët se prodhimet e blera janë të sigurta. Sipas shoqërisë civile, Kosova duhet të punojë në përmirësimin e gjendjes aktuale si dhe në harmonizimin e ligjit aktual me direktivat e BE-së për konsumatorin.

Lidhur me këtë, Flamur Kadriu nga Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit shprehet:

“Ne jemi duke u munduar që t’i rrisim nevojat e konsumatorit dhe standardet që duhet t’i arrijmë përpara Bashkimit Evropian”.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG