Ndërlidhjet

Nuk janë përmbushur kushtet e domosdoshme për shkurtimin e mëtutjeshëm apo largimin e trupave të KFOR-it nga Kosova, konstaton Klubi për Politikë të Jashtme.

Deri te ky konstatim, Klubi për Politikë të Jashtme thotë se ka ardhur pas një debati dhe studimi të gjatë në lidhje me sigurinë në Kosovë dhe paralajmërimet e vazhdueshme të NATO-s për shkurtime të trupave deri në largimin e tyre nga Kosova.

Drejtori ekzekutiv i Klubit për Politikë të Jashtme, Ylli Hoxha, thotë se janë katër sfida politike dhe fusha problematike, të cilat do të duhej ta kushtëzonin praninë e NATO-s, përkatësisht KFOR-it, në një numër të konsiderueshëm në Kosovë.

“Këto katër parakushte janë: veriu (ku konsiderojmë se kemi ende një konflikt të ngrirë, kemi prani të forcave të sigurisë serbe, mungesë të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në atë pjesë të territorit dhe me një gjendje të tillë, nuk besoj se mund të vlerësohet se gjendja e sigurisë në Kosovë është në nivel); pastaj është normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, është hapja e rrugës për integrim në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe ngritja e kapaciteteve ushtarake të Kosovës”, thotë Hoxha.

Prania e KFOR-i, përkatësisht NATO-s, sipas hulumtimit të Klubit për Politikë të Jashtme, do të ishte një garanci për evitimin e përshkallëzimeve në fushën e sigurisë.

Besa Luci, nga KPJ, thotë se KFOR-i ka transferuar disa përgjegjësi te Policia e Kosovës, sidomos në aspektin e ruajtjes së brezit kufitar. Por, sipas saj, forcat vendore ende nuk janë në gjendje të marrin përgjegjësi të plota, përderisa Forca e Sigurisë së Kosovës nuk është ende një ushtri, por një forcë civile.

Luci thotë se analizat e bëra tregojnë edhe për shqetësime në lidhje me tensionet dhe shpërthimin e konflikteve eventuale në të ardhmen, për shkak të problemeve të grumbulluara politike e sociale.

“Sa u përket perceptimeve të publikut rreth sigurisë në Kosovë, edhe pse një pjesë e konsiderueshme mendojnë se siguria e tyre është përmirësuar nga viti 2006, ekziston një pjesë relativisht e lartë e atyre që ende kanë frikë nga ndonjë shpërthim i konfliktit të dhunshëm, gjatë pesë vjetëve të ardhshëm, ku shkaqet kryesore konsiderohet të jenë çështjet e pazgjidhura politike, por edhe problemet ekonomike e sociale, të cilat krijojnë frustrim dhe tension, e që perceptohen se kanë potencial për të ngacmuar konflikt të dhunshëm”, thekson Luci.

Studimi i Klubit për Politikë të Jashtme nxjerr si konstatim që KFOR-i i duhet Kosovës edhe për një periudhë kohore, nënvizon Ylli Hoxha.

Ndonëse zyrtarë të NATO-s kanë shprehur interesin e Aleancës që të reduktojë trupat në Kosovë, Hoxha thotë se situata e sigurisë në vend nuk është ende stabile.

“NATO-ja do të duhej të jetë prezente përderisa Kosova nuk është në gjendje ta kontrollojë gjithë territorin e vet. Kosova nuk është një shtet demokratik, që ka kapacitet për t’u antarësuar në BE dhe në NATO, përderisa ambiciet, aspiratat e Serbisë ndaj Kosovës janë gjallë. Këto janë parakushtet e domosdoshme në mënyrë që situata e sigurisë të vlerësohet e tillë që toleron terheqjen e mëtutjeshme të forcave të KFOR-it”, vlerëson Hoxha.

Forcat paqeruajtëse të KFOR-it u vendosën në Kosovë më 12 qershor të vitit 1999 dhe ato fillimisht numëruan mbi 50 mijë trupa, por numri i tyre u zvogëlua vit pas viti. Sot, ka më pak se 10 mijë trupa, me paralajmërimet se në një të ardhme jo të largët, shkurtimet do ta çojnë këtë forcë në 5,500 ushtarë në Kosovë.

Për dallim nga studimi dhe analizat e Klubit për Politikë të Jashtme, i cili i merr si shqetësuese këto parlamërime, udhëheqësit e institucioneve të Kosovës në disa raste kanë deklaruar se shkurtimet janë rezultat i gjendjes së përmirësuar në fushën e sigurisë në Kosovë.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG