Ndërlidhjet

Çeku e Selimi vizituan shtabin e NATO-s


Ministri Agim Çeku, dhe komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës gjenerallejtënant Sylejman Selimi, vizituan sot shtabin qendror të NATO-s në Bruksel.
Ata u takuan me përfaqësues të lartë të NATO-s si dhe me ambasadorë e përfaqësues të vendeve partnere të NATO-s dhe KFOR-it.

Sipas një komunikate të lëshuar nga Ministria e FSK-së, ministri Çeku, i ka raportuar zëvendëssekretarit të përgjithshëm të NATO-s, ambasadorit Klaudio Bizonjero “për arritjet e FSK-së si forcë multietnike dhe për zhvillimin drejt arritjes së Kapaciteteve të Plota Operacionale”.

“Këto ishin takime shumë frytdhënëse, në të cilat u shkëmbyen pikëpamje lidhur me të ardhmen e FSK-së. Unë dua të tërheq vëmendjen në rëndësinë e bashkëpunimit me NATO-n dhe KFOR-in, dhe se Kosova i jep rëndësi të veçantë zhvillimit tonë profesional dhe progresit drejt integrimeve Euro-Atlantike”, ka thënë Çeku.

Gjithnjë sipas njoftimit për media, ministri Çeku ka shfaqur shpresën që FSK-ja në fund të këtij viti, do të pranojë rekomandim pozitiv nga KFOR-i për arritjen e Kapaciteteve të Plota Operacionale.
XS
SM
MD
LG