Ndërlidhjet

BE zgjeron sanksionet ndaj Bjellorusisë


Diplomatët bënë të ditur se Bashkimi Evropian ka rënë dakord që të zgjerojë sanksionet ndaj Bjellorusisë, për shkak të shtypjes që ka ushtruar ndaj kundërshtarëve qeveritarë.

Ministrat e Jashtëm të BE-së, gjatë takimit në Bruksel, janë pajtuar të shtojnë edhe 13 emra në listën prej afro 170 njerëzish, të cilëve u ndalohet udhëtimi në BE. Në mesin e tyre është edhe presidenti bjellorus, Aleksander Lukashenko.

Duke folur para gazetarëve, ministri i Jashtëm suedez, Karl Bild, tha:

“Në Minsk, i cili është pjesë e kontinentit të Evropës, ne kemi gjykime politike, vendime politike të një natyre krejtësisht të papranueshme. Kjo do të thotë se duhet të merren masa të mëtutjeshme”.

Zgjerimi i sanksioneve vjen në përgjigje të dënimeve të fundit që u janë bërë figurave opozitare në Bjellorusi, përfshirë dhe ish-kandidatin presidencial, Andrej Sanikau.

Ai u dënua me pesë vjet heqje lirie për organizimin e protestave, që shpërthyen pas zgjedhjeve presidenciale në dhjetorin e kaluar.
XS
SM
MD
LG