Ndërlidhjet

Turneu i Obamës: Riafirmim i aleancës me Evropën


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, dhe homologia e tij irlandeze, Meri Mek Elizë. Dublin, 23 maj 2011.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, dhe homologia e tij irlandeze, Meri Mek Elizë. Dublin, 23 maj 2011.
Presidenti Obama ka arritur në Irlandë, në kuadër të turneut të tij evropian, që do ta çojë atë edhe në Britani, Francë e Poloni. Presidenti pritet ta shfrytëzojë këtë udhëtim për të kërkuar nga partnerët amerikanë të ndihmojnë lëvizjen për ndryshimet demokratike, të ofruar nga kryengritjet e pranverës arabe në Lindjen e Mesme.


Presidenti Barak Obama arriti në Dublin të Irlandës, për të nisur kështu turneun e gjatë evropian, që shihet si mundësi për të forcuar lidhjet mes SHBA-së dhe aleatëve evropianë.

Udhëtimi zhvillohet në kohën e vështirësive të përbashkëta ekonomike dhe shqetësimeve për shtetet e Lindjes së Mesme, që u shkundën nga vala e protestave popullore të së ashtuquajturës “pranverë arabe”.

Duke folur përkrhah kryeministrit irlandez, Enda Keni, Obama lavdëroi
përpjekjet ndërkombëtare të Irlandës.

Irlanda peshon përtej asaj që shihet. Është një shtet i vogël, por puna që e bën në një gamë të gjerë çështjesh - që nga trajnimi i paqeruajtësve në Afganistan e deri te puna që bëjmë së bashku në sigurimin e ushqimit, në ngritjen e zërit për të drejtat e njeirut - përbën një ndryshim të madh në botë”, tha Obama.

Në komentet e tij, lideri amerikan theksoi përpjekjet paqësore në konfliktin me Irlandën Veriore, ku marrëveshja e paqes e vitit 1998 u dha fund luftimeve që zgjatën me dekada mes grupeve pro-britanike dhe atyre nacionaliste irlandeze.

Ai tha se këto përpjekje paqësore kanë dhënë shembull për zgjidhjen e konflikteve në tërë botën.

Pas Dublinit, Obama dhe Zonja e Parë, Mishel, udhëtojnë në Monigall, një qytet i vogël, rreth 135 kilometra në juglindje të kryeqyetit, prej nga vjen katragjyshi i Obamës, Falmut Kirnej.

Kjo vizitë duket se është vënë në agjendë për të tërhequr vëmendjen në këtë turne se Obama, sikurse edhe 37 milionë amerikanë të tjerë, kanë prejardhje irlandeze.

Pas kthimit nga Dublini, ku do të mbajë një fjalim për lidhjet amerikano-irlandeze, Obama udhëton në Londër, ku do të pritet me nderimet më të larta, në një vizitë tradicionale shtetërore që përfshin edhe dy net të qëndrimit si mysafir i mbretëreshës Elizabetë, në Pallatin Bakingem.

Vizita në Londër përfshin edhe një fjalim para Parlamentit britanik, për të cilin zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë kanë thënë se ka për qëllim të theksojë “raportet e veçanta” mes SHBA-ve e Britanisë dhe miqësinë tradicionale mes Uashingtonit e Londrës.

Nga aty, Obama udhëton për në Deauvill të Francës, në takimin e G8-ës që mbahet më 26 dhe 27 maj.

Bisedimet do të fokusohen në ekonominë globale, por kësaj here do të përfshijnë edhe diskutimet për misionin ushtarak të NATO-s në Libi dhe planet amerikane për tërheqjen e trupave nga Afganistani në këtë verë.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë se Obama do të bëjë presion te partnerët e G8-ës që të përqafojnë vizionin e tij për promovimin e reformave demokratike në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën Veriore, ku kryengritjet popullore po sfidojnë liderët autoritarë që ushtruan pushtetin me dekada.

Në fjalimin e tij të 19 majit mbi pranverën arabe, Obama shpjegoi se si ai e sheh ndihmën ndërkombëtare për Tunizinë e Egjiptin.

“Kemi kërkuar nga Banka Botërore dhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar që të paraqesë një plan në takimin e javës së ardhshme të G8-ës, në lidhje me atë se çka duhet bërë për të stabilizuar dhe modernizuar ekonomitë në Tunizi dhe në Egjipt. Së bashku, ne duhet të ndihmojmë rimëkëmbjen dhe të mbështesim qeveritë që do të zgjidhen në këtë vit. Do t’iu kërkojmë shteteve që të ndihmojnë Egjiptin dhe Tunizinë për nevojat e tyre të menjëhershme financiare”, tha Obama.

Në margjinat e G8-ës, Obama do të ketë takime bilaterale me presidentin rus, Dimitri Medvedev, atë francez, Nikolas Sarkozi, dhe me kryeministrin japonez, Naoto Kan.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë kanë thënë më herët se në takimin me presidentin rus do të diskutohet edhe anëtarësimi i Rusisë në Organizatën Botërore të Tregtisë dhe rritja e bashkëpunimit me NATO-n.

Obama në Poloni, më 27 maj, do të takojë presidentin Bronisllav Komorovski dhe kryeministrin Donald Tusk, për të diskutuar agjendën bilaterale, përfshirë NATO-n, sigurinë evropiane dhe bashkëpunimin ekonomik.

Shtëpia e Bardhë e ka quajtur pjesën polake të itinerarit të Obamës si një “ndalesë shumë të rëndësishme”, sepse Varshava shihet si aleati kryesor në Evropën Lindore dhe Qendrore, ku janë të fokusuara përpjekjet amerikane për sigurinë në Evropë.

Ish-presidenti Xhorxh Bush pati zgjedhur Poloninë si një vend për vendosjen e mbrojtjes raketore, por plani u tërhoq nga Obama në vitin 2009, në favor të mbrojtjes lëvizëse detare.

Shtëpia e Bardhë tha se zhvillimet demokratike do të jenë në fokus të bisedimeve me liderët polakë, si në botën arabe, ashtu edhe në Bjellorusinë fqinje, ku presidenti Aleksandër Lukashenko ka kryer aksione brutale kundër protestuesve pro-demokracisë dhe anëtarëve të opozitës.

Në natën e dytë në Poloni, Obama dhe presidenti Komorovski do të shtrojnë darkë për krerët shtetërorë të Evropës Qendrore dhe Lindore, të cilët do të jenë në qytet në samitin CEE IPO, i cili ka për qëllim lidhjen e kompanive rajonale, që planifikojnë investimet publike. (a.i.)
XS
SM
MD
LG